Gjelina Maçi Keçi - Poezi
Gjelina Maçi, e lindur dhe rritur në Lezhë, e mirëarsimuar, me rrënjë nga Kelmendi!
Autore e 4 librave me poezi. “Jam grua“ ,” Bija e diellit” , “Përtej mallit dhe dashurisë“, “Me ty“
Poezitë e saj janë vlerësuar nga të gjitha mediat online dhe janë përkthyer e botuar edhe në vende të huaja! Ka marrë pjesë në konkurse brenda dhe jashtë vendit ku është nominuar për çmim në shumë revista, gazeta e antologji kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka qenë e vlerësuar dhe fituese e çmimit “At Gjergj Fishta” nga revista Mirdita në vitin 2023...
ËNDRRA
Qytetit të diellit ecejaken njerëz me bastun,
mbrëmja kur bie shpirti trazohet,
në tavolinën e darkës kur ti më je larg,
nata sterrin vërdalliset rrugicave të heshtura,
dhe unë në agoni për të mos rënë,
i lutem shpirtit t`shejtë me mendjen tek ti,
e muza përpëlitet në ekstazë.
Me kërcell të degës së ullirit filloj të shkruaj,
lëshoj mbi fletë të gjitha emocionet,
rënkon me gjithë atë peshë ngarkuar
e më bëhet shoqe shpirti,
e ëndrra më flet...
E marr n'grykë si nëna foshnjën,
e përkëdheli me ëmbëlsi,
e veshi në mëndafsh me lulet e pranverës,
me fije argjendi e flori e thur,
për hajmali ballit të saj diellin,
gushës gjerdan yjesh që flakërojnë,
gjijve të saj tuj pi binjakë.
Përveçse ndrit e mbushi plot jetë,
dikur zgjohem nga ai sy gjumë
krahë hapur pres agimin...
SI NË ATDHE TI S`VJEN ASKUND
Mozaik të blertë
në shtratin e shpirtit shtron
e kundron qiellin me yje
kur prehrit tënd bien.
Frymon buzëve të prushta të diellit,
çelin sythet, bisqet, lulet
e borën shkrin.
Përqafuar blerimin
hap shtigjet lumenjve,
e ujëvarave lahesh;
lëndinave derdh artin tënd,
gjaku të vlon dejesh.
Si në atdhe ti s’çel askund,
me ninulla gjijve të hanës rritesh,
në shtrat të detit përkundesh,
ndjell zogjtë tuj t' këndu,
bjeshkësh parfumon zanat, krojeve,
e dëshirash përpëlitesh.
Të dua;
por lulet e tua mos m'i shkund, në të tjera vende.