Tahir Bezhani, Biografia dhe cikël poetik

Tahir Bezhani, Biografia dhe cikël poetik
SHENIME BIOGRAFIKE
 
Tahir Bezhani u lind me 15.05.1947 në fshatin Smolicë, Reke e Keqe, komuna e Gjakovës. Shkollen fillore (dy klasë) i mbaroj ne vendlindje, ndërsa tetvjeçaren e perfundoi ne shkollen fillore “Ganimete Terbeshi” në Ponoshec komuna Gjakove, ndërsa të mesmen dhe SHLP, dega Gjuhë e Letërsi shqipe, në “Bajram Curri” të  Gjakovës. Me shkrime filloi që nga shkollimi i mesëm me botime në periodiket e  kohës, pastaj si student, bashkpunoi me revisten studentore “Ardhmëria” në SHLP. “Bajram Curri” në Gjakovë. Që nga paslufta Tahir Bezhani në vazhdimësi ka botuar libra më poezi, publicistikë, prozë dhe vështrime, kritikë  letrare. Deri me tani ka botuar 30 tituj me zhanre të ndryshme letrare. Boton vazhdimisht, reportrazhe, kronika të kohӕs etj.
Me punen e tij, në vitet e pasluftës, krijoi lidhjet e miqesisë me letrarët e Tropojë, pune kjo që mori dimensione në mbarë rrafshin kombëtarë për një bashkpunim të thellë letrarë pas 50 vitesh ndarje të dhunshme me amen, me Tropojën-Shqipërinë. Nxorrem së bashku,” Antologjinë e Poetëve të Malësisë së Gjakobvës,”, krijuam revisten “Urat”e cila vazhdon botimin dhe gazeten (jeteshkrute) “Rrezja”. Bashkpunimi i përbashkët i krijuesve të Malësisë së Gjakovës, vazhdon edhe në ditët e sotme që nga paslufta.
Poeti Tahir Bezhani, në vitin 1995 ka qenë i denuar me dy vite burg nga pushteti i dheunshëm i Serbisë, për shkak të aktivitetit sindikal në Policinë e Kosovës.
Për punën letrare dhe aktivitetet e ndryshme, nga Bashkia e Bajrami Currit është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” në vitin 2012. Ka marë edhe shumë mirënjohje tjera nga shumë qytete të Shqipërisë e Kosovës si dhe  nga diaspora jonë.
Megjithë moshën e viteve akoma shkruan dhe vazhdon me aktivitete në qytetin e Gjakovëe e jo vetëm, duke u përpjekur për kontribut në fushen e letërsisë për të miren e vendit dhe njerëzisë. Jeton dhe vepron në Gjakovë.
 
USHTIMË ZJARRI
 
Toka ime e shtrenjtë
Të kam gjak shpirti
Copë e ngjeshur ashti
Me Ty dertoj çdo përplasje jete
Më thuaj, pash besën
A do m’i ruash gjatë eshtrat e lodhura
Aty brenda palcës tënde plot zjarr?
Je ADN-ja flakëruese e qenies sime
Në flakë u rrita
Rrugës së zjarrit udhëtoj
Jam i ngrirë si akull
Dua të shkrihem në diell
Të ngrohem e mos të përvëlohem
Në dashurinë time të bërë tym…
Fol, fol
Pash gjakun e trupit e zemrën e plasur
Jorgani im arnuar durimeve
A do më mbash në gjirin tënd?
Se vuajtjet dertojnë rrugëtimet e gjata
Zharavë e pasosur kurrë, pesëqind vjet
E zemra do të pushojë e qetë
Bujtinave të magjepsura si në Olimp
Aty ku ngrohen shputat e mia të thërrmuara
Zbathur kërcej, të mbetur si eshtra të tretur
Rrahishtave e zjarrishtave
Gurishtave të derdhura si erozion i shkriftë
Si stenda zemre, kurorë kohe
Ku dëgjohen ushtimë hidhërimesh
Nëpër mote mashtruese…
Fol pash besën, toka ime e shtrenjtë
Që rrotullohesh si hi gacash nëpër shekuj
Gaz vajeve të mundimshme
Lot buzëqeshjeve të dhunshme
Jehonë e tretur largësive
Përvëlim damarëve deri në thellësi….
 
NË VARRET E FSHATIT TIM...
 
Kur trazohet malli  dejve të zemrës
E  era fryn me aromë blini
Më kaplon papritur mallëngjimi
Ndalem ku pushon zemra e shpirti
Mbi varrin e nanës e të babës
Sytë  shpërlahen në pellg lotësh
Shoh portretin e babës  në kohë
Me buzëqeshjen e djegur  të syve
I shtangur qëndroj  n’ kujtime
Si i humburi  në mes dallgësh
Si t’i ndal kujtimet e çmendura
E lotin  që rrëshqet  në barin e tharë
Si pëshpërimë zëra nga nëntoka
Një vaj  si në kullë dikur
Kur nana tinëz qante
E digjej  nga malli në shkrumb
Për Zogajt të Malësisë zgavër shpirti
Ku kumbon trishtueshëm malli...
Në mermer  lulet e babës
Kris shpirti në ofshamë
Dëgjoj hapat e tij të ngadaltë
E  gishtat e dorës n ‘dru të fyellit
Kur formojnë melodi të rralla
Mbytur në vals dhimbje...
Sytë më janë ngrirë në kujtime
Në fytyra të banorëve të ikur
Dhimbjeve të përmotshme
Rri në heshtje , guri n ‘errësirë
Në vetminë e ngujuar  buzët flasin
Me portretin e tij ballë meje
Ai ngrihet një çast në thellësinë time
Dua përqafime, dua puthjen tënde
Oh sa mallë kam në zemër, sa zjarr
Gacave të mallit që lënë pas aromë...
Në varret e fshatit tim, gjaku im
U përulem të gjithëve me radhë
Në zemër i mbaj gjithmonë
Të mbështjellë në kujtime
Si medaljon...
 
TAITJE MALLI…
 
Ai gur oborri
Si i verbër më sheh përmes plasjeve
E qarjeve vijnë psherëtima vaji
Përjarget guri i ngulitur në dheun tim
Shurdhmemec i them kur nuk dëgjon
E ai ofshan e duron
E unë ia fshij djersët e rrudhave të thella
Do gjethe i ngjajnë lëmashkut
I shtresuar në fytyrën e brishtë
Gurnajës së mbetur peng malli
Si fëmijë rritur lagështisë së harruar
Dhimbshëm shihja kohën e varur bebëzave
Thinjat buzëqeshin sipër vetullave si kurorë
Shkopi dridhej në shuplakën e dorës
Plot rrudha
E koha…
Shiringat më nuk e gjejnë gjakun venave
Kohë e mbytur në lumë malli
Sa dënesë guri në këndin e kullës së rrënuar
O Zot kthema kohën
Se më vjen mall fletët e jetës t’i lexoj
Si fëmijë në klasën e parë
Jeta derë dy kapakësh qenka
Sa hyn nga njëra me vaje
Del nga tjetra me lemerisje….
 
ZHGËNJIM NË ËNDËRR
 
Si të tregoj ëndrrën
Që më trazoi shpirtin
Si vetëtimë shkojnë mendimet
Të rënda ishin brenda meje përjetimet
Kur natën me shi vinte një stuhi
Lodhja dridhej mbi rrudhat e ballit
E harqet e vetullave digjeshin në flakë
Gjumi përkundej në djepin e vjetër
Trupi ishte ndarë në dy pjesë
Shpirti fluturonte në kullën e vjetër
Kishte marë arratinë nëpër kohë
Në shtratin e rrënojave thëngjij të djegur
Nënkresa e fëmijërisë cicërinte ninulla
Mbuluar me plafin e arnuar të kujtimeve ...
Sa më përgjumnin telat e çiftelisë, tingujt
Në raft të odës ndrinin si dekor kohe
Rapsodë ulur këmbëkryq në mes të odës
Këndonin të akorduar këngë majëkrahut
E unë ,flija thellë në harresën e natës së ikur....
Sa i dërmuar ngrihem në mëngjes
Shpirti ishte kthyer nga bujtinë e vjetër
Lodhja pikte ofshamë, lot
E do fjalë tjera thënë përgjumshëm...
Nuk di t’i tregoj të gjitha ankthet
Flet malli, dhimbje e dashuri një muranë
Rrugëtim i thyer eshtrash jeta
Zhgënjim, një krimb qe e ha vetveten padie...
 
BASTISJE E SHTËPISË 
 
Si djaj nate të dehur rrugëve të pista
Në orët e para të mëngjesit të çartur
Vrap e vrap u futen në shtëpinë e poetit
Skaj rruge, buzë lumit matanë
E gjeten të fjetur, maste boten anë për anë
Rrinte i stepur mbështetë në kore librash
Shikonte hatanë, e ata, thyen dyer, dollapë
E do gjëra të tjera
Bastisen me radhë gjitha orenditë
Ata faqezitë e kohës zezonë
Morën çfarë gjeten, grabiten, plaçkiten
Tituj librash, shkrime e shënime me vlerë
Zbrazen dhomën e poetit, mbeti duarlidhë
Trupin ia kishin lëpirë qentë e rrugëve
Me bisht nën këmbë kishin ikur errësirës
Të gëzuar për “prenë” e tyre të ndyrë
Nuk e dinin se bota e poetit nuk zbrazet kurrë
Rilind jetën edhe në kohë më të vështirë
Nga fjalë e poetit kalben kufomat e vdekura
Bota flet e heshtë!.....
 
KËRKOJA GJURMËT
 
Atje ku nuk arrijnë këmbët
Shkon mendja si era
Dimri kur të ngrin
Shpirti do verën
Dëshirat plazhojnë zallinave
Ripërtërijnë kohën e përmallshme
Sytë nguliten syprinës pa fund
Valët gjëmojnë në një tjetër kohë
Melodi e shkrirë kujtimeve të ikura
Çapiten mes lotësh do stinë të nxehta
Në thellësinë time kërkoja gjurmë gishtash
Mbetur në shishe të verës si lule humbur
Thyer ahengjeve të nxehta
Në kulmin e krisur të haresë së lotëve
Valët gjëmonin të qeta
Imitonin shpirtin tim të harlisur
Kërkoja gjurmët e vetvetes...
 
QIELL I NXIRË
 
Me re të zeza mbuluar qielli
Nga piskamë avionësh gjuajtës
Frika fshihet në rrënjë shpirti
Qëndresë e paepur vetmia
Buzët pëshpëritin vajshëm
Lutjet e natës, shpresë e tërbuar
Qielli i nxirë n’ tym e flakë
Fushat e mbushura kufoma
Eshtnaja të shkapërderdhura
Pa emra e mbiemra
Shkrirë në flakë bombash
Në hapësirat e globit fatzi
Në këtë kohë zezonash
Nata flakadan zjarri, tymnajë
Dita e ngrirë shpresave të humbura
Pritje e gjatë për një ditë me diell...