Poezi nga Eldina Ago - Përgatiti: Irma Kurti

Poezi nga Eldina Ago - Përgatiti: Irma Kurti
ELDINA AGO lindi në Berat në vitin 1989 dhe jeton në Itali prej 25 vjetësh. E apasionuar pas të shkruarit qysh në moshë të re, në vitin 2004, u shpall një ndër ndër finalistët në një konkurs poezie në provincën e Sienës, në nderim të Mario Luzit. Ka mbaruar Universitetin në degën Gjuhë dhe Letërsi të Huaj në Universitetin e Bergamos dhe aktualisht jeton në Komo, ku punon si mësuese në një shkollë fillore.
 
VJEN NATA
 
Ti je lot
që mbaj në krahët e mi
kur papritur vjen nata
 
je heshtje lirie
mbi qerpikët e mbyllur
kur hëna dalëngadalë
buzëqesh
me veshjen e saj të bardhë
 
dhe zbulon degët e pemëve
përgjatë rrugëve vdekura
 
largon ëndrrat
nga buzët e mia
 
fik rrezet e fundit të ditës
që lundron në kujtimet pa ngjyra
 
dhe vjen papritur ky çast
kur në dimrin e syve të mi
pëshpërima jote e zbehtë
merr flakë dhe përhapet
nëper cicërimat e zogjve
në fluturimin e tyre te fundit
pa kthim
 
****
 
IN MEMORIAM
 
Një orkestër e lashtë
shuhet në qjellin gri
 
heshtin tamburët
mbi qerpikët e zinj
 
unë te marr dorën
si dikur
dhe në kujtimet e zbehta
sytë e tu
rikthehen tek unë
përgjithmonë
 
shtrëngoj botën
në duart e lodhura
 
në duart e vdekura
plot mallëngjim
 
dhe rrjedh shiu
mbi sytë e mi
si dimri kur më le
të heshtur në vetmi
 
një pemë e blertë
atje poshtë
më tregon krenare
frutat e saj
jo
të ëmbla më nuk janë
 
në duart e forta
të vogla si hëna
 
unë kërkoj fjalët
të marra nga era
në ato fjalë je Ti,
jam unë
 
vallë një rrugicë,
vallë një qytet
i ka gjetur,
a i ka dëgjuar
apo kurrë?
 
ah, sa dhimbje
në eshtrat e zëmrës time
ti më vëzhgon nga Qielli
unë dergjem në vajtime
 
por unë e di
Ti je këtu
në sytë e mi
 
më buzëqesh
e mbi buzët e tua
unë ndjej lirinë.
 
Përgatiti: Irma Kurti