HËNA E DI SEKRETIN
Hëna i grisi retë, si nuse e ndrojtur nxjerr të bukurin sy
Te Foleja e Valëve vjen, me lajka e dredha më futet në gji
Buzët më ndjek, më kë flas: Ti me valën ishe dhe mbrëmë.
-Si s’më lë një herë moj hëna ime, një sekret asaj t’i them?
Ajo qesh e sytë ëmbël m’i puth: Edhe mua s’bëson, vërtet?
Ta di brengën, mos më thuaj jo, ma tregoi mbrëmë vala vet
Atë e panë pulëbardhat, me kapele e bluzë të bardhë borë
Ulur te guri juaj, vështrimtretur te deti, me një libër në dorë.
Bisedonte me ankthin ulur këmbëkryq, sytë te vala i mbeti
Sa herë merrte guximin ta pyeste: -Po sikur të dalë sekreti?
E panë pulëbardhat zëmërmira, ia thanë valës shpejt e shpejt
E shikon qe e di dhe unë sekretin. Edhe ajo me ankth të pret.
SI S’ PATA GUXIMIN...
Sy të bukur kish ajo, magjiplotë, qetësi në kaltërim
Ngjyer zërin te mjalti, zogëze rrallë, moj, në cicërimë
Hapi i saj ndriste në klasë, dielli rrinte varur në dritare
Prisnim ne krahënjomtit, gojëhapur, pak forcë, pak fare.
Nanuritej në ëndrrën e saj, butësisht kjo ëndrra jonë
Binte mbrëmja, çelte mëngjesi, yll polar mësuesja jonë
Qëndistare si Penelopa, na ngjiste krahët si Dedali
Priste tutje, deti, qielli, horizonti dhe i miri, i bardhi kali.
Edhe unë kalërova si ti, koleg, jo pak, një jetë të tërë
S’të mbërriti vjersha ime e parë, as manushaqja me erë
Zverdhoi shumë letra, gjurmët e lules në të kanë ngelur
Si s’pata guximin, mësuese e ndjerë? Sot... ajo ka çelur....
NË MEDYSHJE JAM
Vite, copa ngjyrëmanushaqe në komonë time pa dalë
Një natë të bukur vere, hënës topolake vendosa t’ia fal
Po mbrëmjes kur yjet kureshtarë prisnin të surprizuar
Ajo doli, ah, e kërrusur, gungaçe, e tretur, e ligështuar.
Copa me vezullime manushaqe u fut sërish në sirtar
Melankolike, e dështuar prapë, çfarë ta bëj vallë, çfarë?
Atë natë ta solla dhuratë për ty, por ngeli nën xhaketë
Si më hutuan sytë e tu? Si yjet e shndritshme në vjeshtë?!
Një bluzë të qepje me ngjyrën e lules që mësueses i çoja
Të ndriste gjoksin e bardhë e erë t’i merrja sa herë të doja
Po ç’ishte kjo, si më hutuan yjet e hëna si më bëri magji?
Si në ëndërr me ike ti, më mbeti në duar copa manushaqe
Shpesh më thotë nëna: Pse s’e qep këtë copë mor bir?
-Prit moj nënë , të vij pranvera, ta bëj këmishë të mirë
Pranverat ikin, nervoz hap komonë me dhembje e sëmbim
Në mëdyshje jam: ta qep këmishë a ta mbaj si kujti
PRANË OXHAKUT
Kam ditë që po kuvendoj shtruar me oxhakun tim
Belbëzon ai me buzët zjarr, e bubullon pak nga pak
Në dritare shiu dhe era më kërcënojnë me fishkëllima
Unë sytë i kam ngulur prushit e s’bëhem fare merak
Më kupton gjuhën prushi e më dëgjon i përgjëruar
Gëzohet, e shtjegulla flakë lëshon në zjarrin bubulak
Kërcet si fishekzjarr me një dritë të bardhë vezullim
Na mbajnë në gojë, thoshte gjyshi, ky burrë i zgjuar plak.
Kështu thosh gjyshi im për shtjegullën e kuqe profete
Nuk e dinte na mbanin për mirë a për keq miq e gjitonë
Sot oxhaku im shtjegulla flake lëshon duke bubulluar
Mos vallë ajo , me sy të trishtë, me mall po më kujton?
KAMARJA E GJYSHIT
Bri oxhakut një kamare e vogël te shtëpia e vjetër në fshat
Gjyshi im në të vinte xhezven, filxhanë dhe të paktat paratë.
Herët në mëngjes shtynte lehtë perden me dantellë qëndisur
Xhezven vinte në zjarr, dridhte me lezet mustaqet e ujdisur.
I kënaqur thithte aromën e kafes me avujt e hirtë fjollë-fjollë
Për mua fuste dorën në kamare e më jepte ndonjë të hollë.
Një ditë i erdhi një hallexhi në konak, i kërkoi hua një napolon
Pa e zgjatur gjyshi fut dorën në kamare , të ngratin e nderon.
Kaluan javët, muajt, ky hallexhiu i ngratë nuk u duk gjëkund
Kujtoi se gjyshi e harroi, na u tregua i zgjuar ky fshatar bujk.
Teklif erdhi pa iu skuqur faqja fare, trokiti një ditë në derë
I buzëqeshi gjyshit, iu lut hua një napolon edhe ketë herë..
Shtyu perden gjyshi: -Fute dorën, i dashur mik, në kamare
Po e ke lënë aty, merre, me gjithë shpirt ta kam falur fare.
U gajas fort kamarja, ngeli si i shastisur i shkreti hallexhiu
Hapi derën e iku si hije , ia mbathi këmbëve, dheu e përpiu.