Poetja italiane Caterina Alagna me vargjet e saj në gjuhën shqipe

Poetja italiane Caterina Alagna me vargjet e saj në gjuhën shqipe
Poetja italiane Caterina Alagna me vargjet e saj në gjuhën shqipe të përkthyera nga Angela Kosta.
 
Caterina Alagna ka lindur në vitin 1987 në provincën e Salernos. Në vitin 2011, ajo u diplomua në Shkenca Edukative në Universitetin e Salernos.
Në vitin 2022 ajo botoi përmbledhjen e parë poetike, "L'Odore Dell'Anima - Profumi i Shpirtit" , e cila përmban kompozime që tregojnë shpirtin në tërësi, ndjenjën e thellë të pikturuar nga aspekte të panumërta, që shpesh përpiqen të dalin nga deti i varrosur që çdo qenie njerëzore fsheh brenda vetes.

SHPIRT I FUQISHËM

Për të gjitha femrat

Gruaja, kolona e artë
që mban jetën në kocka dhe brendësi
në shpirt, e ndjeshme dhe e vyer
që esencën e gjithçkaje thith,
në duart që mbajnë malet
nga ankthet dhe frika,
e dëshirave dhe shqetësimeve,
e mendimeve të gatshme
për të lundruar në dete të errëta
vetëm për të zbritur në tokat e dritës.
Grua, të dhanë imazhin e dobësisë
sepse nuk e dinin,
ose ndoshta
sepse i frikësoheshin idesë
që nga një lule e butë prej mishi kadifeje
u gjenerua një altar solemn
drita e shpirtit tënd të fuqishëm
ku krahasimi vyshket
me shkëlqimin e yjeve.
 
BIE SHI

Gjithë natën bie shi
në kujtimet e verës…
në errësirë ​​dolëm
dhe treguam trupat e përngjyer me kripë
për të mbushur ajrin me frymë perlash
dhe fjalë që vezullojnë si yje.

Bie shi
në rrëpirat scozese
në rrugët me pluhur
përgjatë brigjeve
të gjymtyrëve të rraskapitur
por në shpirt shkëlqenin copëza paqeje
mbirë në gërshetim thurjeje të poezisë.
 
DO TË DOJA

Do të doja të isha çelësi
që shpërthen darët e zemrës tënde
të eksploroja qoshet e errëta
për të çliruar dëshirat
që vijnë erë manushaqesh.

Ti, tufëz hëne,
me buzët e tua me aromë myshku,
puth sytë e mi të çmendur
që dridhen furishëm
në tokën e errët.

Në sytë e tu të zhytur në hije
shihet një ëndërr qiellore,
një britmë dritash
që dëshirojnë përkëdheljet epshore
dhe puthje sensuale, të zjarrta me yje.
 
Përgatiti Angela Kosta poete, shkrimtare, përkthyese, publiciste
dhe Zv. Drejtore & Zv. Kryeredaktore në Albania Press.