Astrit LULAJ – Cikël poetik (Përgatiti Angela Kosta)

1.
GRUAJA QË S'MË DESHI
Dashurinë e vërtetë e kupton shumë vonë,
atëherë kur pandeh se di mjaft për dashurinë.
Kur ç'ke jetuar më parë në çast e harron,
papritmas, përjeton një rini të dytë...
Një të tillë dashuri ma mësoi një grua
që si për çudi, mua nuk më deshi.
Sa afër dhe larg më mbajti, më bëri të vuaj,
s'pranoi njëherë të ishte në konflikt interesi.
Nuk ishte etike dhe kjo s'do shumë mendë,
një mësuese të dashurohet me nxënësin e saj.
Më mësoi se dashuria është gëzim dhe brengë,
mëkatarja më e madhe dhe shenjtore pa faj.
Si pa dashur, poet të dashurisë më bëri kjo grua,
poezia filloi të ligjëronte për një dashuri pa kusht
në çast rrëzoheshin e ringriheshin mijëra ura,
gushti kthehej në janar dhe janari në gusht...
Ma mësoi dashurinë një grua që s'më deshi,
nga të paditur të dashurisë, më bëri "më burrë",
i dashuruar duhej të mbetej brenda meje poeti
që ajo, dashuria, të mos vdiste kurrë...
Si kurorë mbi vargjet qëndron përherë një grua,
ajo e gjykon, ajo ja shenjtëron fjalën poetit.
S'arrita dot ta josh, pas poezisë mbet` dashuruar,
dhe pse asaj i shkruaj, s`më deshi që s`më deshi.
2.
SI TË HARROVA MOJ NËNË
Tërë natën mund të lërë pa gjumë një hall
që ditën të lodhi e nuk mjaftoi ta zgjidhësh.
Patjetër, pagjumësia e ka një shkak,
për shembull: temperatura e lartë e fëmijës.
Pa gjumë mund të qëndrosh një nate në festë
harrohesh pas gëzimit, lodron me të tjerë.
gjithë kohës "esëll", njëra pas tjetrës gotat i kthen
sa agu të duket muzg, të dehur gjumi të merr.
Mund të rastisë mes gjumit të zgjohesh,
mos të mbyllësh më sy gjer në mëngjes.
I trembur, nxitimthi prej shtratit të çohesh,
një ëndërr e keqe ta pret gjumin në mes...
Më e keqja është të rrish zgjuar "pa shkak",
më e rralla ndër netët që pa gjumë të kanë lënë.
Kujtohesh sapo telefonin sheh kur zbardh
e psherëtin i dërmuar: Si të harrova moj nënë!
Dhe nëna nuk fle pa të dëgjuar zërin më parë,
je larg , e prej merakut për ty pret një thirrje,
ta dish, nëse nuk flet me të, e gdhinë atë natë
gjithë ankth pret telefonin t'i tingëllojë një zile.
Faljet e tua i kalon lehtë e vazhdon të llastojë:
"Ke punë biri im dhe hallet s'të lënë. S'ke faj.."
Në çast ti bëhesh me krahë, drejt saj fluturon,
ta rrokësh përqafe, t'i puthësh dy duart e saj.
PERËNDIM I TRISHT
Asgjë të bukur nuk i pashë këtij perëndimi,
veç detit që mbushi boshllëkun e tij
me një diell të vrarë dhe pa sqimë
dhe me nxitim grykësije,
e gëlltiti,
nën retë e pluhurit dhe mjegullës që sapo ra.
Për t'a zbukuruar më shumë këtë çast,
i fala kohën,
e prita
e në fund i dhashë diçka prej shpirtit,
vargjet e mia.
Ato binin butë, të trishta,
pasi nuk di në ç'hon shpirti më ra.
Nuk mund të ishin ndryshe këto radhë,
nën këtë peisazh pluhur ranor, gri,
pa ngjyrë të kaltër,
përzier me të artën,
pa diell, pa qiell e det të kthjellët,
të pastër, të qartë,
pa dashuri.
Po nesër? Ah, nesër..!
Nuk mund të jem i qetë sa ta shoh
ndryshe një perëndim.
Patjetër,
sërish dhe nesër do ta pres të vijë.
PAK DRITË NË KËTË NATË
Si i lamë ne hënat të iknin radhë-radhë,
nën ombrellë yjesh, nën qiell te kaltër?!
Në ç’botë të errët zhytëm vehten vallë,
humbëm pa kuptuar ëndrrën tonë të kaltër?!
Si gur përmbi gjoks e shkuara na rëndon,
s’mjafton ti thuash vehtes ”u bë ç’ishte thënë”
dhimbshëm, përbrënda, një klithmë vaj rënkon:
Ah,të paudhët çfarë na bënë!
Kur ne deshëm fjalën, gojën na e mbyllën,
sapo ne pamë qiellin, na i prenë dhe krahët,
na thanë “jeto jetën”, por na morën frymën,
na e vodhën dritën e na lanë veç natën.
Tani ecim muzgjesh, gjatë në errësirë,
ku të feks një yll, ku bën dritë një hënë,
lodhur rrugës së gjatë, zemra psherëtin:
Ah,mor faqezinj, ç’nënë ju paska bërë!
Edhe pse të lodhur, s’ramë prej dëshpërimit,
edhe shpirtplagosur, kurrë nuk u dorëzuam,
se e dimë, do të vijë dhe dita e ndëshkimit,
pak është zjarri i ferrit për t’ju përvëluar.
Si i lamë hënat të iknin me radhë,
humbi pa kuptuar dhe ëndrra e kaltër...!
NUK MUND TA HARROJA
Më duhej ta harroja,
për t'i shpëtuar dhimbjes.
Kujtimi i saj më bënte të pashpresë.
Por, ajo ndriçonte edhe nën rrënoja
me një dritë të ngrohtë pafajësie.
Në rrënojat e shkaktuara nga unë, vetë.
I harrova flokët e artë, të butë,
humba flladin përkëdhelës të erës
dhe pesha e ajrit frymën ma mori.
I harrova ballin, vetullat dhe sytë,
humba ylberët në pikën e vesës,
netëve më kot prisja një shkëndijë meteori,
se qielli, pa hënë e pa yje, në errësirë u zhyt.
I harrova buzēt, puthjen, aromën e kurmit,
qeshjen si drita e diellit, zërin e ngrohtë.
Prej kujtimeve, gati-gati, e harrova në gjithçka.
U bëra njeri pa kujtesë që zgjohet prej gjumit
pa ndonjë shije, pa ndonjë aromë
dhe kopshti i bukur i shpirtit mu zbraz.
Me harresën time,
trëndafilat, harruan të çelnin
zogjtë harruan këngën e mëngjesit.
U përpoqa ta harroja për t'i shpëtuar dhimbjes
e dhimbja, brenda meje, bëhej më e fortë.
Pa kujtimin e saj, si njeri i padukshëm, në hije,
mund të rroja,
por s'mund të jetoja dot...
Në fund, u dorëzova, nuk mund ta harroja...