CIKËL POETIK NGA EGLANTINA DELIA LIKAJ
Eglantina Delia Likaj ka lindur në Gorre të Laçit, Shqipëri, dhe prej vitesh jeton në Novara, Itali. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i ka përfunduar s në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Pasioni i saj për letërsinë dhe poezinë është shfaqur përmes dëshirës së vazhdueshme për të shprehur ndjenjat, përjetimet dhe reflektimet e jetës në vargje. Krijimtaria e saj poetike në gjuhën shqipe është përfshirë në antologjitë “Muret e Erës” dhe “Antologji e Poetëve Mbarëkombëtarë”, duke dëshmuar angazhimin dhe kontributin e saj në fushën e letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Njëkohësisht, ajo kultivon krijimtarinë edhe në gjuhën italiane. Disa nga poezitë e saj janë përzgjedhur dhe botuar në antologjinë poetike “M’illumino d’Immenso”, duke e bërë zërin e saj poetik të pranishëm edhe në panoramën letrare italiane.
Valixhja e emigrantit
Ajo hapësirë e ngushtë,
për dashurinë e jetës
a pati ndonjë qosh?
Për të ëmblat përqafime,
për sytë në vaj?
Emigrant …
Ç’arrite të palosësh brenda saj?
Pa zë, me zë
Pëshpërisin gjethet me fëshfërimë
Çdo bisedë dëgjuar orëve të vona
I rrëfejnë njëra tjetrës si gratë pragjeve
Me kërshëri të thëna e të pathëna
Përçohen nga trungu te rrënjët pa zë
Përqafime, dashuri, përmallim
Brenga, zënka, hatërmbetje
E në zemër të tokës fashiten në heshtje.
Çuçurisin gratë me përdëllimë
më thanë e të thashë se unë nuk dëgjova
Siç gjethet trungut imtësisht
Njëra - tjetrës i nanurijnë besnikërisht
Përçohen nga pragu në prag me zë
Marrin dhenë, erërat anekënd i përhapin
Pa ditur të ndalin vorbullën që krijojnë
në kupën e qiellit gjëmojnë e bubullojnë.
Sytë e tu
Lehtazi dallonte vështrimin ledhatar
në përqafime mikluese pushtuar
gjurmonte orbitën e tyre rreth saj
Ajo si Dielli, nga valle planetesh rrethuar
Jetën ia dhuroi, ia fali me dashuri
si të ishte më e natyrshmja ndër zgjedhje
tirrte ëmbëlsisht gjurmët dëshmitare
Ai si Toka, vallëzonte reth Diellit me ëndje
Muzika për ta ra, u këput një vallëzim
përqafimet ledhatare u shpërbënë hapësirash
E djeshmja e largët ngjante një vegim.
Tingujt melodiozë nuk pushojnë së luajturi
sot vallëzimin e botës ndjek humbur diku
Sa syve u tha jo, duke menduar sytë e tu.
Vit i Ri 1987
Aromë lëkure portokalli
mbi sobën e druve tharë,
shtyrje mes vëllezërish çapkënë
kush nga ne t’i kapë më parë,
lëvozhga arrash situr
sa e sa herë ndër gishta,
nën sytë ledhatues
fytyrash të brishta,
thërrime biskotash
në pjatën e filxhanit
që një mik rrëkëlleu,
si zogj i çukisnim
tek fshehurazi të rriturve
qoshkave pëshpërisnim,
aromë mishi ndër flegra
e jo shije ndër gjuhë,
besnikja jonë
buka me kafshatë,
kështu kujtojmë
Vitin e Ri 1987!
Paradoks
Sot me çizme të gjata
lëkure, deri në gju,
me çorape të trasha
e pantallona dimërorë,
me golf gjer mbi mjekërr
me pallto e kapuç,
dorezat prej lëkure
e çadrën përmbi kokë,
kaloj thjesht trotuarin
në një të ngushtë rruginë
shfaqjen e natyrës për ta parë
nga përtej xhamit në makinë,
duke turfulluar e duke sharë
kohën, motin, botën mbarë!
Një zog çuditërisht
në një bërrakë me ujë
fletët duke lëmuar,
kujtime zgjoi në mua
e në një pulitje sysh
fëmijëria m’u kujtua,
thuajse zbathur,
me rroba - pa rroba,
me gishtat e ngrirë
nga stuhia e sqota,
me veshët që s’i ndjenim
me kokën zbuluar,
në çantë prej plastmasi
librat siguruar,
duke rrëshqitur nëpër akull
si në pistë patinazhi
mbërrinim në shkollë
fiks në orën tetë,
gjithmonë buzëqeshur,
dukeshim me fletë!
Një Atenë s’bëhet Lulù
Vrenjtur, nxirë, sterrë si zhigu
gjithë krekosur dimri plak
kapardisur si në frak
trumbeton se diellin fiku.
Trembur, frikur, tretur si hije
hidhet i vogëlthi parazit
kërcen qorrazi në padije
beson dielli u fik… por…
Turbullirë s’dyn ujë kristal
baltë s’baltos flori të larë
mjegullnajë s’mbyt qiellin blu
një Atenë s’bëhet Lulù.
Pranove
Pranove
si hije
qenia jote
të shfaqet,
të zhduket
rrugicash vetmuar.
Si marionetë
vetja jote
të lëvizë,
të bindet
fijesh pranguar.
Si shënim
jeta jote
të shkruhet,
të fshihet
fletësh harruar.
Përgatiti për botim Angela Kosta