Begzad Baliu për Profesor Ruzhdi Ushakun

Begzad Baliu për Profesor Ruzhdi Ushakun
Ligjëratat e tij ishin terma, koncepte, nocione, togfjalësha, të cilat ai i hapte dhe i krahasonte në përmasa kombëtare, rajonale, ndërdisiplinare.
 
Begzad Baliu për Profesor Ruzhdi Ushakun
 
Profesor Ruzhdi Ushakun e kam njohur fillimisht prej veprës shkencore dhe sidomos prej studimeve të botuara te gazeta “Rilindja”, revista letrare “Fjala” dhe revista shkencore “Gjuha shqipe”. Kur erdhi të na ligjëronte në studimet e magjistraturës në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, ne njohëm jo vetëm punën e tij shkencore po edhe karakterin e tij prej pasionanti, për të kërkuar në mënyrë multidisiplinare të gjitha dijet, nga gjuha deri te astronomia.
Brezi im i studentëve filloi ta konsideronte Atë, jo ligjërues, po shkollë të ligjërimit, prandaj çështjet që i diskutonim në ligjëratat e mbajtura jashtë objektit të Universitetit (ishim të larguar nga pushteti serb), i vazhdonim në rrugë, në ndonjë kënd lokali, në kabinetin e Institutit ku punoja etj.

Ishte kaq i vendosur për t’i shkuar çështjes në diskutim deri në fund: nocioneve, metodës, koncepteve, parimeve, hipotezave, pyetjeve, literaturës, përfundimeve, mesazhit, sa nuk shikonte orën as kohën, vendin as situatën. E ne jetonim në kohë të vështirë terrorit serb dhe të frymës së luftës.
Ligjëratat e tij ishin jo tema të mëdha, po terma, koncepte, nocione, togfjalësha, të cilat ai i hapte dhe i krahasonte në përmasa kombëtare, rajonale, ndërdisiplinare.
Të tilla ishin dhe janë edhe veprat e tij të shumta, leximi i të cilave do përgatitje intelektuale e interkulturale. E tillë është përmasa interdisiplinare e trashëgimisë së tij.
Përmasa e kërkimeve të tij është jo vetëm shqiptare dhe jo vetëm ballkanike po edhe europiane e sidomos mesdhetare, prandaj pa konsultimin e veprës së tij, temave të mëdha mesdhetare/homerike të tij, përkimeve e ndërndikimeve gjuhësore të greqishtes, latinishtes, frëngjishtes e sllavishtes mesjetare me gjuhën shqipe nuk mund të merret me mend shqipja ballkanike, mesdhetare dhe indoeuropiane. Pa diskutimin e disa fjalëve të lashta të shqipes mesjetare, kompozitave e togfjalëshave të shqipes, nuk do të mund të njohim shumë rrafshe të zhvillimeve të brendshme të saj.  Le të thuhet këtu se pa studimin dhe njohjen e neologjizmave, nocioneve e termave në gjuhën shqipe, të cilat ai i solli falë dijes së tij dhe mundësive intelektuale e shkencore për t’i parë ato në kontekstin krahasues me gjuhë të tjera, do ta kemi të varfër fondin e kërkimeve shkencore dhe traditën historiko-gjuhësore të shkollës nacionale.
Për fat të keq, vepra e tij, në këtë kohë transicioni të stërzgjatur, as nuk perceptohet lehtë as nuk referohet lehtë, qoftë edhe në projekte të mëdha shkencore, të cilat ende mbahen peng prej klanesh, grupesh e individësh, pa begrandin e nevojshëm për të realizuar vepra të tilla.