Alma Mehmeti lindi dhe u rrit në Tiranë. Origjina e saj nga Çamëria është plagë dhe krenari njëkohësisht. Pas përfundimit të gjimnazit “Karl Gega” në Tiranë, mori rrugët e emigrimit, duke jetuar për dy dekada në Itali, e më pas në Angli, ku jeton edhe sot.
Në universin letrar të Almës bashkëjetojnë poezia, proza, tekste këngësh, fabulat për fëmijë dhe tregimet që rrëfejnë botën e saj shpirtëtore të jetuar në dimesione dhe kënvështrime të ndryshme.
Librat e saj të botuar janë:
1- Shpresën mbaj tek ti – poezi
2- Në duart e fatit – poezi
3- Motrat çamarroke – fabula për fëmijë
4-Gjeli i kotecit – fabula
5- Breshka Didi turiste – tregime
6- Kush e hëngri paninën e Mirit – tregime për fëmijë
Por Alma nuk është vetëm autore. Ajo është edhe interpretuese – një zë që di të pëshpëritë butësisht në poezi dhe të argëtojë shpirtin e fëmijëve me fabula plot ngjyra. Me të njëjtin pasion ajo ka krijuar dhe drejton dy emisione televizive – “Në botën e fëmijëve” dhe “Kritika në 60 minuta” – që janë kthyer në hapësira ku arti, edukimi dhe komuniteti bashkohen në një frymë.
JETA NË PREHËR TË HUAJ
Kalëronte hëna mbi malin me borë,
Kalëronte dhe gjurmë nuk linte,
Veç pas dëgjoheshin ca këmborë,
Folenë nuk e zbulova ku flinte.
Rrahjet e zemrës dëgjoheshin nëpër erë,
Si këmbanë e një kishe në ditë zije,
Monopatit të trishtimit garonte me të tjerë,
Thik' e dashurisë e gjëmonte si hije.
Shikimi i saj udhëtonte perënduar,
Shkonte larg e kthehej i zbrazët,
Gjurmëve që e kishin robëruar,
Kërkonte fole të mjekonte plagët.
Prehëri që mbështetej tashmë ish bër varr,
Kish lënë një kufomë pa jetë, pa fjalë...
VAMPIRËT E KOHËS
Thonë s’ka vampirë mbi dhe,
se kanibalët janë veç përrallë,
por poshtë qytetit fle një re,
me gjak të heshtur, që i mban gjallë.
Predikojnë Zot, premtojnë dritë,
me djallin natën bëjnë tregti,
me duar të bardha ngrenë kufij,
e quajnë paqe – këtë fat të zi.
Njeriu i thjeshtë në mes të udhës,
me frikë në xhep, me bukë në dorë,
kamxhiku bie mbi shpinë të lutjes,
e shpresa thinjet nga ky terror.
Zëra të shitur, botë me maskë,
ligji i të fortit kthehet në frikë,
fjala jonë s’pranon të heshtë
errësira këtu po kërkon dritë.
Kush firmos në errësirë?
na shet ëndrrat për medalje?
Kur heshtja vishet me flamur,
Dhe përbindëshi s'kërkon falje.
E DASHURA E HËNËS PESËMBËDHJETË...
Ku ta fshihja mallin, lotin nën qerpik,
Ëndrra më thoshte “Hajde”, e unë i thosha “Ik”.
Ti, i përmalluar, nuk ishe asnjëherë,
As për lotin tim, kur binte pa u ndjerë.
Po çfarë kërkoje, kur vije në të rrallë?
Buzët trëndafil i gjeje të tharë.
Apo sytë shëtisje kodrave mbi livadh,
Ku nën to derdhej lumi më i madh?
Lotët më rridhnin netëve pa hënë,
Kur bëhej pesëmbëdhjetë, ti vije për të ngrënë.
S’të ngopej as syri, as duart, as buza,
Kur më zhvishje trupin nga florinj dhe rruaza.
Por malli s’shuhej, çdo pesëmbëdhjetë,
Kur vije me errësirën e shkelje mbi fletë.
Edhe pemët thahen në vjeshtën e verdhë,
Nga trishtimi im, dhe qielli lotët derdh.