Fatbardha Kaci - Cikëp poetik

Fatbardha Kaci - Cikëp poetik
Fatbardha Kaci
 
AROMË BLIRI NË PRISHTINË
 
Deh mushkëri të qiellit aromë bliri.
Prek fytyrë t' Prishtinës ky parfum qershori.
Zogu i agimit nis fluturimin.
Rrezet e diellit i puthin zgjimin.
 
Në faqe ndërtesash
shkruar dorë engjëjsh,
premtim mosharrese të dëshmorit .
Në to, dhembje tjetër klith:
- 54 gra dhunuar...n' gjysëm vit...
Eh këto pemë bliri, si shpirt.
Zgjatur kanë krahë të njerëzisë,
në përqafim të ëmbël t' pafajësisë...
 
Vashë e hirshme mbrëmja zbret.
Këngë e dashurisë në qytet.
Aromë bliri vesh dhe yjësitë.
Duke uruar " Natën e mirë" ,
buzët e kohësisë i puthin ballin,
ballin edhe sytë e lirisë.
 
Aromë bliri...fryma jote...
Prishtinë...
 
KOHË VIRTUALE
 
I vejmë në valë interneti ndjesitë,
holter ajror i kohës,
për sytë e zemrës.
Ato vishen ngjyrash,
dhuratë facebook- u
apo fërfëllojnë në ikona...
...që t' i japin frymëformë,
prekjes,
ledhatimit,
përqafimit,
puthjes,
dehjes në ekstazë...
I veshim ndjesitë 
me shkronja, foto e video,
për të shtrydhur largësinë,vetminë,
për të fshehur ankthin, mallin...
...ligësinë...
që i gdhënd çekiç i Demiurgut,
prej akulli e zjarri.
Ndodh që ndjesitë ushqehen nga Hadesi
dhe çohen e marrin
kosën e kalorësit vdekje.
Ndodh të ngurtësohen,
llavë e mpiksur,
ku mbijnë lulet e hiçit
të sotkohës njerëzore
në kopështin e Thotit*.
Dhe i habitur pyet ky mëndjndritur:
- Kur njerëzimi do të shohë
dritën e së vërtetës?
___
*Perëndi egjyptiane e gjithëdijes.
 
AUTOBUZI I MËNGJESIT
 
Rrëshqet, teshtin,
në rrugën e sapozgjuar,
autobuzi i mëngjesit.
Sytë ende ngjyrojnë me ëndrrat...
Ballët, flakësh brambullijnë...
...mendimet e ditës sapoçelur.
Duart mbërthyer në mbajtëset.
Trup më trup, sikletshëm,
kujdesshëm, indiferentë...
Të ndryshëm në ngjashmëri.
Autobuzi i mëngjesit
heshtazi gumëzhin
në rrugën e sapozgjuar.
Galaktikë shpirtrash frymorë
në gji.
Mbi shpatullat e ndershme,
JETA...
 
PUNËTORI
 
Dorë e rreshkur
kapur pas makinës.
Si shpend trupi riosh.
Koka mbi mjet.
Djaloshi i punës
"kirurg" i qytetit,
plehrat mbledh.
I buzëqesh ditës së re.
I ndritin sytë e moshës së bukur.
Vështrim i shkujdesur...
Ka për të humbur?
Përshëndetje e mëngjesit
i ngroh rrugën.
Ç' halle ka hedhur 
pas shpinës shpërfillëse?
Apo e dashura e pret?
Djaloshi punëtor
me buzëqeshje të ngrohtë,
shpërbën përbuzjen
e kokëve bosh...