Robert Shkurti, tregim

Robert Shkurti, tregim
Robert Shkurti - Biografi e shkurtër
 
Robert Shkurti është lindur në qytetin e Durrësit në vitin 1962 dhe banon në Reggio Emilia në Itali që nga viti 1997, së bashku me familjen e tij. Fillimi i tij letrar daton në vitin 2010 me botimin e vëllimit Nën qiellin e shqiponjave (Sotto il cielo delle aquile, Albatros Il Filo), një përmbledhje tregimesh që zhvillohen në Shqipërinë para dhe pas komunizmit, e ribotuar më pas nga shtëpia botuese Besa Muci (Lecce). Në Shqipëri në prozë ka botuar romanet Drejt jetës, Nëdërmjet dy kohëve, Luftë dhe tragjedi në Suharekë, Jetë të pajetuara si dhe dy vëllime me tregime; Udha e shpresës dhe Tregime në dy kohë. Botimi i tij më i fundit është një përmbledhje në prozë me titull “Gojëdhëna popullore dhe fabula për të rritur”. Ndërsa në poezi ka botuar dy vëllime poetike të titulluara Regëtimë deti dhe Ajër shprese. Gjithashtu ka dhe dy vëllime me poezi Haiku të titulluara Psherëtima dallgësh dhe Det i dehur.
Ai ka botuar në gjuhën italiane tre romane, Ndërmjet dy kohëve (Tra due epoche),  Suhareka dhe romanin Vite non vissute (Jetë të pajetuara), me të cilin u paraqit këtë vit në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino. Në vitin 2024 publikoi një përmbledhje tregimesh me titull Çmenduri dashurie (Follia d’amore, Book Sprint Edizioni), që eksploron pasione përfshirëse dhe fatet e ndërthurura të personazheve.
Një botim i rëndësishëm i tij është një përmbledhje poetike dygjuhëshe, në italisht dhe anglisht, me titull Longing for the Sea – Nostalgia del mare, e përkthyer nën kujdesin e Institutit të Studimeve të Larta Gjuhësore Carlo Bo të Bolonjës dhe e botuar në “Kufij të Tjerë” (Altre Frontiere).
Dy nga vëllimet e tij poetike janë përkthyer gjithashtu në gjuhën rumune.
..........................................
Tregim
 
NË DHOMËN E HESHTUR TË HOTELIT
 
Ora shënonte tetë e dhjetë minuta kur Fabio Petiti ndaloi makinën përpara hotelit “Europa”. Kishte lënë pas qytetin e tij rreth orës gjashtë të mëngjesit dhe, pas një udhëtimi prej afro dyqind e njëzet kilometrash, ndodhej tashmë në një qytet verior të Italisë. E gjitha për një takim me një grua. E kishin lënë të shiheshin rreth orës tetë e tridhjetë.
Ndërsa priste, nisi të bënte ecejake në trotuarin anës hotelit. Minutat rridhnin ngadalë, e ajo ende nuk po dukej. Një hije dyshimi ia përshkoi mendjen. Nxorri celularin dhe formoi numrin e saj. Pas disa sekondash, zëri i saj u dëgjua në anën tjetër të linjës.
– Alo! Fabio! Erdha. Për dhjetë minuta jam aty!
– Okej, po të pres. Jam para hotelit, – i tha, i lehtësuar.
E futi celularin në xhep dhe vazhdoi të shëtiste nervozisht. Pas pak ndjeu një shqetësim të papritur – një nevojë urgjente për të shkuar në banjë. Nuk donte të ndodhej në ndonjë situatë të sikletshme gjatë takimit me të. Hodhi sytë përreth dhe vuri re një lokal përballë hotelit. U nis me nxitim drejt tij, por për fat të keq, lokali ishte i mbyllur.
Pa bërë zë, vazhdoi më tej. Pak më larg, një tjetër lokal. Hyri brenda, me shpresën se do të gjente pak qetësi përpara një takimi që kishte pritur gjatë.
– Një kafe, ju lutem, – iu drejtua me zë të qetë gruas pas banakut.
– Menjëherë, – ia ktheu ajo, me një buzëqeshje të shpejtë.
– Zonjë, a do të ishte e mundur të përdorja banjën?
– Po, sigurisht. Është në fund të lokalit, – ia tha me një mirësjellje të ngrohtë, duke i treguar drejtimin me dorë.
– Faleminderit! – u shpreh Fabio dhe u nis me nxitim drejt banjës.
Kur u kthye, e gjeti kafen të vendosur mbi banak. E piu me një të rrufitur të shpejtë, pagoi dhe doli menjëherë, si të donte të rikthehej sa më parë në vendin e takimit. Pas pak çastesh, ishte sërish para hotelit. Vështrimi i tij përshkoi trotuarin, rrugën, hyrjen... askush. Asnjë shenjë prej saj. Ora po afronte nëntën. E përshkoi një ndjesi pasigurie. “Ndoshta nuk vjen,” - tha me vete, dhe zemra i mori një tjetër ritëm.
Asnjëherë nuk ishin takuar më parë. Njohja e tyre kishte lindur në mënyrë të rastësishme, në rrjetet sociale – fillimisht në Facebook, pastaj një bisedë në Skype, dhe më pas një shkëmbim i përditshëm mesazhesh në Messenger. Që të dy ishin të martuar, pothuajse bashkëmoshatarë, në të pesëdhjetat. Ajo kishte një djalë; ai, djalë e vajzë.
Fiorela, kështu e quhej ajo, i kishte rrëfyer shpesh pakënaqësinë e saj të thellë me të shoqin. Nuk e ndjente më veten në petkat e gruas. Jeta, në vend që t’i sillte gëzime, udhëtime, festa e kujtime me miq, ishte shndërruar në një terr monoton që thellohej përditë. As edhe një dhuratë për ditëlindje nuk kishte marrë ndonjëherë prej tij. Këtë, ajo nuk do ta falte kurrë.
Fabioja ishte pak më ndryshe. Jetesa me të shoqen ecte pa trazira, por lidhja e krijuar me Fiorelën e kishte përfshirë në një emocion të ri. E konsideronte diçka kalimtare, një përjetim i çastit. Një ditë, kishte guxuar t’i propozonte një takim, dhe ajo e kishte pranuar pa hezitim. E sot ishte dita e premtuar.
Dhe më në fund, ajo u shfaq.
Duke ecur lehtë mbi trotuar, ajo afrohej me një hijeshi të natyrshme. Fustani në ngjyrë qumështi e përqafonte butësisht trupin e saj. Sandalet e bardha me taka të larta e bënin të dukej më elegante. Flokët e zinj, të shkurtër e të ndarë me kujdes, i rrethonin fytyrën zeshkane që rrezatonte diçka ndryshe. Buzët e lyer me rozë i jepnin një hijeshi të butë e të ndrojtur.
U përqafuan me ngrohtësinë e dy njerëzve që sikur njiheshin prej kohësh, edhe pse kjo ishte hera e parë që takoheshin, që shiheshin sy më sy.
– Më fal për vonesën. Më doli diçka e papritur, – u justifikua ajo me zë të butë.
– S’ka problem, – u përgjigj ai, me një buzëqeshje që i shkriu tensionin.
– A pimë një kafe? – propozoi ajo.
– Pse jo? – ia ktheu ai dhe e udhëhoqi drejt lokalit ku kishte qenë pak më parë.
Ai porositi një kafe për të dhe një “San Bitter” me akull për vete. Zgjodhën një tavolinë jashtë, nën hijen e një çadre të bardhë. Ndërsa ajo pinte me ngadalë kafenë, ai e vështronte në heshtje, duke e përtypur me sy. Gjoksi i saj dukej pak më i theksuar nën fustan dhe lëkura me nuancë çokollate i jepte një magjepsje të padiskutueshme. Kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga pushimet në Sarzanë, në bregdetin e Ligurias. Ai ndjeu një dridhje të brendshme. Mezi priste të ngjiteshin në dhomë.
Kur ajo e mbaroi kafen, ai e piu fundin e gotës së tij, pa pritur që akulli të shkrihej.
U ngritën.
Në sportelin e hotelit, një vajzë e re, jo më shumë se njëzet e pesë vjeç, i priti me një buzëqeshje të përmbajtur.
“Kam rezervuar një dhomë deri në mesditë”, - i tha Fiorela dhe i paraqiti kartën e identitetit.
Fabioja qëndronte disi i tërhequr, duke ndjekur me një indiferencë të përmbajtur dialogun mes Fiorelës dhe sportelistes. Ishte një burrë në moshë të pjekur, me shtat mesatar e një bark të lehtë që dëshmonte për vitet që kishin kaluar pa ndalesë. Flokët, ende të dendura, kishin filluar të zbardheshin dhe ai i mbante me kujdes. Syzet me skelet të hollë i jepnin një pamje intelektuale. Kohët e fundit kishte lënë edhe mjekër – një detaj në modë, që ia shtonte pamjen serioze, thuajse filozofike. Fytyra i ishte e qartë, me një hundë të rregullt dhe buzë të holla, të mbuluara pjesërisht nga mustaqet. Pavarësisht viteve, ende ruante një magnetizëm burrëror.
Pasi përfundoi regjistrimi, sportelistja doli nga banaku me çelësin në dorë. Dhoma ndodhej përballë sportelit, në katin përdhes. Me një ton të kujdesshëm, vajza u tregoi dritat, përdorimin e kondicionerit dhe dushit, më pas, me një buzëqeshje të lehtë që zbulonte një ndjenjë të përmbajtur zilie, u tërhoq dhe i la vetëm.
Dhoma ishte e bollshme dhe e ndriçuar butë. Krevati martesor qëndronte në qendër, i mbuluar me një mbulesë jeshile të errët, zbukuruar me motive delikate. Përreth tij, një komo me pasqyrë, dy komodina me abazhurë të vegjël dhe një ndjenjë qetësie që e ftonte mendjen të shkëputej nga gjithçka përtej mureve.
Fabioja u afrua te dritarja dhe mbylli perden e rëndë. Një fije drite u fut përmes copës, duke i dhënë dhomës një nuancë gjysmëerrësire intime. E pa Fiorelën me kujdes. Diçka në sjelljen e saj e tradhtonte pasigurinë. Edhe më parë, teksa fliste me sportelisten, i kishte vënë re nervozizmin që përpiqej ta fshihte pas fjalëve të zakonshme.
Ai hoqi syzet, i la mbi komonë dhe, pa thënë asgjë, u afrua. I hoqi ngadalë këmishën dhe e vendosi mbi një karrige. Më pas, e mbështolli Fiorelën me krahët e tij, sikur të donte ta mbrojë nga çdo dyshim. E mori fytyrën e saj në duart e veta dhe e puthi me një butësi që kaloi shpejt në zjarr. Trupat e tyre nisën të afrohen natyrshëm, si dy shpirtra që kishin kohë që e kërkonin njëri-tjetrin.
Ajo e la fustanin t’i rrëshqasë nga supet, dhe pak çaste më vonë, të dy qëndronin të zhveshur, përballë njëri-tjetrit – të ngatërruar në një përqafim të ngrohtë e të përzier mes turpit, dëshirës dhe ndjenjës së lirisë.
– Çfarë ke? – e pyeti ai, kur pa se ajo po dridhej paksa.
Ajo tundi kokën, pa fjalë.
Fabio e kuptoi. E tërhoqi pranë vetes dhe i foli me një zë të ulët, të ngrohtë:
– Mos mendo për askënd tjetër. Këtu jemi vetëm ne të dy. Le të jetojmë këtë çast si të ishte i vetmi.
Ajo pohoi lehtë me kokë. U shtrinë mbi krevat, duke i lënë pas mendimet. Fabioja nisi t’i lëvizë duart butë mbi trupin e saj, si të donte të mbante mend çdo vijë, çdo prekje. Lëkura e saj ngjyrë çokollate ishte e butë si mëndafsh dhe çdo detaj i saj ngjallte ndjesi të thella.
Ai e vështroi me vëmendje. Trupi i saj ishte i rregullt, barku i sheshtë, beli i hollë, këmbët e gjata dhe të formësuara. E kishte ndjerë këtë që në fillim, por tani, përballë saj pa petka, gjithçka i dukej më e bukur.
U afrua ngadalë, si një puthje mbi kohën që u kishte munguar. Ata u dorëzuan njëri-tjetrit pa fjalë, në një intimitet që nuk kërkonte sqarime.
Ai u ngrit mbi gjunjë dhe me një lëvizje të butë kaloi trupin përmbi të sajin, si një hije që përkëdhel ngadalë dritën. Trupat e tyre u përputhën natyrshëm, si dy pjesë që i përkasin një mozaiku të humbur prej kohësh. Në ajër ndjehej një tension i qetë, një lloj dridhjeje që vinte nga brenda dhe që nuk kishte nevojë për fjalë.
Puthjet nisën si gjurmë mbi lëkurë, si kujtime të sapolindura. Ai i kaloi dorën ngadalë mbi trupin, jo me nxitim, por me kujdesin e atij që e di se çfarë kërkon. Ajo u drodh lehtë, jo nga frika, por nga një ndjenjë që nuk e kishte përjetuar prej kohësh – një ndjenjë e vërtetë përkatësie.
Dhe pastaj, pa fjalë, u bënë një.
Ai e vështroi në fytyrë. Sytë e saj ishin mbyllur, por fytyra fliste: fliste me muskujt që dridheshin, me ofshamat e buta që shpërthenin pa u kuptuar. Ai ndjente se ishte aty jo për të mbushur një zbrazëti, por për të rikthyer diçka që ajo kishte humbur dikur: ndjesinë e të qenit e dëshiruar, femër.
Lëvizjet e tyre u bënë një ritëm i brendshëm, një muzikë që vetëm ata mund ta dëgjonin. Ajo i pëshpëriste ngadalë, e mbështjellë nga dëshira dhe përjetimi. Ai e ndjente trupin e saj që përgjigjej, që kërkonte më shumë, që i hapej si një ftesë e heshtur për të mos ndalur.
Pas një çasti të gjatë përqafimi, trupi i tij u shkëput lehtë. Frymëmarrja ishte thelluar. Ajri i freskët i kondicionerit i përkëdhelte shpinën, si një kujtim i realitetit jashtë dhomës. E megjithatë, edhe ai u kthye përsëri tek ajo – si një rikthim te i njëjti burim.
Bashkimi i tyre zgjati ende pak çaste, të ngadalta dhe të ngrohta, derisa një valë e fundit i përfshiu të dy njëkohësisht. Pastaj mbetën të shtrirë, të heshtur, me shikimin ngulur në tavan – si dy njerëz që kanë kaluar një urë dhe nuk janë të sigurt se ku ndodhen.
– U kënaqe? – pyeti ai pas pak, me një zë të ulët, thuajse fëmijëror.
– Shumë... – ia ktheu ajo, dhe u kthye nga ai. Filloi ta përkëdhelte me gishtat në gjoks, si për ta mbajtur ende aty, brenda këtij çasti.
Ai u ngrit dhe shkoi në banjë. Dushi i ngrohtë rridhte mbi trupin e tij, duke e larë jo vetëm nga djersa, por edhe nga gjithçka që kishte qenë jashtë asaj dhome. U fshi shpejt dhe doli. E gjeti ende të shtrirë, e qetë, por me një dritë të re në sy. E pa, dhe pa e menduar gjatë, u përkul sërish mbi të – kësaj here me një dëshirë që vinte më shumë nga shpirti sesa nga trupi.
Koha po përfundonte. Mesdita po afronte. Ata duhet të largoheshin. Por ai ndjente se kishte bërë atë që i kishte premtuar dikur në një ekran të vogël mesazhi: "Do të të bëj të ndihesh grua. E gjallë."
– Hë, si t’u duk? Isha i mirë? – e pyeti përsëri me një ton që ishte sa lozonjar, aq edhe i pasigurt.
– Ti je… i jashtëzakonshëm. Kurrë nuk kam ndier një ndjesi të tillë. – ia ktheu ajo, dhe e puthi butë, në sy, në ballë, në faqe.
Por pastaj, si një re e papritur që mbulon një qiell të kthjellët, i erdhi në mendje i shoqi. "E tradhtova… më në fund."
Një fjali e shkurtër, që ra si gur në një liqen të qetë.
"E meritonte!" – tha me vete, me një zë të brendshëm që ngjante më shumë me një vetëdije që ishte zgjuar papritur nga një gjumë i gjatë. “Le të merret me skedinat dhe lotot që i shterojnë rrogën e përmuajshme, si një lumë që derdhet kot në një shtrirje të thatë. Le të dalë me shokët, të pijë fundjavave e të harrojë se në shtëpi e pret një grua që ka kohë që nuk ndjehet më grua.”
Një ndjenjë hakmarrjeje i përshkoi gjoksin si një zjarr vere në pyllin e etur. Ishte një ndjesi çliruese, e egër, por njerëzore. Për herë të parë pas shumë vitesh, e ndjeu veten të gjallë. Jo më një hije që endet nga puna në shtëpi dhe nga shtëpia në punë, por një qenie që merr frymë me ritmin e saj, me dëshirat dhe nevojat e veta.
Ajri i dhomës iu duk më i lehtë. Frymëmarrja, më e plotë. Rrahjet e zemrës, më të qeta, si një melodi që kishte kohë që nuk e dëgjonte. Sytë i ndriçuan, si dikur, në vitet kur gjithçka dukej e mundshme. Trupi iu bë i lehtë, mendja më e kthjellët. “Po tani?” – pyeti veten, – “Do të jetë si më parë? A do të ndryshojë gjë?”
Nuk ndjeu faj. Vetëm çudi: sa kohë kishte kaluar pa përjetuar një prekje, një ndjesi, një gjurmë që t’i kujtonte se ishte ende grua? Pesë muaj? Gjashtë? Mbase më shumë.
“Nuk jam as e para, as e fundit,” – i tha vetes me një bindje të qetë. – “Ka sa të duash që i ngushton jeta, e pastaj gjejnë një cep ku të marrin frymë.” E pushtoi një ndjesi e qartë: jeta nuk kishte mbaruar. Ajo vazhdonte, dinte të befasonte, madje edhe në një dhomë të thjeshtë, të heshtur hoteli, në një mëngjes të zakonshëm vere.
Burri që qëndronte pranë saj, i panjohur deri pak orë më parë, i kujtoi me heshtjen dhe praninë e tij se kishte ende dritë përtej grisë së ditëve të saj. Ai u bë për të një udhë që nuk e kishte zbuluar më parë, një shteg i papritur drejt vetvetes.
Kur dolën nga hoteli, u ndanë me qetësinë e dy të panjohurve që rrugëtimi i jetës i kishte përplasur për një çast, si fletë që përplasen për pak në një cep rruge dhe më pas ndahen, secila në drejtimin e vet. Një puthje e lehtë në buzë, aq sa për të lënë një shenjë, një gjurmë të pashlyeshme, një falënderim pa fjalë.
Askush nuk i njohu. Askush nuk i vuri re. Dhe ajo nuk kishte pse të ndjente frikë. Eci përpara me një buzëqeshje të lehtë në buzë dhe me paqen e një gruaje që kishte rigjetur për pak çaste veten që kishte humbur ndër vite.
Shtator 2018