Përsiatje letrare
PËRSE GJITHË KY PESIMIZËM NË POEZITË TONA?
Në mbrëmjen e të martës lexova shumë poezi në rrjetin social fejzbuk, ku i jepet mundësia secilit që shkruan e dëshiron të publikojë poezinë e tij, ta postojë poezinë e tij e çfarëdo niveli qoftë ajo.
Çuditërisht, dominonin poezitë pesimiste dhe zhgënjyese dhe nuk shihnin askund as një fije drite e shprese, por vetëm terr dhe zi.
U bëra tepër nervoz, sa që desh plasa nga ky pesimizëm i tepruar. Poezitë që lexova thuaja se të gjitha ishin pesimiste, andaj u pendova që i lexova, sepse më çmendën fare.
Nuk pashë askund asnjë fije optimizmi. Kjo më tmerroi. Si është e mudur të shkruajnë kaq poezi pesimiste?! Përse gjithë ky pesimizëm në poezitë tona?!
Nuk është jeta kaq e zezë, siç shkruanin ata. Përshkruanin vetëm mjerim dhe mjerim dhe pa parë asnjë dritë të vetme në fund të tunelit. E tmerrshme është kjo.
Andaj shtrohet pyetja: Përse gjithë ky pesimizëm në poezitë tona?! Na mbytën me gjithë këto pesimizma. Përse ‘poetët’ nuk shkruajnë poezi optimiste, por vetëm poezi pesimiste?!
Kthehuni kah e mira, kah e bardha, kah optimizmi…! Edhe popullin e çmendët fare me gjithë këto pesimizma. Sikur në këtë jetë nuk ka bardhë asgjë, por vetëm zi. Mjerisht, poezi pesimiste po shkruhen pos në Kosovë edhe në Shqipëri. Do të duhej të ndalej ky trend i trandur dhe i keq.
Përse dikush sheh vetëm zi e vetëm terr?! Njerëzit e tillë a thua shohin ndonjëherë bardhë? Fjalë e rëndë është fjala ‘kob’ që u tha në një poezi.
Unë besoj se askush “nuk po ndjell ‘kob’ për Kosovën” (Zoti na ruajt nga ata mëkatarë), por përkundrazi mendoj se secili i uron Kosovës vetëm të mira, përparim, zhvillim e lumturi!
Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë dhe trojet tjera ku jetojnë shqiptarët! Janë të bekuara pa fije dyshimi se Zoti i krijoi të tilla, vende të bukura me përplot mrekullira, vetëm që duhet të dijmë t’i shijojmë.
Andaj, nuk shijohen me pesimizëm. Të shkruajmë poezi optimiste që t’u japim kurajo e vullnet njerëzve për jetë!
Duhet ndërruar kahja e shkrimit në poezitë tona, përndryshe “mozomakeq” e kemi humbur ‘torruan’ se kah jemi duke shkuar! Ose edhe më keq, në një poezi e lexova këtë titull “Kurrë nuk ia fali”! Kujt po ia servon këtë mesazh negativ? E tmerrshme! Ky titull ka ndikim të madh te ata që e lexojnë, sidomos tek të rinjtë, të cilët pas leximit të kësaj poezie, mendojnë se nuk po u dashka që njeriu të fal.
Po e lus Zotin të na kthejë mbarë dhe të mos shkruajmë poezi pesimiste, por poezi optimiste.
Shkrimtari ynë Adem Demaçi në një poezi të tij me titull “Afishja e katërt e poetit” shumë bukur jep mesazh të qartë për pozitivitet dhe optimizëm. Ai është kundër pesimizmit, kundër vajtimit e ankesës.
“O vargu im pusho vajin
Pusho vajin se na qesh bota
Nuk do të mbetemi prore fëmijë
Fëmijë që vetëm do të qajmë e ankohemi…”
Këto vargje nuk duan koment, por duhet përfillur dhe vepruar që mos të ankohemi e vajtojmë, pra kundër pesimizmit dhe pro optimizmit.
Stavri Hima shumë bukur shkruan dhe i shprehë mendimet e tij: “Pesimizmi është vrastar. Optimizmi shpirtin mbanë gjallë dhe jep jetë.”
Ja një poezi që shprehë optimizëm.
JETËN E SHOH BARDHË
Ëndërroj jetën
Në blerim
Çdo gjë e bukur
Nis me fillim
Me të mirën arsye
Me pozitiv mendim.
Shoh veç dritë
Nuk shoh terr
Të tashmen
Ardhmërinë
E shoh t’bukur
Kurrë në tmerr.
Shoh veç bardhë
Nuk shoh zi
Të gjitha sfidat
Do i përballojmë
Jetën të lumtur
Do e gëzojmë.
Nuk e shoh jetën
Veç zhgënjim
Veç ankesë
E shoh jetën
Me optimizëm
Me plot shpresë.