Shaban Pllana - TOPLICË DHEMBJA IME

Shaban Pllana - TOPLICË DHEMBJA IME
TOPLICË DHEMBJA IME
 
Sa herë bie në gjirin tënd
Ndiej ofshamën tënde
Që të del nga thellësitë e shpirtit
Në secilin fshat tëndin
Në thellësi të dheut
Ndodhen eshtrat e stërgjyshërve tanë
Edhe nën rrugë të shtruara me asfalt
Edhe nën themele ngrehinash
Edhe nën rrënjë lisash e shkurresh
Edhe nën bari e lule livadhesh
Ata eshtra lëshojnë rënkim
E nga amshimi shpirtrat e stërgjyshërve
Thërrasin: O pasardhësit tanë
Mos na i harroni eshtrat
Kudo që shkelni
Nëpër fshatrat e Toplicës
Mbi eshtrat tanë shkilni
Na i kanë lëvruar varrezat
Na i kanë rrënuar gurët e varreve
Na i kanë shkapërderdhur eshtrat
Eshtrat tanë nëpër ato fshatra janë
E aty do të jenë
Derisa të ketë jetë mbi dhe.