INTERVISTË
Të ndash poezitë me të rinjtë është një pasurim dhe sfidë
Sandrine Davin ka lindur më 15 dhjetor 1975 në Grenoble (Francë), ku ajo ende banon. Autore e poezisë bashkëkohore e frymëzuar nga tanka, ajo ka botuar 18 përmbledhje me poezi, e fundit prej të cilave titullohet "A nos ouvriers" në TheBookEdition. Punimet e saj studiohen nga klasat e shkollës fillore dhe të mesme ku Sandrine punon. Ajo ka kënaqësinë të ndajë poezi me të rinjtë dhe t'i inkurajojë ata të shkruajnë... Ka marrë gjithashtu një diplomë nga Société des Poètes Français për poezinë "Letër nga një ushtar".
Cila ishte qasja juaj ndaj botës së letërsisë?
Qasja ime ndaj letërsisë dhe më saktë ndaj poezisë filloi që në fëmijërinë time të hershme. Në fakt, rreth moshës 12-vjeçare mbaja një ditar në poezi. Me kalimin e kohës vazhdova t'i përkushtohem edhe më shumë të shkruarit...
Sa orë në ditë i dedikoni të shkruarit?
Nuk e përcaktoj sasinë e të shkruarit me orë, por me çaste të të shkruarit. Unë nuk ulem të shkruaj, sepse mbaj gjithmonë një fletore me vete dhe fjalët e mia derdhen në letër në çdo kohë të ditës apo të natës.
Ju keni botuar 18 përmbledhje me poezi. Me cilën prej tyre ndiheni më e lidhur?
Po, kam botuar 18 libra me poezi dhe çdonjëri prej tyre është i veçantë për mua, sepse i përket çasteve të ndryshme të jetës sime. Megjithatë, ka një fill që i lidh: lidhja e fortë që kam pasur me gjyshin tim dhe që reziston ende me gjithë kohën që kalon... Dua të përmend se vepra ime e fundit "A nos ouvriers" është ajo që mendoj se mund të bëjë për vete shumë njerëz.
Cila është tematika e poezive tuaja?
Nuk kam një temë specifike, por siç e thashë më parë veprat e mia përshkohen nga një lejtmotiv: lidhja me gjyshërit, rrënjët e mia, toka, bota e punës... Vargjet e mia frymëzohen nga haiku dhe tanka, poezi japoneze, të shkurtra dhe të drejtpërdrejta.
Cilat janë sfidat me të cilat jëni përballur në rrugëtimin letrar?
Një nga sfidat që i vura vetes ishte që një ditë do t'i botoja poezitë e mia me një shtëpi botuese "të vërtetë"! Kjo ndodhi, me shtëpinë botuese Kainfristanaise për librin tim “Là ou le soleil se fane” dhe Z4 Édition për përmbledhjen me poezi të shkruar në bashkëpunim me James Lilley “Verrous”. Unë jam e lumtur për këtë, por më pëlqen edhe vetë-botimi, prandaj shumë nga veprat e mia janë të vetë-botuara.
Mund të na thoni diçka për përvojën e ndarjes së poezive tuaja me të rinjtë?
Kam një bashkëpunim të mrekullueshëm me një mësuese të gjuhës frënge në një shkollë të mesme në Grenoble (Francë), nxënësit e së cilës studiojnë librat e mi me poezi. Më pas unë ndërhyj në klasë për t’i diskutuar ato. Më pëlqen të shoh shprehjen në fytyrat e tyre teksa zbulojnë poezi, që nuk janë klasike, të cilat ata i studiojnë zakonisht në shkollë. Është një pasurim dhe një sfidë t’i bësh studentët të shkruajnë apo lexojnë poezi!
Poezia duket se është harruar në shoqërinë e sotme. A është e vërtetë kjo?
Poezia nuk harrohet, por përmbledhjet poetike nuk shiten ose shiten pak, kjo është e sigurt!
Çfarë interesash të tjera keni përveç të shkruarit?
Përveç të shkruarit, unë luaj tenis; më pëlqejnë shumë shëtitjet në pyll, të jem pranë natyrës dhe rrënjëve të mia...
Cila do të ishte këshilla juaj për autorët e rinj?
Do të doja t'i këshilloja autorët aspirantë, siç bëj me fëmijët dhe studentët që takoj, të kenë besim tek vetja, të guxojnë dhe të ecin përpara! Mos kini frikë nga gjykimi dhe, mbi të gjitha, jini dhe qëndroni gjithmonë vetvetja!
INTERVISTOI: IRMA KURTI