Mikel Gojani – Cikël poetik

Mikel Gojani – Cikël poetik
BOTA E DJESHME, NDRYSHE!
 
1.
Ti nuk më premtove asgjë në këtë botë,
Unë kryetheva qafen në rrugë të parrugë,
Nga ai udhëkryq i mbërthyer
Nuk di nga do kaptoj.
 
Sot,
Të solla ty këtë lulevjeshte,
Të të dhuroj,
Të shpreh mosbesimin
Ndaj çdo njeriu tjetër,
Që i takon kësaj bote
Të mistershme.
 
Botë mashtruese.
 
Kanë ndryshuar kohërat
Jetojmë në stinë aklimatizmi.
 
2.
Më prit!
Ndjej një ogur:
Do lirohem nga këto kurthe
Të botës së sotme;
Të përjetojnë
Fundin e pafundësishëm.
 
3
E djeshmja
Rendon si vegim drite
Në prushin e prushtë
Të fatit të plotfuqishëm.
 
SHI I VAJTUESHËM
 
1.
Në dhomën vetmitare
I rrethuar nga fotografitë
Me legjendat palimpsest
Ruaj kujtimet e bukura.
 
2.
Përtej qelqeve të dritares
Vrojtoj atë peizazh të mugët,
Që po binte
Me muzgun e qetë të pranverës...
 
Muzgu
Pas shiut të vajtueshëm
Mbështillej
Me heshtjen e rëndë plumb.
 
Nëpërmjet dritares
Si vegim drite
Rrezaton fytyra
E të Bukurës së Dheut
Bashkë me largimin
Të përnjëhershëm të saj.
 
3.
Ai shi i vajtueshëm
Rigon pandërprerë
Bashkë me erëra të forta.
 
Vjen nga perëndimi…
Nga perëndimi
Prore vjen
Ai shi
Plot dhembshuri! Nënshtrohem
 
SI NJË LUMË I HUMBUR
 
1.
Kurrë s’e kam besuar
Se do të ngjasosh
Në një lulevesë
Të këputur në mars.
 
Nga ta marr burimin
T’i ujis
Lulet të lëna peng kujtimi.
 
Çdo ditë
Jetoj me shpresën
Dhe pengun e dashurisë.
 
2.
Lumi rrjedh
Si një ëndërrim i paftuar
I kujtesës.
 
Hija i ngjason
Etjes së ngrirë
Në buzë të shkrumbuara...