TË PAVDEKSHËM
Presin në heshtje
derisa ne ndjejmë hije në afërsi
Frymëmarrje të ngrohtë
pranë shpirtit tonë
S'mund t'i prekim
Duart ftohtin e kaplojnë
Puthje acari ngroh unin tonë
Nuk i shohim me sytë e botës
Ndjejmë, ndjejmë praninë.
Ju jeni këtu, pranë nesh
Festoni pavarësinë
derisa flamuri qan dhe qeshet
Retë zbukuruar me hije ushtarësh
marshojnë me flamur në duar.
Era përcjell këngën e lapidarëve
Gjaku gjakun nuk e harron
Kosova me mall ju kujton
Shqiptari shqiptarit të fala dërgon
Ilirida me ju jeton.
PSHERËTIM PLISI
Jeta dhe vdekja kacafyten
mes dashurisë dhe mërisë
Tërheqin litarin mbuluar me gaca
Digjen duart, gishtat, shputat.
Akulli pret t'i freskon varrat
Harron që më shumë dëmton
Zjarri flakën shpërndan
Zemra shkrumb shkrumosur qan
Plisi dhe opingat hutohen
nëpër botë të shpërndarë
nuk dijnë ku të rrëzohen.
Shamia e kuqe mbi sheshir
humb hijeshinë nusërisë
Koha i hëngri stinët
Nata mbuloi ditën
Vajtimet shqip nuk dëgjohen
athua mbetëm shurdhër
athua vërtetë nuk dëgjohen.
Heshtja mbretëron tek varrezat
Dekadat pa frymë kujtojnë ditët
Shenjat e fundit të tymit shuken
Mbetëm vet me lotin, pa zë.
SHUPLAKA E VALËVE
Ndotja e botës nga fjala
vetëm për të thënë
pa menduar që godet
shkëndinë e yllit pranë hënës
Xixat rrokullisen me marramendje
Mbysin shpirtin e pastër
me mendime se është aktor në teatër.
E pasqyra?!
Pasqyra është për ta parë veten
por, sytë pa cipë
hienës mundohen ti japin dritë
Mendon se është tigër
ulërin në cilindër.
Valët prej larg ndjejnë zemrën e thyer,
ngrihen deri në qiell
Përplasin fjalët me shuplakën e valëve
Ua prejnë flatrat krahëve
Le të din çdo kush vendin ku e ka
mos të bëhet maskara
Përveç që del qesharak
dhe korit tërë një oxhak.