POEZI NGA BUKURIE MALOKU
SHIU BIE...
Shiu bie mrekullisht sonte
i bekuar dhe i paqtë
ligjëron qetësisht
si një shatërvan magjepsës
vizatohet hijshëm tek unë tek ti.
Tërësia relaksuese më pasuron shpirtin
dhe derdhet pafundësisht i artë porsi flori
ky shi më çon në një botë mbretërore
në flatrat e tij thellësisht më ka strehuar
dhe kjo forcë magjike që mbretëron sonte
të tërë qenien time këtë natë e ka pushtuar.
Befas zhytem në shtepizën e një gjumi të ëmbël
nëpër ëndrra përrallore vazhdoj të meditoj
dhe ky shi i artë do të bjerë shumë gjatë
shumë gjatë...
MË PRANË ZOTIT
Po ndiej tingujt hyjnorë të fjalës tënde ndriçuese
që burojnë tek unë si një nektar diellor
dhe shpirtin ma qetësojnë.
Peisazhi i ylbertë i paqes
më mbush me dritë
dhe më gjallëron në çdo qelizë të trupit tim
në çdo hap që hedh
më mbulojnë bekimet e tua të arta
që më lumturojnë pafundësisht
dashuria që më fal.
O zot!
Më jep krahë që ndriçojnë tek unë perjetësisht
çdo fjalë është burim i muzës së pashtershme mrekullitë e tua
zbresin nga madhështia jote hyjnore
me perla dhe gjerdanë të xhevahirtë
ke stolisur çdo qenie njerëzore.
Në praninë tënde gjej forcë dhe mbrojtje
kudo që të shkoj
në rrugën drejt së mirës dhe së vërtetës
do të vrapoj gjithmonë.
LIBRI GJALLËRON ZEMRËN TIME
Në duar mbaj një mik të dashur
Një botë të tërë tepër të çmuar
Gjithë ajo pasuri e madhe shpirtërore
që është kaq e bekuar.
Këtë thesar të artë dhe të shtrenjtë
pres me padurim që ta shfletoj
çdo gërmë, çdo fjalë që lexoj brenda tij
sa shumë e dua dhe e adhuroj.
Hapen portat e kësaj bote të mrekullueshme
nëpër shtigje të reja, të panjohura vrapoj
tingujt valëzues lodrojnë bashkë me mua
në peisazhet dritëndiellëse të cilat i admiroj.
Ç'mrekulli tek sodis
universe të panumërta shumëkatëshe
ishujt përrallorë të portreteve plot jetë
horizontet madhështore
në ujëvarën e mendimeve
pasqyrohen të kristalta, të qelqta si një ylber.
Libri kënaqësia më e madhe shpirtërore margaritari i fjalës dhe i diturisë
pasqyra e shpirtit njerëzor
do të jetojë bashkë me mua
teksa rrugëtoj bashkë me të
në çdo ditë që do të vijë...
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta