Cikël poetik nga Mentor Serjani
Mentor Serjani lindi më 12 maj 1965 në fshatin Sasaj, në krahinën e Bregdetit të Poshtëm, rrethi i Sarandës (sot Bashkia Himarë). Fëmijërinë dhe vitet e para të shkollimit i kaloi në vendlindje dhe në Piqeras, ndërsa arsimin e mesëm e përfundoi në Vergo të Delvinës në vitin 1983.
Në vitet 1984–1986 kreu Shkollën e Oficerëve të Artilerisë në Bunavi të Vlorës, ku u diplomua me titullin oficer artilerie.
Pasioni për letërsinë e shoqëroi që në rininë e hershme.
Krijimtaria e tij poetike është pasqyruar në vëllimet "Në rrjedhën e lirikave të jetës" (2018), "Erërat e ngrohta të dashurisë" (2020) dhe "Oksigjeni i Bregdetit sa një mrekulli e tërë", vëllimi i tij i tretë, ku ndërthuren poezia dhe poema në një univers të pasur ndjenjash, kujtimesh dhe dashurie për vendlindjen. Ndërkohë, ai vijon të punojë me përkushtim mbi vepra të reja, që përfshijnë poezi, skica, tregime dhe krijime të tjera letrare.
Në jetën profesionale ka ushtruar detyrën e drejtuesit të prodhimit në ish-Ndërmarrjen Bujqësore të Lukovës. Prej vitesh jeton dhe punon në Greqi, pa u shkëputur asnjëherë nga pasioni për letërsinë dhe nga lidhja shpirtërore me vendlindjen, të cilën e sjell vazhdimisht në vargjet dhe shkrimet e tij.
NËNAT TONA SHAMIZEZA
Nënat tona qajnë me shami të zeza,
Në shekuj mbi krye ato u kanë mbirë.
Nga të qarët shumë, kushedi sa breza,
Që nga të parët tanë, të parët ilirë.
Shumë të rinj u vranë, vajza e djem levendë,
Trima si shqiponja, veç për këtë tokë.
Shokë trima të rrallë, që mbetën legjendë,
Ato nënat tona i tretën me lot.
Mijëra fëmijë, nuse e dhëndurë,
Sa djem e sa vajza, pa mbushur njëzet.
As që vanë në vend, as u kthyen kurrë,
Mbetën atje tej, brenda mu në det.
«A u derëzeza!», refren i përjetshëm,
Lotët rrokullisen mbi qefin të zi.
Ato lotë nënash, lotë tepër të djegshëm,
Mos vallë kishin bërë ndonjë «marrëzi»?
Për një copë bukë e morën kurbetin,
Pesëdhjetë vjet nuk patën liri.
Jetuan me ferrin edhe me kjametin,
Skllevër proletarë, pa tokë e shtëpi.
Qajnë nënat tona dy orë pa gdhirë,
Qajnë shamizezat me një zë të mekur.
Veshur krejt në të zeza, me shpirt të mynxyrë,
Kurrë, asnjëherë, s'kanë për t'i hequr.
ECJA E KOHËS
Koha, pa u ndalur, ecën vetëm përpara.
Nuk dua ngashërime dhe lotë të hidhur.
Libri dhe poezia të jenë më të parat,
I lirë nga prangat dhe litarët, i zgjidhur.
Disa thonë se ka dy botë,
Unë them se ka botë pafund.
Të vrasësh mendjen është e kotë,
Sa botë janë, s'i gjen askund.
E sotmja e djeshmja ikën, u harruan,
Pritet e ardhmja, e afërt dhe e largët.
Ditët më të shumta si në mjegull kaluan,
Kohë e pavlerë, kohë e zvarrë.
E ardhmja njerëzit i mbush me gëzim,
I përqesh, i mashtron si një qene lara-lara.
Mbeten pa kuptuar në një pellg zhgënjimi,
Sepse fundi i jetës është gjithmonë përpara.
Koha ecën me zigzake e shtrembër,
Disa i flak në furtunë, në borë e të ftohtë.
Disa i heq zvarrë, i largon me thembër,
Disave u fut krahun, i mban afër, ngrohtë.
Por unë, si në këtë botë, ashtu dhe në atë botë,
Vetëm me Omar Khajamin dua të rri.
Mos u mundoni, e keni të kotë:
Sillna verë, sillna verë, Sakí!
Një nga refrenet e «Rubairave» të Omar Khajamit.
ËNDRRAT
Sa botë e bukur, bota e ëndrrave,
Mbushur me planete të shndritshme e meteorë.
Ëndrrat që zgjojnë sekrecionet e gjëndrave,
Dhe një botë përrallore ndien në ato pak orë.
Ëngjëjt zbresin nga qielli në tokë,
Dhe ngjiten përsëri nga toka në qiell.
Me ne bashkë, si vëllezër e shokë,
Në netët me hënë, në ditët me diell.
Ditët me lule, netët me yje,
Në mes të ditës, në mes të natës.
Zogjtë këndojnë me hare në pyje,
Nën rrezet e diellit pas shtërngatës.
Në ëndërr një vajzë e bukur më shfaqet,
Një mike e vjetër, e rrallë ndër shoqe qe.
I qeshnin buzët, sytë dhe faqet,
Diell i vërtetë që s'lind mbi dhe.
U zgjova i tronditur; në ëndërr isha,
Si një tornado duke turfulluar.
Më iku nga sytë mikja që kisha,
Si zogu në qiell duke fluturuar.
Ajo do të kthehet, shpejt do të kthehet,
Ashtu siç ka bërë dhe më parë.
Afshi i shpirtit dhe i zemrës do të ndihet,
Në buzët tona do të bëhet ujëvarë.
Eja, të pres si lulja prillin,
Si të dashurit presin majin.
Të shijojmë pranë burimit tërfilin e prillit,
Dhe aromën dehëse të luleve të çajit.
(Përgatiti për botim: Angela Kosta)



Moderator 