Nikolin Sh. Lëmezhi – Biografi dhe një cikël poetik

Nikolin Sh. Lëmezhi – Biografi dhe një cikël poetik
Nikolin Sh. Lëmezhi – Biografi dhe një cikël poetik
 
Nikolin Sh. Lëmezhi ka lindur, më 4 shtator 1977 në fshatin Blinisht (Lezhë). Shkollën 8˗vjeçare e kreu në fshatin e lindjes, te mesmen në Shënkoll të Lezhës dhe Filozofinë në Shkodër në Seminarin Papnor Katolik nga viti 1996 deri në vitin 1998. Ka jetuar në Itali nga viti 1998 deri në 2008. Në vitin 2004 përfundoi studimet e Teologjisë në Universitetin Katolik “San Tommaso” në Messina të Siçilisë. Që i vogël i ka pëlqyer të lexojë e të shkruajë. Është i bindur se poetët e mëdhenj vijnë nga kushte të përvuajtura jete.
Që në shkollën 8˗vjeçare disa poezi të tij transmetoheshin nga radioja e atëhershme kombëtare.
Përgjatë viteve ka publikuar poezi, tregime, artikuj, përkthime dhe recensione tek revistat dhe gazetat katolike si, “Mbas Teje”, “Kumbona e së Diellës”, “Agimi” (Gazetë e qendrës shqiptare në truallin e Otrantos), si edhe në gazeta e revista letrare.
Në Tetor të vitit 2021, publikoi përmbledhjen e tij të parë me poezi, me titull: “Si pika vese”. Në shtator të vitit 2022 vjen për publikun me vëllimin poetik “Kur Heshtja flet”, një libër me poezi të shkurtra meditative që janë edhe fryt i përvojës së tij shpirtërore. Të njëjtin vëllim, e ka publikuar në tetor të vitit 2023 në versionin gegnisht, me dëshirën për të ruajtur gjuhën e trashëguar prej të parëve, duke i dhënë kështu, ngjyra më të ndezura poezisë së tij të përshpirtshme. Tashmë, libri me poezi “Kur Heshtja flet”, falë Provanisë Hyjnore, sheh dritën e botimit edhe në anglisht, në muajin nëntor 2023.
Në Prill të vitit 2023, botoi broshurën “Rruzarja e Zojës së Bekuar”, një manual praktik për të udhëzuar besimtarët në lutjen tradicionale katolike të Rruzares. Në Maj të vitit 2023 botoi broshurën “Shën Rroku nga Montpellier”.
Veprimtaria e tij, megjithëse në Heshtje dhe plot modesti, është e gjithanshme. Në fakt, në tetor të vitit 2023, publikon edhe një monografi të shkurtër për jetën dhe lutjet e shenjtes Brixhida të Suedisë. Gjithashtu, kemi kënaqësinë të shohim të botuar edhe në Gjermanisht, në Nëntor 2023, vëllimin e tij të dytë me poezi me titull “Kur Heshtja flet”, botuar për herë të parë në gjuhën standarde shqipe në shtator 2022.
Aktualisht merret me përkthime, publikime, grupe lutjesh, mësim feje dhe aktivitete vullnetare e bamirësie.
................................................
AI MË DËRGOI...
“Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin,
t’u shpall robërve çlirimin...”. (Lk. 4, 18)
 
Sa zinxhirë
po copëtoj,
përgjatë
kësaj Rruge,
e prapë
skllevër
duan të rrinë!
 
Shkodër, më 12. 12. 2022
 
JANË SHQIPTARËT PËR TY SHQIPËRI!
 
Shqipëri, o Nënë e shenjtë,
n'historinë tënde të rrallë.
Do të jem unë bir i denjë,
do të jem një gur i gjallë.
 
Ti je Nënë gjithmonë me nder,
ti je toka e larë me gjak.
E pamposhtur je përherë,
je shqiponja mbi bajrak!
 
Ndaj gjithmonë plot dashuri
do të këndoj në tokën mbar’:
Nëna ime, je ti, Shqipëri,
emri yt më bën krenar.
 
S'do të pres nga askush tjetër,
të vërë dorë mbi këtë ndërtesë.
Tokë hyjnore, kaq e vjetër,
po ta jap sot ty këtë besë.
 
Sa t'jen' dielli edhe hëna,
sa të jetojë kjo njerëzi,
sa t'ketë bij lindur nga nëna,
janë shqiptarët për ty Shqipëri!
 
Shkodër, më 28. 02. 2023
 
PRANIM
“U bëftë vullnesa jote...”. (Mt. 6, 10)
 
Gjithçka
qëndron në pranim.
E, kur pranimi
bëhet me gëzim,
çdo gjë shndërrohet
në lartësim.
Aty, pastaj,
ka jetë dhe liri
në çdo drejtim.
 
Shkodër, shkurt 2023
 
BOSHLLËQET
 
Boshllëqet
vetëm Heshtja
mund t’i mbushë.
 
Shkodër, më 05. 03. 2023
 
LAJMI MË I MIRË
 
Jam njeriu më i lumtur në botë,
sepse jam biri i Atit Qiellor.
Asnjë fije floku s’do t’më bjerë prej kresë,
të njoha Ty, o Atë, dhe Ti më mjafton.
 
Oh, sa e bukur jeta me gjithë këtë bekim,
tashmë të kam Ty në çdo të vështirë!
Seç ma ndërrove pikëllimin në gëzim,
o Atë Qiellor, babai im i mirë!
 
Ç’është gjithë kjo paqe, gjithë kjo mirësi?
Një thirrje në zemër vazhdimisht jehon:
Është Lajmi i Mirë, plot me dashuri,
që Emrin e Atit çdo ditë na e zbulon.
 
Lorient (Francë), më 06. 10. 2022
 
MËKATI DHE JEZUSI...
 
Jeta është e shkurtër,
vdekja nuk vonon!
Mëkati është shkaku,
por Krishti e shëron!
 
Shkodër, më 11. 03. 2023
 
TË NDRYSHËM... E TË BASHKUAR
 
Seç ëndërrova një natë,
burra e gra,
të vjetër dhe fëmijë së bashku
me ngjyra të ndryshme
nën të vetmin diell!
 
Seç ëndërrova luftërat,
dhimbjet dhe urinë
bashkë me vuajtjet
e breznive të së kaluarës
që më nuk është!
 
Seç ëndërrova një natë,
se sa bukur do të ishte
të bashkonim ngjyrat
e të shikonim këtë njerëzim
si një lëndinë të lulëzuar!
 
Papritmas një zë më zgjoi,
duke më pëshpëritur ëmbëlsisht:
Të ndryshëm në ngjyrë
është ajo që na bashkon
dhe ylber na bën.
 
Marino (Romë), më 14. 10. 2004
 
EMRI YT, O ATË!
(Kushtuar Atit Qiellor)
 
Atë!
Ti je Emri më i bukur
në këtë jetë
e në Përjetësi!
 
Atë!
Je Emri më i bukur i Dashurisë
që jetës i jep Jetë
e mund të quhesh edhe Nënë!
 
Atë!
Ti je Emri
që çdo krijese
i ke dhënë një emër!
 
O Atë i mirë!
Në Emrin tënd
gjej vetveten
dhe gjithçka që më kishte humbur!
 
O Atë, Babai im i dashur!
Unë, biri yt endacak,
zbulova Emrin tënd,
ndaj jam kaq i lumtur!
 
Mrekullisht, gjithçka më flet për Ty,
e më josh, pa shumë shpjegime,
drejt thellësive të tua të pafund:
E jam gjithmonë i lumtur!
 
Blinisht, më 09. 05. 2023
 
ATI NA DHA GJITHÇKA...
“Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën
saqë e dha një të vetmin Birin e vet...”. (Gjn. 3, 16).
 
Ati
na ka dhënë
gjithçka
që kishte,
që ne të jemi
plotësisht
të lumtur!
 
Shkodër, më 21. 06. 2023