Valbona Ahmeti - Cikël poetik

ke ngjyrë dhe aromë lule pranvere
të kam muzë në çdo varg poezie
në folen e shpirtit më je dashuri perëndie
në çdo stinë të kam lule çelibar
e bukur dhe e freskët si liqeni kristal
për herë të parë kur u veshe nuse
më ishe e dielltë, si agimet rrezatuese
më mbush oksigjen me aromën e bjeshkës
në sy të kam si pikturë të pranverës
traditë e përcjellë nëpër brezni
Nënë Tereza-motiv për dashuri
të kam thesar me gjuhën mjaltë
më drithërojnë tingujt e lahutës së lashtë
nga cili vend vjen, sa herë më kanë thënë
krenaria prekte qiejt, se bija jote jam
vetëm dashuria për ty
më fle në shpirtin tim
atdheu im!
LEGJENDË
kuvendonte dhe dredhte mustakun
ditët e fundit ia numëronte robërisë
që ia errësonin qiellin Dardanisë
mbi kokë i ndrinte një emblemë-kurorë
tri shkronja betim në krahëror
si dragua luftoi me një ushtri
se kësaj toke i thonë Iliri
pesëdhjetë e katër frymëmarrje u përballën
pesëdhjetë e katër yje ia fali qiellit
atdheut ia kishte premtuar dritëgëzimin
nuk mbylli sytë derisa mbi tokë e zbriti diellin
emrin ia thonë Adem
tani jeton përgjithmonë legjendë
asgjë më shumë nuk deshi në jetën e tij
vetëm ta shihte Dardaninë në liri
KRIMBAT E VJETËR
tingulli i tyre më sjell në kokë trishtimin
murmurisin zërat e korit të mërzisë
mu në zemër të Dardanisë
a nuk mjaftuan plot pesë shekuj
ky teatër i vjetër
me rolet e tij luajti dramë
në tokën amë
nuk e la të çelë sythin hyjnor
me erën të hapëroj
sytë ia verboi
e gjuhën ia robëroi
kuvendarët
i kanë vënë veshët në lesh
të vegjëlit zukasin
askush nuk merr vesh!
lisit me rrënjë lashtësie
krimbat e vjetër ia hanë gjethin e blertë!
PRISHTINA
sheshet dhe trotuaret e kalldremta boshatisën
drejt aeroportit mërgimtarët vërshojnë si lum
Prishtina nga mërzia duket se ka rënë në gjumë
i mungon kumbimi i të të qeshurave të vona
E malli syve iu pëlcet bulevardeve tona
flamuj as suvenire askush nuk do të shes
Prishtina duket si qielli pa yjet ndezë
gotat që u thyen gjatë netëve në cakërrim
nga çdo zemër derdhej një përmallim
diku takuan një mik, diku një shokë fëmijërie
Prishtina pa vizitorë duket se ka shqetësime
grumbuj njerëzish në lokale çdo natë u panë
shtrëngime duarsh dhe përqafime si kujtime lanë
malli i pashuar çon çdo stuhi peshë
Prishtina sërish do t’iu përqafoj duke buzëqeshë
DASHURIA NËNË
përcillen ditët, muajt dhe ditëlindjet
rrudhat në ball si vargmale të janë ngjitur
janë dëshmitare të kohës së ikur
një bjeshkë me halle mbajti shpirti yt
si stoli rrudhat tani të varën në fyt
sa herë u rrëzove, më e fortë u ngrite dhe vazhdove
asnjëherë të keqës nuk iu nënshtrove
e kuptoj se jeta është vetëm një udhëtim
si një album që mbetët veç një kujtim
që nga lindja shkojmë drejt vjetrimit
prandaj këto rrudha i ke në vend të grimit
po këto rrudha ëmbël të buzëqeshin
të gjitha ngjyrat e stinëve për vitet tua flasin
rreth qafës të varen si medalje
jeta është një lojë, duaje me shpirt dhe sfidoje
Hyji nuk të solli kot në truallin tokë
Dashuria nënë mbizotëron në botë
N’ATË KAFAZ ËNDËRR DUA TË RRI
si një zanë n’ëndërr ti vjen e më flet
e për çudi
n’atë kafaz ëndërr dua të rri
kur agimi çelë krahartë
sylodhur përpëlitem pse s’të kam pranë
trishtueshëm belbëzoj:
-pse kjo ëndërr më tradhtoj?
dhe kur prap do të bie nata
me krahët e yjeve do marrë udhët e gjata
për atë pushtet bukurie që m’ke
do të vij të shfaqem si një Odise