Ildije Xhemali - Prozë, poezi (Përgatiti Angela Kosta)
LUTJE ZOTIT!
Krijuesi im,
Krijuesi i Gjithësisë!
Më plotëso një dëshirë, në është e mundur:
Kur t'më marrësh pranë teje në atë botë,
më ço pranë të pafajshmëve që lufta, me mjetet e saj, ua ka prerë jetën në mes
Në qofshin fëmijë, më fal edhe qumështin e lehonës që t'i ushqej dy fëmijë të kampeve kundërshtare.
Në qofshin dy vajza në moshë martese, më fal dhe nga një vello t'i shoh nuse, paçka se janë të kampeve armiqësore!
Në qofshin dy luftëtarë që njëri - tjetrin kanë vrarë, më fal një sofër pajtimi, që bashkë të hanë në miqësi, të paktën një vakt ushqimi!
Në qofshin dy nëna, fëmijtë vrarë, më fal dhuntinë që dhimbjen t'ua mpak.
Në qofshin dy komandant kundërshtarë (ata rrallë bien në shesh të betejave) gjykoji vetë, e zonja s'jam.
Luftrat nisin në gjaknxehtësi të kokave të nxehta që llogjikën e sytë ua errëson. Dhimbja noton në lumenjtë e gjakut, të derdhur nga bijtë e rritur larg lluksit dhe kasaphana përfundon me nënshkrime tavolinave.
Ç'thonë dhe si luajnë aktorët e sotëm, më qartë gjykohet nesër nga spektatorët gjakftohtë, por TË DREJTËS asnjëherë nuk i lejohet të ulet në vendin e duhur, ai vend gjithmonë është i zënë nga të padrejtët.
Por unë SOT nuk di të dalloj shtirjet dhe të vërtetat tek mendimet e "skenaristit", as prapaskenat e qëllimet e "regjizorit" të tragjedisë që detyrohen të luajnë dy a më shumë popuj të detyruar për të luftuar si gladiatorë,
duke derdhur gjak në skenat e teatrit të kohës.
ZOT, gjykimi përfundimtar i vërtetë, l DREJTË të takon Ty dhe vetëm Ty!
Nga Lindja e largët të vrarët bërtasin.
Të pafajëshmit, fëmijtë fort thërrasin:
"Ndaleni luftën, boll, nuk u ngopët me gjak?
Tek ne vratë, shkatërruat, kjo nuk qe pak.
Kur ne vriteshim e priteshim bota heshti.
Mbi ne bloza, gënjeshtra, asnjë çast s'reshti.
Në gjakun tonë u mbytëm dhe rilindëm.
"Botë e tretë" dje dhe sot, jo s'u përfillëm.
Por nuk ia urojmë askujt, fatin tonë.
Besojmë në një Zot, asnjëher' s'është vonë.
Falje të kërkoni dhe popujt të qetë t'i lini.
Të mëdhenj: "NDALENI luftën, larg armatimi!"
Përgatiti Angela Kosta