Dorela Sheme Beçaj - cikël poetik

Dorela Sheme Beçaj - cikël poetik
Dorela Sheme Beçaj
Dorela Sheme Beçaj është gazetare me 15 vjet përvojë profesionale në median e shkruar dhe atë televizive. Ka përfunduar studimet e larta në Shkencat e Komunikimit dhe Gazetari, si dhe studime profesionale, duke u certifikuar në tri fusha të tjera: dizajn grafik, administrim publik dhe menaxhim biznesi.
Prej disa vitesh, i është përkushtuar edhe krijimtarisë letrare, duke shkruar dhe publikuar poezi në rrjetet e saj sociale. Së fundmi, ka zgjeruar veprimtarinë krijuese edhe në letërsinë për fëmijë, ku sjell krijime të veçanta për lexuesit e vegjël, të cilat i publikon edhe në platformën YouTube.
 
Femra
 
Ngrita dete e male për të ardhur tek ti,
dhimbjet i piva si duhan.
Dhashë sa munda dashuri
edhe kur lotët nuk mu thanë.
 
Malit përballë për ty i qëndrova 
e dhimbje nga pesha nuk pata.
Nga çdo thikë me pak u lëndova,
lëkurë ndezur nga erërat e zjarrta.
 
E prapë të desha më shumë se veten,
se kjo fundja jam unë.
Aty ku për të gjithë fundet preken,
unë nis e dua më shumë.
 
Forcën ma njeh dhe s'ma njeh,
nga duar të buta gënjehesh.
Me mijëra puthje të deh,
në mijëra ikje, tek unë kthehesh.
 
Lavire? Jo.
 
Nëse me ty unë sonte shkoj në shtrat,
mos më quaj aspak, ti, lavire,
nëse zemrën ta fal ty këtë natë,
nëse i jepem pa frikë kësaj dëshire.
 
Nëse me ty dua ta shuaj këtë flakë,
që brenda meje zien e valon,
mos më quaj aspak ti në këtë natë,
mendjelehtë që trupin përdor.
 
Se mirë, çfarë ndjej, unë e di.
Atë çka jap mos paragjyko.
Se shpirti kërkon vetëm dashuri
dhe bën atë që ai do.
 
Ndaj sot, thjesht dashuromë në pafundësi.
Në ndjenjën tënde lermë të harrohem.
E lermë që forcat ti përtëri ,
me terma të tjera mos të ngatërrohem.
 
Sot , Dashuri, ti shpirt më quaj,
lavire nuj jam kurrësesi .
Ti thjeshtë përjetomë dhe më duaj,
se unë di të fal vetëm dashuri. 
 
Le ti murosim ato
 
Nuk mund ti lëmë të flasin,
zëri i tyre depërton brënda qenies.
Qenie manipuluese të joshjes.
Mendja perverse, dot, si ndalon mendimet.
 
Le të mbulohen gjer ne kyçe,
Se syri dot si perballon,
hiret plot afsh që dalin nga fustanet.
Oh dhunë ç’njerëzore e trupit,
mijëra zjarre ndezin e shuajnë.
 
Oh t’ua mbyllim gojën!
Zëri melodi e shpirtit,
elektrizon ç’do qelizë të trupit.
Kontrollin e humb çdo instikt.
 
Mbulojani sytë si pasqyrë.
As lotin të mos ua shohim, pa dashur,
se dhe loti prek ndjeshmërinë,
ereksion i gjalle në çdo qelizë.
 
Le tua mbyllim edhe muret.
Murosini të gjalla , pa faj.
Se dhe pa folur e pa lëvizur,
Femra ndikon po njësoj.
 
Dhe ja... i mbyllëm, i murosëm,
më si shohim e as i dëgjojmë.
E prapë, mendja punon mbrapshtë.
Në mendime qëndrojnë hirëplota.
S’paskan pasur faj aspak.
Qenia jonë ka humbur kontrollin.
 
Përgatiti për publikim Angela Kosta