Meri Bo - ETYD!

Meri Bo - ETYD!
ETYD!
 
Ulur, mbi themelet e një fari
në pikën më të lartë,
ngjitur me detin,
vështrim, përzier me ngjyrat e horizontit,
tymosja cigare te shqetësuara mes miqve.
 
Më magjepste çdo detaj i natyrës
Atje tej, thyhej dallga
ndërsa nga thellësitë e shpellës
dilnin nota muzike.
 
Ato i dëgjojnë ata,
që duan te shfletojnë arkivat e shpirtit.
 
Frymëmarrje dhe tym,
ngjyra me pak dritë,
kalon nëpër peizazh.
E gjithë kjo,
një pikturë që tani po e kompozon dora jote,
dhe unë, tek ti, e shoh dhe e jetoj.
 
Nata është e lagësht, e heshtur
Dritat në det udhëtojnë ngadalë,
si anije me vela të shtrira
që era i merr herë andej,
herë këtej kështu ngadalë,
pa destinacion.
 
Kujtime të lumtura pranverojnë,
nga hijet e natës,
imazhe adhurimi dhe gëzimi
aroma dashurie e zjarri,
të gjitha në një valle,
këtu në breg,
në detin e mendjes,
Në det !