Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
UDHËTUAM NJËZET ORË DERI NË KUFI
Bukurie Sopa, klasa VI-2
Shkolla fillore “Emin Duraku”, - Kaçanik
Vendlindja ime ku kam lindur është shumë e bukur, por nga okupatori serb u detyruam që t'i braktisim shtëpitë tona.
Më 21 shkurt 1999 në Han të Elezit në mbrëmje civilët serbë, me dy automjete ngjyrë të zezë pa regjistrim thirrën kryefamiljarin e një shtëpie, Gafur Lokun. Ai doli jashtë oborrit, ku e prisnin serbët, të cilët me forcë tentonin ta fusnin në automjetin e tyre. Në atë çast djali i tij Dritoni, del jashtë ta sheh të atin. Ata qëllojnë dhe të dytë i lanë të vrarë, babë e bir, Gafur Lokun dhe djalin e tij, Dritonin.
Më 26 shkurt 1999 ishte mbushur një vit nga fillimi i luftës së Drenicës. Atë ditë në Grykë të Kaçanikut filloi lufta, në fshatin Puset e Nikës. Këmbësoria serbe vrau fshatarë të pafajshëm, të rinjtë, pleqtë e kafshë, gjithçka të gjallë që gjeten në rrugë.
Në fshatin Gajre të Kaçanikut më 23 mars policia serbe i plaçkit dhe pastaj djeg shtëpitë. Sulmet në komunën e Kaçanikut filluan më 24 mars, kur forcat e NATO-s sulmuan caqet serbe. Atë natë në Kaçanik u ndërpre rryma, të gjithë qytetarët e kësaj komune natën
e kaluan në ankth të madh.
Më 29 mars ishte djegur tregu, forcat serbe nga stacioni policor vrasin disa njerëz, kurse të shtunën sulmojnë tërë ditën. Të dielën forcat serbe vranë 20 persona të pafajshëm. Atë ditë ishte Bajram, ndër të tjerë vranë edhe Dr. Blerim Demën në barnatoren e tij.
Më 31 mars 1999, e gjithë qyteza e Kaçanikut kishim dalur në mal me familje. Shumë u mërzita, sepse e lashë vendlindjen time dhe frikësoheshim se do të na ndodhë ndonjë masakër.
Binte shi dhe koha ishte e ftohtë. Fëmijët qanin nga uria, kërkonin qumësht, bukë, ujë... Nuk kishim ushqim të mjaftueshëm, ishim shumë të uritur dhe të frikësuar.
Kjo ditë për komunën e Kaçanikut ishte e tmerrshme. Gjëmonin topat, digjeshin shtëpitë nga granatimet e forcave policore e ushtarake serbe. Ishte tmerr i paparë!...