Emrije Krosi - Ese dhe kritika (Pjesa -II-)

Emrije Krosi - Ese dhe kritika (Pjesa -II-)
Emrije Krosi - Ese dhe kritika
 
VISEVE TË ESEESTIKËS DHE KRITIKËS PJ. II
 
ENKEL DEMI
 
Tema: Përthyerja e të shkuarës dhe njëkohësisë nëpërmjet surreales në novelën  Flama” e Tom Kukë-s
 
Ndërtimi i një proze në kohën e shkuar, nuk është e panjohur për gjininë e letrave. Kthimi në kohë dhe receptimi nga lexuesi në kohën ku jetojmë, por me “rrëfime” nga e kaluara, e ka orientuar prozën shqipe, në burimin e saj. Koha historike e vërtetë, si ajo e kohës së mbretërisë apo diktatoriale, po kultivon një tharm të ri, në prozën modrene, post/modren shqipe, që “prodhon” letërsi të mirë dhe lexues të ri,  nëse e ngjiz si duhet rrëfimin. Novela “Flama” (Kuka: 2021), na jep imazhin e kohës mbretërore, një qytet si Tirana, ku mbretëron, rrëmuja, mizëria e pisllëku, varfëria, morali dhe vesi, kurvëria dhe kulparaja, shteti dhe itelektuali, ligji dhe vrasësi, grykësia dhe përdhosja, krijon një lloj marrëdhënie përfaqësores me kodin narrativ dhe me elemente  postmoderne (McLeish: 2003). Nën këtë kumt, nis udhën edhe rrëfimi i Tom Kukës, (Enkel Demi) për  Di Himën, Tom Kukën, Spiro Kutleshin, Sadijen  etj. Ndërtimi i veprës përbëhet nëpërmjet linjës së përbashkët të personazheve të njëjtë,  por në formë tregimesh me emra të ndryshëm, përmes tre leximesh:
·         leximi parë: vjen përmes këndvështrimit real. Reale është Tirana moderne, me tërë
problemetikën e saj, si një lëngatë rraskapitëse drejt një identiteti të ri modern, duke kërkuar vetveten nëpër lagjet e pista të ardhacakëve të rinj periferik, ku krahas paragjykimeve, thashethemeve, sollën një rrokadë sa përçudnuese aq edhe ndërtuese, përmes toponimeve të saj të qëndrueshme akoma si: Brraka, Lana, Bregu i Lumit, Ura e Tabakëve, Xhamia e Et’hem Beut, Shkoza etj. Filli që lidh tregimet, është gjithërrokja e një perceptimi të stilit prozaik  tek “Ora e Zooparkut ” (Çela: 2007) dhe modelit të novelës së Konicës, “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit” (Konica: 2011);
·         leximi i dytë: nëpërmjet këndvështrimit surreal. Ngjizja e magjikes, për të treguar gjëmën
e madhe të mëkatit kutelian, hakmarrjen, mjerimin dhe pafajësinë realitet të paimagjhinueshëm.  Në atë realitet magjik, ku trupi dhe shpirti shpërfaqen, nëpërmjet mënyrës së jetesës, veshjeve, zakoneve, besimeve dhe bestytnive, ku përmes lirisë së kurbatkave, (përfaqësia e grave të lira), banorët e Bregut të Lumit. Leximi në gjuhën e fëmijërisë së Tom-ës, magjeps lexuesin, duke rikthyer zakonet e të shkuarës, që akoma i kanë rezistuar shpërbërësit të modernitetit;
·         leximi i tretë: qyteti që lëngon nga flama, por mëkater e kësaj  të keqeje i mbulon
llahtaria e vrasjeve. Vdekjet e shumta, vrasjet dhe frika e njerzve janë paradigma krahasimtare  me pandeminë botërore, ku ndërthuren poetikat e hapura, ku strukturat teorike herë-herë janë të ndërrueshme bashkë me procedimet teorike (Bertens: 2012). 
 
***
Autori si  një nevojë e brendshme krijuese, ka truallin e vet  social-psikologjik, jo vetëm në funksionin  kulturor dhe historik, por edhe në  përcaktimin e raporteve me çështje preferencash,
me raporte specifike  mes botës rrëfimtare dhe me botën tekstore, (Dado: 2006). Autori përmes rrëfimit: “tani, askush nuk e dinte se kur ta fillonte këtë punë, por njerëzimi po fluturonte. Varrezat ishin plot, ndaj u hapën gropa të reja në shpatin e kodrës. Flamëmadhja  i rrëmbeu me aq furi kaq të madhe, thua se ishte unshëm tërë kohës. Fëmijë, pleq, gra, burra që u vendosën në pirg në makinën e Tom Kukës i cili nuk përtonte ta kryente këtë punë , gojëkyçur, ashtu siç e donte moti, që kish rënë”.  Duke krijuar një lloj metamorfoze të konceptimit të figurës-personazh, nëpërmjet lëvizjeve herë diagonalisht herë horizontalisht, dallojmë disa aspekte në këtë roman:
a)      varinatet e tregimeve (që lidhin njësinë terësore rrëfimtare),
b)      metodologjinë e interpretimit të personazheve,
c)      kontekstin referencial,
d)     konvencioni metaforik (bërthama e ndërtimit romanor) duke kaluar subjektivizmin
vepër/ autor, procesi letrar i ndërtimit të kësaj vepre mbështetet në dy qasje:
-          qasje e brendshme, (lidhja mes emërtimeve të tregimeve),
-          qasja e jashtme, (funksionimi i njësisë tërësore të romanit, në përqaje me  jetën
 shpirtërore të shoqërisë shqiptare).
o   Përmasë e rëndësishme e modelit  rrëfimtar , është shqyrtimi i topikëve: topikët
 ligjërimorë dhe topikët narrativë, dekonstruksioni do të kryhet mbi një modelin e leximi si një  mbishtesë shenjuese duke u bazuar më shumë në topikët funksional, në redin izotopik dhe strukturat përkatëse të kutptimit, se vetë topiku si shenjë, priret të shpërbëhet (Eagleton: 2008).
o   Si model i topikëve ligjërimorë, në formën e shenjave narrative janë; a) elementet
policeske, b) elementet e kronikës, (vrasja/armët) , c) elementet hetimore (ndjekja/arrestimi) etj. Përmes rrëfimit dallojmë disa elemente të romanit policor, zhanër kryesisht  pak i lëvruar në  letërsinë shqipe, (Ismail Kadare) te “Pasardhësi” dhe  (Zija Çela) tek “Ora e zooparkut” etj. Stuktura fabulore ka disa përbërës të romanit policor, si: a) ndodhja e një krimi, b) fshehja e krimit, c) kërkimi i zbardhjes së gjurmëve të krimit, d) kërkohet të gjendet autori, përmes një narratori-investigues etj.
§  elemente të kronikës, (vrasja/armët):
“Gjente shumë gjëra Kurbatka, madje pat nxjerrë në shesh edhe hoxhën që pinte raki fshehtas, edhe kamatarin që shtonte para në fajde. Shumë nuk e donin, të tjerë e urrenin, por që t’ia prisnin grykën… ishte e tepërt”, f. 10, “Kurbatka nuk sheh filxhan”
§  elemenete të identifikimit të armëve:
“Nuk ëhstë thikë as kamë. Është një mjet i prehtë dhe hollak. Them se e kan prerë me brisk”, f.16 , (po aty)
§  elementet hetimore:
“E prera në fytin e Hanifes së Shkozës qe e njëjtë me dy të tjerat. E njëjta dorë, e njëjta befasi ua kishte ndaluar frymën. Di Himës  i vinte plasja që  zëri i tyre nuk e çante dot të përtejmen… ”, f.91, (“Faqen qose  e çjerr brisku”).
§  elementi i arrestimit: 
“-Mos e lër të lëvizë, se erdha shpejt! Po e le, të mora shpirtin !”, f.108, (“Dhimbja është kafaz për zogjtë”).
Autori përmes rrëfimit, përmes (de)kodimit dhe (ç)mitizimit të qytetit, si një përfytytrim apokalitik, se bota njerzore ishte ngërthyer në absurd, vdekje, depresion dhe frikë, heq paralele me  poezisë “Qyteti në depression” (Londo: 2020). Frika, ankthi dhe pandemia botërore, ndryshoj madje edhe sjelljet njerëzore, ca u humanizuan dhe ca të tjerë u (de)humanizuan. Marrëdhënia e jetës me vdekjen sa tokësore aq edhe (për)tejtokësore ndërtohet mbi narrativën mes autorit dhe heroit të tij, si një korrespondencë mes shenjuesit dhe të shënjuarit nuk është e njëjtë me atë lloj korrespondence midis shenjës dhe referencës, sepse e para është produktive në kuptim, ndërsa kjo e fundit është, padyshim, një çështje referimi ndaj të mirë dhe të keqes botërore të bashkëkohësi, kur rrëfehet ngjarja (Mauricie: 1982). Ky lloj tëhuajëzimi, ka një koncept individualist, se individualizmi është konfiguracion ideologjik modern, që ngërthen tërësinë e linjave rrëfimtare, përmes përndjekjes (flama nga minjtë që përndjek qytetarët), përmes katarsisit, (pastrimi përmes vdekjes nga e keqja shoqërore).  Degradimi moral i shoqërisë shqiptare, një shoqëri që ka humbur çdo vlerë humane,  mbushur me imoralitet, mashtrime, shfytëzime, skllavërime, korrupsion, abuzim me lirinë dhe “shthurja” dhe  kalbëzimi shpirtëror i njeriut  të “vogël”, të “vjedhur”, të “nënshtruar” nga zbrastësia e jetës vetmitare, se jashtë krijimit të një  vetëdije puritane, a mund të krijojmë një realitet sui generis, duke patur pavarësinë e ekzistencës personale të pavarur nga vetëdija krijuese me mënyra të esenciales si fenomen sociologjik (Durkhein: 2004). Autori duke sendërtuar, një realitet letrar, historik dhe real, nëpërmjet disa flalëve që përsëriten si motiv të ndërtimit tekstor si: flama, flamëmadhja, kumtmadhi etj., zbraz një realitet të tejngopur me teprica vdekjesh të pafundme, ndaj kryepolici Di Hima, kupton se jeta është dhuratë nga Zoti, se jeta duhet të vazhdojë: “Di Hima qeshi me të madhe. Iu bë sikur kishte mbërritur në një kohë tjetër, me njerëz që sulen rruginave për të shitur, blerë, për t’u njohur, për t’u vrarë, për t’u martuar”, f.111, (“Dhimbja është kafaz për zogjtë”).
Si përfundim: Novela “Flama” që mori çmimin Europin të Letërsisë, për vitin 2021, është një prozë që lexohet me një frymë. Ka një gjuhë aq të thjeshtë, me shumë elemente gjuhësore të një komunikim të përditshmërisë tonë. që djeg, përvëlon, përcëllon…Një metaforë e mrekullueshmë për njeriun shqiptar, që djeg, përvëlon, përcëllon… E tëra një realizëm magjik. Një magji e papërsëritshme.
 
BIBLIOGRAFIA:
 
1.       Bertens, Hans. (2015):  Koncepti i postmodernes, OM, Prishtinë.
2.       Çela , Zija. (2007): Ora e zooparkut, “Toena”, Tiranë.
3.       Dado, Floresha. (2006): Intuitë dhe vetëdije kritike, “Onufri”, Tiranë.
4.       Durkheim, Emile. (2004): Leksione sociologjike, “Plejad”, Tiranë.
5.       Eagleton, Terry. (2008): Literary Theory: An Introduction (Anniversary Edition), Minneapolis: University of Minnesota Press.
6.       Konica, Faik. (2011): Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit, “West Print”, Tiranë.
7.       Kuka, Tom. (2021): Flama, “Pegi”, Tiranë.
8.       Londo, Bardhyl. (2020): Prilli i hidhur, , “Toena”, Tiranë.
9.       Maurice, Blanchot. (1982): The Space of Literature, University of Nebraska Press Lincoln, London.
10.    McLeish, Keneth. (2003): A Guide to Greek Theatre and Drama, London.