Poezi nga Stefano Baldinu (Shqipëroi: Irma Kurti)

Poezi nga Stefano Baldinu (Shqipëroi: Irma Kurti)
POEZI NGA STEFANO BALDINU
 
Stefano Baldinu ka lindur në Bolonjë në vitin 1979 dhe banon në San Pietro në Casale (Bolonjë) që nga viti 2003. Pas diplomimit në Kontabilitet, ka punuar për dhjetë vjet si nëpunës në një kompani publiciteti dhe, më pas, fillon të punojë, gjithmonë si nëpunës, në një oficinë mekanike në provincën e Bolonjës. Ka filluar të shkruajë poezitë e para në vitin 1998 si një sfidë apo imitim  të poetit dhe shkrimtarit italian Ugo Foscolo, dhe pas “takimit” me poetët spanjollë, në veçanti me Garcia Lorcan dhe latino- amerikanët, mbi të gjitha Nerudën, fillon rrugëtim poetik që vazhdon edhe sot. I pëlqen muzika dhe poezia, preferon autorët spanjollë, latino - amerikanë, po edhe ata italianë si Ungaretti, Montale, Leopardi dhe D’Annunzio.
Ka botuar disa libra me poezi dhe për krijimtarinë e tij ka fituar çmime dhe vlerësime të rëndësishme në konkurse letrare.
 
LETËR NJË GRUAJE

Fli, mikja ime, fli tani
lëre veten të çlirët ashtu siç bëjnë hijet
kur mbrëmja mbërrin
është gjumi që të mbledh
ashtu si një dorë kalimtare
shtrëngon një degë të thyer
e çdo petal të mbyllur rimbështjell
rreth skajit të trupit tënd të palëvizshëm.
Fli gjumë, dashuria ime, me atë paqe pafund
që sytë kanë nën qepalla
rreth teje vetëm heshtje
dhe ujë që nuk rrjedh
unë e mbledh që të bëhem më i madh,
 të bëhem më i vogël, për të humbur mes shumë pikave
që gishtat e tu shpesh nuk i mbajnë
për të kërkuar imazhin tënd më të pastër
midis rrathëve koncentrikë të dhimbjes tënde.
E sheh, kjo është jeta që duhet jetuar
kjo është jeta jote që tani më takon mua
ashtu siç të përket ty vdekja ime.
Por ja, hapat e dritës vijnë
për të kapur imazhe nga sytë e tu
dhe bojën në zemrën time e fshijnë
fli, e dashur, fli përsëri
nuk kam asgjë tjetër për të të thënë
tashmë ke shkruar gjithçka për këtë natë
s’mbetet gjë tjetër veçse dita e gjatë.
 
SHKALLA

Ti do të ngjitesh përsëri, do të ngjitesh
siç ke bërë deri tani
në shkallën midis dy krahëve të hareshëm të bimëve.


Do të ngjitesh ashtu siç bën dielli
hap pas hapi, pak nga pak
dhe do të fshihesh pas ndonjë hijeje
pas kushedi e di se çfarë dritareje paskëtaj.

Vështrimi yt heshtjen do ta përqafojë
dhe heshtja jote një tjetër heshtje prapë
madje edhe timen që një fërgëllimë
emocional ere është tek kjo shkallë.
 
Shqipëroi Irma Kurti