Ilirian Dahri - HAMBAR DASHURIE

Ilirian Dahri - HAMBAR DASHURIE
HAMBAR DASHURIE
 
Në lëmin mbushur kapicë me
ngjarje, me biseda dhe mbresa,
vërtiten kujtimet e pashlyeshme,
dhe pahu i fjalës tënde të urtë
dhe të artë, si kallëzat e grurit.

S'e di. Por thellë-thellë e ndjej,
që e ke dhe të mundon, që të ha
dhe të bren, ai lloj dyshimi. Ende
ai lloj shqetësimi atëror. Ai dert,
që n’Tokë të ha e n’Qiell të tret.

Prehu i qetë! Tanimë prej vitesh
arrijmë të ndajmë egjrën e zezë
prej grurit, duke u kujdesur që
mes mokrave ta bluajmë hollë,
ashtu si fjalët e tua të mençura.

Hiqi dyshimet! Sepse ne tani,
flasim e ecim shtruar si ty, kemi
të njëjtën kollë para qortimit, të
njëjtën të qeshur ngazëllimi, të
njëjtën ngrohtësi të përqafimit.

Por kurrë si ti. Ti je ende ai fari,
që ndriçon, pulson dhe i orienton
jetët tona, kur deti është i trazuar,
duke i bregëzuar në portin e qetë,
aty ku urtësi atërore rri ankoruar.

Të mendoj atje “në arën e madhe”,
ku era luhat çdo kallëz verdhane,,
dhe m'duket se çdonjëra prej tyre,
tundet si një përshëndetje, ndërsa
valëzimi ngjan me një përqafim.

Që nuk është vetëm për ne, katër
fëmijët e tu, por dhe për ata nipër
e mbesa. Për këta fëmijët tanë, që
u shpjegojmë, se nënat janë nëna,
porse me babin, ne e kishim grurë.

Oh! Pikërisht si ajo kokërr gruri,
që përpara se të mbijë në pranverë,
mardh aty thellë, në tokën e ngrirë
të dimrit. Atje, në vdekje dhe hije.
Dhe ngadhënjen. Në Jetë e Dritë.

Tani ndodhesh në të madhen arë.
I shtrenjti ynë me zemrën hambar.