Rudina Papajani - Esse (Redaktoi Angela Kosta)

Rudina Papajani - Esse (Redaktoi Angela Kosta)
Esse
 
VETËM DISA HAPA E PRESIN
 
Ka kohë që ËNDRRAT enden të kapërcejnë ylberin, zemra rreh si përherë, vetëm se venat e saj bllokohen, duart dridhen, ajo qëndron e padashur në emër të "turpit". Disa herë mendon të thërras, të gris botën me thonjtë e egoizmit, ku zënë vend të thënat dhe të pathënat e të ashtuquajturit "faj". Vitet ikin si pa u ndjerë e hijet shkërmoqen humnerave, lodhjeve, zërit dhe vështrimit të ngrohtë që pret të hapet por si për habi merr formën e një shtjelle plot re e kotësia të patakt. Atëherë ajo bukuroshja e fjetur hiqet mënjanë, u thërret përrallave, netëve ku asnjë se vështron; i thërret të padukshmes që endet si flutur në llambën e ngrohtë, në atë zjarr-grackë ku dhe vetë mashtrimi i bukur e intrigon. Del e pafajshme dhe vështron ylberin.. atë retinë ngjyrash ku dhe vetë e shndritshmja magjepset në atë turr transformimesh ku e bukura loz vallen e yjeve, merr jehonë të ndezur në atë dritë syri që vezullon. Hap sytë... mëngjezi e gjen përsëri pa liri, shumë ftohtë në dhomën pa jetë,
shumë ngrohtë në shpirt. Befas një rrugë plot drita i shfaqet... ecën, vetëm ecën në atë rrugë të lagësht plot pafajësi. Nga dritaret e zverdhura hijet tulatin fytyrën plot mëkate me shpresën e vetme se ç'gjë e re po iu serviret për të folur por ajo vetëm shikon dritën. Diku një rreze e fortë...
ja dhe ylberi...duket sikur e thërret...
Mesa duket pranvera e lirisë ka plan të banojë tek ajo... Po zbardhte...vetëm disa hapa e prisnin.
.....................................................
 
NGJYRAT E JETËS
 
Ju pëlqejnë ato ditët e trëndafiltë, aty ku ti e ulur nga frika e së panjohurës nuk je në gjendje të prekësh, të perceptosh në atë errësirën nga e përditshmja, apo nga një lumturi e pa arritur. Zakonisht mundohesh të marrësh atë keratinën e munguar, atë ngjizje të forcës me shpirtin, pa konsistimin e një aciditeti të dëmshëm. Dhe gjithë prurjet të çojnë tek ëndrrat. Ditë të trëndafilta, ku kthehesh si një lule gjaku apo ciklamine për t'u mbushur. Në fund të fundit e kemi të drejtën edhe pse jeta luan kukafsheh, edhe pse mbi ditët tona qëndron shpata, apo urrejtja pa kokë e përçdhunuar. Ka një luftë të përjetshme midis ngjyrave, midis llojit. Herë zbehen, herë na tonifikojnë, e herë na japin vibrime apo motivojmë që shpirti të mbahet ndezur përpos shkurdisjes së akrepave pa nocion, pra një ngjyrë zvarritëse, lëpirëse e ngjyrave të jetës. Sado që mundohen të marrin erën, ngjyrën, ngelen të plakura, të rrudhura në ato zigzage pa jetë, stomaturë me prurje të një jete të shkurtër. Prandaj them se sot apo nesër ngjyra e jetës vjen, jep sinjal, jeton brenda teje në atë moment që ti se mendon, rikthehet përsëri tek një i vetmuar, lëshon shpresa rrēzëllitëse te një i harruar, ikën dhe përsëri vjen si katalizator. Ngjyra e trëndafiltë, motivi në qenien që jeton...
.....................................................
 
PAUZË REFLEKTIMI NË JETËT TONA!
 
ARGUMENT
 
I keni parasysh ato ditët gri, ato nota të errëta që sillen si sonambul rreth jush duke ju ndotur disi me frymë të keqe. Po atë ndjenjë disfatiste sikur ke humbur nga dështimi i radhës? Janë shumë arsye pse duhet të buzëqeshim, të gjejmë atë çelësin e munguar kur portat na përplasen në fytyrë, atë aspekt me diapazon të ngushtë ku skepticizmi të bën të arsyetosh gabim. Duhen zgjedhur arsye reale mbi shpjegimet irracionale sepse duhet shikuar përtej perdes së justifikimeve. Duke gjetur motivin përse të ecim gjejmë vetveten, atë energji - kohë për të hedhur poshtë barrierën frikë. Duke krijuar ekuilibrin monitoron situatën duke i hapur rrugë disponimit të një ideje të caktuar. Nuk mjafton vetëm dëshira dhe vullneti, duhet një fakt orientues i mbështetur në një llogjikë të ftohtë. Sekreti qëndron tek vëmendja si dhe sa të aftë duhet të jemi me ambientin ku përballemi duke konfirmuar gjëra të reja. Ideja për të gjetur vetveten kërkon praktika inovatore, një tabelë vizionare që të hapi përpara vetes sonë një bllok inspirimi. Natyrisht një moment pushimi është një pauzë reflektimi ku ndahen ëndrrat me detyrat, duke ndarë praktikën me domosdoshmërinë për të ecur përpara. Spektri i jetës reale na shfaq vështirësi duke paragjykuar vetveten se nuk jemi të aftë për t'u prezantuar përballë sfidave. Të qënit artiste, shkrimtare apo poete është një motivim, një pasion me objektiva të qarta, një tablo koherente që shërben si nxitës i mirë midis një ëndrre dhe një objektivi që duhet realizuar...
.....................................................
 
MEDITIM ME VETEN...
 
Do të doja që një ditë të vetme të endesha në brendësinë e një jete të tërë, ku unë, ju, të ndjeni atë hapësirën e shkurtër sa shpejt ikën jeta, sa kohë dhe minuta na ikin pa kuptuar. E çuditshme me mijëra zgjime ravijëzohen me ëndrra të hedhura andej - këtej. Bile dhe fatet njerëzore ndalen, veçohen duke marrë atë kthesën zigzage për t'u ndalur në atë rrugën ku citohet vetvetja apo gjithçka e bukur që zgjat shumë pak. Pastaj vendin e saj e zë ajo murmurima ndriçuese e shpirtit që flet pa dorashka për fjalën e hedhur pa kriter. Dhe është pikërisht syri ai që lag faqet me lotin e ngrohtë, aty ku betejat jetësore enden si rrjeta të dendura që hapen apo mbyllen në gjire, ku agimi apo perëndimi i çdo dite puthen apo zihen në takimin ndarës. Pra si të thuash tek ne maten hapësira me re të bardha, kaltëroshe apo gri duke bërë pakt me yjet e mbrëmjeve që zbresin si copëza jete me dëshmitar qiellin dhe që shuhen kaq pafajsisht nga drita dridhëruese në xhepa të vetmuara stinësh. Megjithatë kjo hapje e mendjes dhe e zemrës, vjen e ndrojtur tek unë, e valëzuar kur takon atë degëzën e lulëzuar ku ëndrrat dhe të dielat dashurojnë pambarim...

Redaktoi Angela Kosta Akademike, shkrimtare, poete, eseiste, kritike letrare, redaktore, promovuese, gazetare