Angela Kosta – Rrëfim i botueses Giovanna Scuderi
BOTUESJA DHE PROMOVUESJA ITALIANE GIOVANNA SCUDERI RRËFEN BOTËN QË REZISTON MIDIS RRESHTAVE DHE REALITETIT
NGA ANGELA KOSTA
Giovanna Scuderi është një figurë tashmë e njohur dhe e rrënjosur në rajon, e kujdesshme ndaj etikës dhe së vërtetës. Me projektin e saj editorial “Agorà”, ajo ka krijuar një hapësirë të vërtetë dialogu, ku gazetaria rikthehet të ketë pamjen e saj njerëzore, e afërt me njerëzit. Mes angazhimit civil, pasionit kulturor dhe frymës kritike, pena e saj rrëfen jo vetëm atë që ndodh, por edhe atë që shpesh preferohet të mos shihet.
“Përgjegjësia e gazetarëve është të vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën, edhe kur ajo është jo e rehatshme.”
Si botuese dhe promovuese e një gazete që synon pjesëmarrjen qytetare, reflektimin kolektiv dhe vlerësimin e brezave të rinj, vizioni editorial i saj fokusohet tek përmbajtjet me peshë kulturore dhe shoqërore, me qëllimin për të rikthyer pasqyrimin në letrën e shtypur, duke kapërcyer logjikën e informacionit sipërfaqësor për të përqafuar një dialog të thellë mes ideve, përvojave dhe brezave.
“Një gazetë jeton gjatë nëse pasqyron ëndrrat, frikërat dhe shpresat e atyre që e lexojnë.”
Ndër projektet më domethënëse dhe përfaqësuese të angazhimit të Scuderit, është pa dyshim “Agorà Giovani – Të Rinjtë Hapësirë e Qytetarisë Kulturore dhe Dialogut Ndërbrezor Evropian”, gazetë e cila synon të jetë vend takimi, ballafaqimi dhe pjesëmarrjeje. Vetë emri të kujton agoranë e lashtë greke, ku qytetarët mblidheshin për të diskutuar, për t’u ballafaquar dhe për të vendosur së bashku për fatin e polisit. Në të njëjtën mënyrë, Agorà Giovani synon të jetë një forum bashkëkohor, ku të rinjtë, (dhe jo vetëm ata), gjejnë hapësirë për të shprehur veten, për të propozuar reflektime dhe për t’u përballur me tema aktuale kulturore, shoqërore dhe civile.
“Çdo zë i ri që ngrihet, është një tullë më shumë për të ndërtuar një shoqëri sa më të drejtë.”
"Shtypi nuk duhet vetëm të informojë: duhet të na mësojë edhe të mendojmë".
Falë vizionit të Scuderit, "Agorà Giovani" ka arritur të rikthehet me vrull në tregun e shtypit, duke fituar gjithnjë e më shumë bashkëpunime me intelektualë, autorë të rinj dhe qytetarë të angazhuar. Kjo gjallëri është dëshmia e një etjeje për kulturë dhe dialog, e cila nuk dorëzohet përballë sfidave të informacionit bashkëkohor, por kërkon forma të reja shprehjeje dhe pjesëmarrjeje kolektive.
Gazeta dallohet gjithashtu për dialogun ndërbrezor: nuk kufizohet vetëm në përfshirjen e autorëve të rinj, por ndërton ura midis moshave, përvojave dhe vendeve të ndryshme, duke nxitur shkëmbimin e këndvështrimeve dhe ndërtimin e rrugëve të përbashkëta.
“Dialogu ndër breza është sfida e vërtetë kulturore e kohës sonë.”
“Shtypi i stampuar mund të duket antik, por ruan fuqinë për të ndalur kohën dhe ndezur mendimin.”
"Agorà Giovani" përfaqëson kështu një projekt kulturor që nuk synon informacionin për vetveten, por formimin e një komuniteti që mendon dhe është i përgjegjshëm.
“Çdo fjalë e shkruar është fara e mbjellë në ndërgjegjen e atyre që lexojnë.”
"Kultura nuk është një luks, është detyrë civile.
Që nga lindja e saj nga fundi i viteve ’90, revista ka ndjekur qëllimin për të vlerësuar mendimin kritik, pjesëmarrjen dhe ndërtimin e një qytetarie aktive. Në një epokë të dominuar nga komunikimi digjital dhe shpejtësia e informacionit, "Agorà Giovani" mbron rëndësinë e shtypit të shkruar si një mjet për analizë të thelluar dhe për formimin e opinioneve të ndërgjegjshme. Gazeta nuk kufizohet në tregimin e ngjarjeve, por nxit lexuesit të shohin përtej sipërfaqes, duke propozuar reflektime që vendosin në qendër dinjitetin dhe përgjegjësinë e fjalës.
“Ne nuk shkruajmë për argëtim: ne shkruajmë për të transformuar.”
“Agorà nuk është vetëm një gazetë, por, është një komunitet mendimi që refuzon sipërfaqësoren."
Një nga aspektet më interesante të gazetës "Agorà Giovani" është vëmendja e saj ndaj të rinjve si protagonistë të diskursit kulturor dhe shoqëror. Gazeta i fton brezat e rinj të shprehen përmes artikujve të opinionit, eseve dhe reflektimeve kritike, si dhe të ndajnë ide që mund të shërbejnë si udhërrëfyese për shoqërinë. Në një editorial të fundit, dalin në pah koncepte kyçe si nevoja për të “arsyetuar dhe marrë frymë si komunitet”, duke i ftuar të rinjtë të kapërcejnë horizontin e kufizuar të përditshmërisë për të imagjinuar së bashku një të ardhme sa më të mirë. Giovanna Scuderi është një figurë referuese në botën e botimeve kulturore italiane si pronare e shtëpisë botuese: "Casa Editrice Scuderi" me seli në Avellino. Rruga e saj profesionale karakterizohet nga një angazhim i pandërprerë në promovimin e kulturës, dialogut dhe pjesëmarrjes qytetare përmes shtypit. Vlen të përmendim sërish, që Scuderi i ka kushtuar një vëmendje të veçantë vlerësimit të të rinjve dhe zhvillimit të përmbajtjeve editoriale që nxisin reflektimin kritik dhe qytetarinë aktive.
Është falë vendosmërisë së saj që "Agorà Giovani" ka ruajtur një prani të rëndësishme në peizazhin kulturor, duke propozuar përmbajtje që ndryshojnë nga analiza sociale te reflektimet filozofike, nga dialogu i ndërgjeneratave te promovimi i nismave kulturore. Gazeta, e drejtuar në bashkëpunim me profesionistë të gazetarisë dhe kulturës, ka marrë pjesë në shumë evente, duke konsoliduar identitetin e saj editorial dhe duke tërhequr vëmendjen e një publiku të interesuar për përmbajtje të thella dhe nxitëse. Gjatë viteteve ’90, Scuderi filloi rrugëtimin e saj vizionar editorial me projektin "Agorà", i konceptuar si një hapësirë kulturore në letër, e drejtuar tek të rinjtë dhe dialogu i hapur.
Në vitin 1998, lindi zyrtarisht gazeta periodike "Agorà Giovani – Spazio di Cittadinanza Culturale Europea", e promovuar nga shtëpia botuese - Casa Editrice Scuderi.
Dy vite më vonë, (viti 2000), revista konsolidohet si pikë referimi për përballjen mes të rinjve dhe kulturës klasike, duke ofruar thellime mbi tema qytetare, sociale dhe kulturore.
Gjatë viteve 2015 - 2020, "Agorà Giovani" merr një rinovim grafik dhe tematik, duke u hapur ndaj firmave të autorëve të rinj, pedagogëve dhe intelektualëve. Në vitin 2023, shtëpia e saj botuese, Casa Editrice Scuderi mori pjesë në "Campania Libri Festival", duke e paraqitur "Agorà Giovani" si një projekt kulturor me rëndësi dhe progres. Që nga viti 2024 e deri më sot, Giovanna Scuderi vazhdon të drejtojë revistën dhe të promovojë shpërndarjen e saj në formatin letër, duke riafirmuar shtypin si një mjet të qytetarisë aktive dhe të dialogut kulturor.
Rëndësinë e vizionit të saj editorial, Scuderi e përmbledh përmes fjalëve që reflektojnë filozofinë që e frymëzon projektin “Agorà Giovani”:
“Agorà lind nga nevoja për të ruajtur mendimin dhe për ta ofruar si hapësirë të lirë debati. Besoj në fjalën e shkruar si formë rezistence kulturore dhe si mjet për të ndërtuar qytetari të vetëdijshme.”
Kjo thënie thekson funksionin shoqëror të botimit: jo si një mjet i thjeshtë informimi, por si një vend formimi, përgjegjësie dhe rritjeje kolektive. Për Scuderi, kultura nuk është zbukurim, por një element jetik për ndërtimin e një komuniteti më të drejtë, më pjesëmarrës dhe më reflektues.
Nën udhëheqjen e Giovanna Scuderi, revista jo vetëm që i reziston thjeshtësimit të informacionit, por propozon një kulturë të gjallë, dialoguese, e aftë të vlerësojë të rinjtë dhe t’u ofrojë atyre mjete për të interpretuar të tashmen dhe për të imagjinuar të ardhmen.
Në horizontin e "Agorà Giovani", kultura rikthehet të jetë një faktor i rëndësishëm i kohezionit shoqëror. Së fundmi, promovuesja italiane Scuderi, u jep hapësirë edhe autorëve të huaj për të botuar përmbajtjet e tyre në dy gjuhë: në gjuhën amtare dhe në italisht. Kohët e fundit, edhe unë vetë kam sjellë artikuj në gjuhën italisht-shqip në këtë gazetë të mrekullueshme, duke folur për traditat e vendit tim, krenare dhe e nderuar që jam mes firmave të njohura në fushën e gazetarisë. E gjitha kjo falë Scuderit, e cila të habit me energjinë e saj, me dëshirën për t'u shpërndarë, "fluturuar", edhe atje ku ndonjëherë duket e pamundur.


Moderator 