Allison Grayhurst (Shqipëroi Irma Kurti)

Allison Grayhurst (Shqipëroi Irma Kurti)
ALLISON GRAYHURST
 
Allison Grayhurst është emëruar pesë herë si "Poetja më e mirë online". Ajo ka mbi 1,400 poezi të botuara në mbi 530 revista ndërkombëtare revista, duke përfshirë edhe përkthime të veprës së saj. Ka botuar 25 libra me poezi dhe 6 libra xhepi. Allison jeton në Toronto me familjen e saj. Ajo punon gjithashtu edhe me argjilë.
 
ÇFARË ËSHTË
 
Çfarë është fundi
përveçse një vendimi që merret
në një ballkon, gjatë një stuhie,
në vetmi - duke evokuar,
në një lëvizje të shpejtë,
të kufizuarën dhe të përjetshmen si një?
 
Çfarë është paqja
përveçse një peizazhi
me pemë satelitore dhe një hënë të butë
që përkëdhel fushë dhe lumë
pranë kullotave që mërmërijnë
tingullin e nervit elektrik
të ekzistencës së saj?
 
Çfarë është fillimi
përveçse zbrazëti
pas një përmbytjeje ose zjarri, duke i kthyer
Zotit atë që ka qenë gjithmonë e Zotit
dhe pastaj duke u ngritur, ndoshta duke shkelur,
të lirë e të pambrojtur nga koha
dhe graviteti?
 
Çfarë është kjo ndjesi tani
të shoh nënën time teksa ndryshon,
që përkeqësohet, ka nevojë gjithnjë e më shumë,
që vuan gjithnjë e më shumë?
Të jesh e privilegjuar ta duash, të jesh
dielli, ylli, dhe bija
që shpirti i saj i madh meriton ndërsa përgatitet
të niset, të ndërmarrë këtë udhëtim përgjithmonë -
 
teksa shfaqet e kthjellët një minutë dhe e përhumbur
më pas, ndërsa nënvizon përthyerjen në libra,
duke lexuar fjalët e Jezusit tonë me zë të lartë -
 
Zot i madh dhe hyjnor, është e tmerrshme
për ne të dyja, të dimë se çfarë na pret,
duke besuar se ajo dashuri e madhe do ta përcjellë atë
me mëshirë, madje dhe me ngrohtësi,
përmes portës së fundit.
 
Shqipëroi Irma Kurti