“SOFRA E ÇABIQIT” HAP EDICIONIN XXI TË FESTIVALIT “I KËNDOJMË LIRISË”
Sot, në Çabiq të Klinës, te Kulla-muze e Mujë Krasniqit, për të 21-tën herë me radhë, u hap Festivali “I këndojmë lirisë”. Ky Festival mbahet në shenjë të ditëlindjes së komandantit dëshmor Mujë Krasniqi (dh vetë rapsod), i cili është i lindur në këtë fshat. Mbahet me moton “Sofra e Çabiqit”, sepse në fund të hapjes mysafirë, publik dhe pjesëmarrës të Festivalit, shijojnë mikpritjen e këtij fshati me ushqime tradicionale.
Ndërkaq, tri mbrëmje rresht, sonte, nesër dhe pasnesër (6, 7 e 8 qershor) në qytetin e Klinës, në ambient të hapur, paraqiten rapsodë, grupe folklorike e grupe valltarësh nga të gjitha trojet etnike shqiptare.
Festivalin e moderon Silvana Braçe.
1.
Edhe kjo hapje bëhet me marshime nëpër ambientet e fshatit, duke u shndërruar në festë t[ vërtetë. Kësisoj, atmosferë të gjallëruar bëri Ansambli“Rugova”.
Për ndryshim nga herët tjera, kësaj radhe kjo “sofër” e prezantuar, pothuajse edhe u hap, dhe drejtohet nga artistë e veprimtarë kulture të këtij fshati. Kështu, drejtor i festivalit është Alban Gashi, regjisor (i lindur në Çabiq), kurse drejtues i Këshillit Artistik është Halit Gashi, po ashtu nga ky fshat. Edhe rapsodët e solistët që kënduan, ishin nga ky fshat, që janë të njohur anembanë trojeve shqiptare. Enkas nga mërgata erdhi solistja e njohur Bege Gashi që këndoi dhe performoi në mënyrë brilante një këngë që i kushtohej trojeve etnike, Dardanisë, Mujës dhe luftës për liri. Entuziazmuan me këngët e tyre edhe dy solistë nga ky fshat Ali Gashi dhe Berat Krasniqi. Kësaj atmosfere përjetimesh iu bashkuan dhe dy të rinj, motër e vëlla, Drinor e Rrezarta Gashi, që i takojnë familjes së njohur rapsodike të Sefë Gashit (Mleqan, Malshievë), në nderim të Beqir Gashit, dëshmor që ra së bashku me Mujën, dhe në nderim të Osman Gashit, rapsod që ka shkuar në amshim, i cili, sa qe gjallë, e ka nderuar gjithnjë me këngët e tij edhe këtë festival. Pasardhës të dëshmorëve e të këtyre rapsodëve nga Mleqani janë dhe Ismet e Shpëtim Gashi që kënduan edhe kësaj radhe.
Në emër të Komunës përshëndeti kryetari Zenun Elezaj, nën patronatin e të cilit mbahet Festivali. Të pranishëm, përpos publikut të gjerë, ishin edhe ministri i Mbrojtjes i qeverisë së Kosovës dhe ministër i FSK, Armend Mehaj, bashkëluftëtarë të Mujës, përfaqësues e pjesëtarë të shoqatave të dala nga lufta etj.
2.
Kësaj radhe, kisha nderin që, në emër të fshatit, ta paraqes një fjalë përshëndetëse të mikpritjes dhe për vlerat e Festivalit që lartëson kujtesën tonë për liri. Këtu po e prezantoj këtë tekst:
Tashmë SOFRA E ÇABIQIT, me dëshmorët e saj dhe me këngët për ta, janë bërë kartë identiteti për ne, janë bërë letërnjoftim i këtij fshati në Kosovën e pasluftës. Këtu qe 23 vite këndohet, vallëzohet, njerëzit takohen dhe vijnë nga të gjitha trojet etnike, si në një pelegrinazh të shenjtë dhe i thonë fjalët më të zgjedhura e më të hirshme.
Këta tre dëshmorë që i keni të skalitur këtu në lapidar, i keni të skalitur edhe në kujtesën e brezave shqiptarë, e sidomos, të skalitur në këngë. Në këngët e festivaleve. Festivali është vetëm një dritare e së bukurës, nëpërmes të së cilës ne duam jo vetëm ta kemi të zgjuar kujtesën për luftën dhe dëshmorët... por ta shquajmë dhe shenjën më autentike të identitetit tonë kombëtar, siç janë muzika, vallja dhe folklori, pikërisht për faktin se ato janë vlera të pranuara nga secila shtresë, nga secila kohë dhe nga secili vend yni etnik. Karakteristikat e epokave që ngërthejnë këngët shqiptare, me ritet, vallet a instrumentet, përbëjnë thelbin e KODIT të qenies sonë kombëtare. Festivali është vetëm një shenjë mbrojtëse e kësaj vlere të identitetit tonë, sidomos në proceset e reja të akulturimit, kurse MIKPRITJA proverbiale SHQIPTARE, e shenjtëruar te SOFRA e Çabiqit, është një tjetër kod i mbijetesës dhe shquarjes etike, ekzistenciale, etnike, etnografike dhe shoqërore e qenies sonë. Folklori ynë shpesh ka luajtur rolin kyç, ashtu si e luan sot këtë rol kultura përgjithësisht, në realizimin e integrimeve të brendshme shoqërore, t; ruajtjes së identitetit tonë kombëtar, dhe të integrimeve brendakombëtare.
Të mos harrojmë, dëshmi, shkrime e kompozime, ka që nga kohët ilirike, bizantine, otomane dhe sidomos të kohës sonë. Mjafton të përmendet autori antik helen, Straboni, i cili që në vitin 63 para Epokës së Re, na dëshmon se dardanët u kanë rënë disa veglave muzikore, si aulosit (një instrument me frymë), që vërtetohet nga gjetjet arkeologjike, i paraqitur në artin e pikturës. Por dardanët, si dëshmojnë autorët antikë, e po ashtu edhe Straboni, iu binin dhe veglave të tjera muzikore, si instrumenteve nga familja e flautist dhe instrumenteve me tel etj. Mjafton ta përmendim edhe HYMNIN KISHTAR të shek. IV të Niketë Dardanit. Kurse festat pagane, me ritet e tyre muzikore, janë të gjalla edhe sot, ndërsa epika e lirika shqiptare vijnë si jehona shekujsh, duke e bartur mesazhin e trimërisë dhe historisë shqiptare nga njëra anë dhe bukurinë e emocionit të kënduar, nga ana tjetër. E pra, ndër mileniume e shekuj, gjithmonë ka pasur një jetë të zhvilluar muzikore.
Në Çabiq gërmimet arkeologjike kanë treguar se ky vendbanim ekziston që nga agimet e historisë, Gjithmonë këtu janë ndërtuar shtëpitë e bukura pas një lufte që i digjte ato, se këtu ka pasur gjithmonë jetë e gjallni që në kohë të lashta historike.
Por këtu, po ashtu, është kënduar e vallëzuar gjithmonë e si dëshmi na vijnë ritet e moçme të festave apo të stinëve... Dhe asnjë kohë nuk mund ta përfytyrojmë pa këngë, pa vallet dhe harenë e festave e të gëzimeve familjare...ashtu sikundër kanë kaluar këndej perandori, shtete, regjime, luftëra, shkatërrime, kurse kujtesa popullore dhe vargjet e këngëve, ato i kanë regjistruar si ndodhi e përjetime që nuk harrohen.
Këtu janë ruajtur legjendat për Çabiqin që shtrihet që nga Ujëmiri e deri te fshatrat më të largëta në këto anë. Ruhet edhe legjenda, se si këtë fshat asnjëherë nuk e godet rrufeja.
Nëse Çabqi përmendet në krisdobulën e Manastirit të Deçanit që në vitin 1330, dokumentet flasin për të edhe si një vendbanim dikur mjaft të madh e të shtrirë në shumë zona përreth, flasin dhe gjetjet arkeologjike përreth, si enë, gjëra nga jeta shtëpiake, tunele të nëndheshme, gur të mokrës, mbetje që dëshmojnë ekzistencën e kishave iliro-shqiptare. Pra ky fshat ka pasur gjithmonë besimet e veta, tolerancën e vet proverbiale ndërfetare, begatitë e veta, kulturën e tij, këngët e tij dhe jetën e tij.
Por Muja, Beqa e Aliu, për të cilët organizohet ky festival, ishin edhe vetë rapsodë. Madje, edhe sot teleshikuesit do ta kenë parë Mujën e Beqën tek këndonin në televizionin e njohur CNN, vargjet aq të njohura të këngës popullore:
Kreshtat e Kosovës kanë marrë ngjyrë të kuqe,
Krushqit e Dardanit janë nisë me marrë nuse,
Po u prin përpara shqipja e Kastrotit,
lulëbozhure çelin nëpër flakë baroti.
Dhe, siç e dini, që të tre ranë së bashku, me 36 dëshmorë të tjerë, në kufirin shqiptaro-shqiptar, aty ku e përfunduan këngën për lirinë e Kosovës, me pushkë në dorë e me aktin më të lartë e më sublim të vetëflijimit njerëzor. Si një amanet etnik, se kufiri me shqiptarësh duhet të shembet.
Nga ky fshat është Halit Gashi me shumë bashkëluftëtarë të këtij vendbanimi, kurse Haliti e drejton këtë Festival në kuadër të Këshillit artistik dhe vetë është solist i njohur. Dhe sa e sa herë e keni dëgjuar, për këta 23 festivale, ta këndojë këtë tekst kënge kushtuar Mujës e Beqës:
Kur këndon Beqa flet shqiptari
T’gjithë heronjtë ngriten prej varri
Muja trim i prin kolonës
I rreshton në ballë t’Kosovës.
Kënga e tyre atdhetare
Nuk vdes dot as ndër varre,
Muja, Beqa në një bankë
Tash u kthyen vetë në kangë.
Ata që kanë luftuar dhe ranë për Kosovën, e kishin dëshirën e zjarrtë që të bëjnë diçka të vlefshme e të bukur për këtë vend: për t’i dhënë një kahje tjetër historisë. Ata, atdhe të vetin e kishin edhe këngën. Këngën për Atdheun, për trimërinë, për historinë, për lirinë dhe për të bukurën e për njerëzit, sepse Atdheut i duhen njerëzit e gjallë dhe gjallëria e jetës, dhe pa ta do të mungonte edhe kujtesa, edhe këngët edhe jeta vetë...
Lavdi e përjetshme për dëshmorët e kombit!
Çabiq, 6 qershor 2023