Jyotirmaya Thakur (shqipëroi Irma Kurti)

Jyotirmaya Thakur (shqipëroi Irma Kurti)
JYOTIRMAYA THAKUR
 
Jyotirmaya Thakur ka lindur në Indi. Ajo është një drejtoreshë e dalë në pension e një shkolle të binjakëzuar me Kembrixhin, autore dygjuhëshe e pesëdhjetë librave në shumë zhanre si dhe të tjerave në pritje për t'u botuar. Poezitë e saj janë përkthyer në mbi 44 gjuhë; ajo është gjithashtu bashkautore në shumë Antologji Ndërkombëtare. Poezitë, tregimet, artikujt dhe punimet e saj shkencore janë botuar gjerësisht dhe përkthyer në shumë gjuhë në gazeta të njohura dhe revista me reputacion. Jyotirmaya Thakur është një autore dhe poete e shquar, ambasadore e paqes dhe një akademike me përvojë. Një zë që duhet dëgjuar në kohët e trazuara. Përvoja e saj akademike dhe intelekti kombinohen për t'i bërë librat e saj një shoqërues të dobishëm për këdo që kërkon një shteg në një labirint kaosi.
 
NUK ËSHTË KURRË VONË
 
Të fortë apo të dobët, të guximshëm apo frikacakë,
Të gjithë ndihemi të dobët a të frikësuar jo rrallë,
Pozitivë apo negativë, të ndritur apo të errët,
Ne të gjithë përballemi me errësirën e thellë.
Të humbur ose të gjetur, të harruar a të kujtuar,
Ne të gjithë i kalojmë faza të tilla, të vetmuar,
Shpresë apo dëshpërim, urrejtje apo dashuri,
Të gjithë jemi të pafuqishëm, kemi nevojë për ndihmë.
Besim ose mosbesim, besnikë ose jobesnikë,
Ne vazhdojmë të ndryshojmë herë pas here të gjithë,
Paqe ose trazira, gëzim apo fatkeqësi,
Fati ynë ndryshon vazhdimisht.
Probleme apo zgjidhje, stres apo qetësi,
Ne përballemi me sfidat që na rrethojnë të gjithë,
Ecim përpara ose tërhiqemi, por le të vazhdojmë drejt,
Nuk është kurrë vonë për t'i ndryshuar gjërat në jetë.
 
@copyrightJyotirmaya Thakur [Qetësia flet]

Shqipëroi nga Anglishtja: Irma Kurti