Cikël me poezi nga Panajot Boli

Cikël me poezi nga Panajot  Boli
ËSHTË MALLI  I SAJ
 
Pranë oxhakut, natës së ftohtë, ndihem mirë
Me ngrohtësinë e ëmbël, më fantazinë e lirë.
 
Pse bubullon? Kuvendon? Jo, nuk e kuptoj
Kërcet...Grindet me vete? Nuk e deshifroj
 
Ndodh ca sekonda me shushurimë të këndoj
Thoshte gjyshi im: Dikush po të mban në gojë.
 
Patjetër është ajo. Oxhaku, ekrani i celularit
Me ngjyrën e prushit dhe me germat e zjarrit.
 
Pranë oxhakut ngrohem ndihem mirë shumë
Me deh e më zalis ëmbëlsia, kotem për gjumë.
 
Si erdhi kaq shpejt ajo? Më afrohet kaq pranë
Hap sytë.. Oxhaku është aty, bubullon e ofshan
 
Ky oxhaku sonte, nuk është prush, flakë e valë
Është malli i saj që digjet ..Digjet dalëngadalë
 
POEZIA
 
Ndodh të më akullnohet shpirti
Dhe natyrën ma bën bardhëzi
Ma rrokullis diellin mes mjegullës
M’i mpin krejt buzët kur puth ti.
 
Agu çlodhet nën një pemë kërcu
Sytë e tu po rigojnë indiferencë
Lulet fshihen, humbasin ngjyrën
Melankolia pickon  si një ngrencë
 
Kaltërsinë i vodhi edhe lumit tim
Në breg ngela si murg i vetmuar
Ca zogj seç më thonë nga repet
Ilaçi i trishtimit, shpirti i vargëzuar
 
Më zgjon Orfeu, këngëtari i madh
Pranë më ulet e më këngë më deh
Si gota vere i kthej me fund vargjet
Vijnë ngjyrat, dita qesh, shpirti rreh
 
ENDËRROJA LIQENIN
 
Kur sytë e mi takuan  befas një ditë dashurinë
Për një liqen të bukur filluan të ëndërronin
Sorkadhen të shihja natën tek  po vjen për ujë
E nositët në të gdhirë, tek e puthnin, ta zgjonin
 
Kur sytë e mi takuan befas  një ditë dashurinë
Si në legjendë shpirti buroi e ngriti një liqen
Mes një pylli magjik, diku, në Bjeshkët e larta
Të lajnë Zanat pulpat e bardha, natën me hënë
 
Kur sytë e mi takuan befas  një ditë dashurinë
Ty të ëndërrova si Neraida hyjneshë e liqenit
Shpeshherë i gdhijë netët, si gjahtari sorkadhen
Dhe dridhem.. sikur dëgjoj fishkëllimën e trenit
 
Kur sytë e mi takuan befas  një ditë dashurinë
Liqenin tim të kaltër e ëndërrova si stacion treni
Një fishkëllimë e tij e lehtë, si psherëtimë shpirti
E ti, nga uji del e në krahë me valët më rrëmbeni
 
VAJZAT E FSHATIT TIM
 
Më mallëngjen shpesh kur këndojnë thëllëzat
Mbi shkëmbinjtë e fshatit tim, të hirtë, të vesuar
Herë si këngë lirike, herë si balada të trishtuara
Që kopsitin imazhin idilik, xhaketës së ylbërsuar
 
Me xhaketën e ylbërsuar na zileps ky fshati im
Me dorën e vjeshtës qëndis një pikturë mrekulli
Në mbrëmje na shfaq peisazhe flori të perëndimit
Në të gdhirë fton Esesinin të shijoj agimin magji.
 
Nga na u fanit ky poet bukurosh, që na buzëqesh
Me kaçurrelat bjonde që i tund flladi i fshatit tim
-Shpirti im i gatuar me erë trëndeline të ugareve
Me agun e roztë, e me sytë e vajzave në lumturim.
 
Në Bogaz* e priti lindjen e diellit poeti i dalldisur
Në lëndinë u shtri e nisi të kuvendojë me fluturat
Tanushën e bukur e uli mbi gjunjë e i foli në vesh
Vajzat e këtij fshati, shpirti im, janë me të bukurat
-----------------------
*Bogaz-toponim i fshatit tim
 
KUR JEMI KAQ LARG
 
Këtu,
Më ngushëllon dielli, nga qielli blu
Atje,
Vjen hëna në gjumë, të puth sytë e tu
 
Këtu është ditë, aty është natë
Shaj e grindem me oqeanin e gjatë
 
Këtu,
Hëna me yjet, më trembin vetminë
Atje,
Dielli në shami, ta shpalos dashurinë
 
Këtu është natë , atje është ditë
Hëna me diellin, na mbajnë me dritë
 
E KËRKOJ NË KOPSHTIN E ENDRRAVE
 
Hëna më tha fshehurazi
-Ajo është në kopshtin e ëndrrave
Lulet e bën princeshë
E yjet flertojnë me të.
 
E lumtur ajo kalëron
Në udhët e dashurisë
Me frerin lëshuar
Me suitën e yjeve shoqëruar
 
Aty e ke, më thotë hëna
 
Si në përralla kërkoj kruan,
Kruan  me ujin magjik
Ku pinë ujë lulet e kopshtit të ëndrrave
Ndofta e gjej aty
Duke njomur buzët
 
Aty e ke , më thotë hëna
 
E kërkoj...
Ndofta është në lagjen e trëndafilave
 
Një trëndafil i bardhë zgjat buzët të më puth
-Jam këtu.....
Zgjas dorën ta kap
S’më lenë petalet e trëndafilit të kuq
Më përqafojnë
-Jam këtu...
Zgjas dorën ta kap
Të verdhat më pushtojnë duart
-Jam këtu...
 
-Jam këtu....jehonë e ëmbël e trëndafilave
Më josh..
 
Aty e ke, më thotë hëna
 
Prapë endem..
 
E shoh te lagjia e luleve me ngjyra
Një luledele mban në dorë
-Jam këtu...
Zgjas dorën ta kap
..Bëhet ylber
 
Aty e ke , më thotë hëna
 
Dihat...gulçoj
 
Pak aromë kërkoj te lagjia e Jaseminëve
Të liroj kraharorin
-Jam këtu...
Zgjas dorën të më hedh ca pika
Si lëngun magjik të Nererncës
Të Shtrigës në përrallë.
 
Aty e ke, më thotë hëna
 
E kërkoj në kopshtin e ëndrrave....
Si djaloshi të Bukurën e dheut.