Fragmente të shkëputura nga libri “Xhemë Tërnafci. Sugari i Ҫetёs sё Azem Galicёs” i autorit Bedri Tahiri. Libri është bërë gati për botim, po pret që sa më parë të kaloi në duart e lexuesve...
XHEMË TËRNAFCI (1900- 1992)
Bashkëluftëtari më i ri në Çetën e Azem Galicës dhe njëherit ndër më besnikët e tij (ishin të një fisi, kuçjanë), ishte Xhemë Tërnafci. Ai u lind më 1900 në Tërnafc të Drenicës. I edukuar në frymën atdhetare, eci rrugës së të parëve të tij, duke u dalluar për trimëri e heroizëm të pashoq.
Xhema që nga koha e hershme e rinisë rroku armët e lirisë dhe i doli zot atdheut. Gjatë sundimit të egër të Mbretërisë SKS u radhit në Çetën e kryekomandantit të Lëvizjes Kaçake, Azem Galica, të cilit i qëndroi besnik deri në vdekje. Atë e përcolli kudo, sidomos gjatë kalimit të kohëpaskohshme në Shqipëri. Nëpër beteja tregohej hero i vërtetë.
Bajram e Xhemё Tёrnavci
Edhe kur Azem Galica krijoi bërthamën e parë shtetërore, Arbërinë e Vogël, Xhemë Tërnafci mbeti me kryetrimin brenda Zonës së Lirë. Ditën kritike të 15 korrikut 1924, kur u zhvillua Epopeja e Arbërisë së Vogël, trimi i Tërnafcit u gjend brenda rrethimit. Në të vërtetë, ai atë natë kishte qëlluar në një konak në Lubovec dhe, me të krisur topi i parë, në të aguar të ditës, kishte ngarendur drejt Kullës Kala, nga e cila kapedani kishte lëshuar kushtrimin. Ndihma e tij për ta çarë rrethimin qe e madhe. Luftoi fyt më fyt me forcat serbe derisa bashkë me komandantin e vet, Azem Galicën e plagosur shumë rëndë, hynë në Qyqavicë. Dhe, më kurrë nuk iu nda kryetrimit, e përcolli derisa e lëshuan në shpellën “Çuku që kërcet” në malet e Përçevës. Pas këtij varrimi të jashtëzakonshëm, Xhema bashkë me Shotë Galicën dhe me disa bashkëluftëtarë kalojnë në Shqipëri. Atje jetoi deri n kapitullimin e Jugosllavisë, në prill të vitit 1941, kur edhe kthehet në vendlindje, në Tërnafc.
NË LUFTËN E SHABAN POLLUZHËS
Gjatë Luftës së Dytë Botërore komandoi forcat vullnetare që luftuan kundër forcave çetnike, të cilat rrezikonin kufirin verior të Kosovës dhe planifikonin shfarosjen e myslimanëve e shqiptarëve në Pazar, në Sjenicë, në Rozhajë, në Tutin e deri në Plavë e Bihor.
Pas ripushtimit të Kosovës nga forcat ushtarake partizane- çetnike serbe, Xhema inkuadrohet në radhët e forcave ushtarake të Lëvizjes për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar nën komandën e Shaban Polluzhës. Ishte pjesëmarrës dhe organizator i Kuvendit të Llaushës, të Palacit dhe të Palluzhës. Si prijës i urtë e strateg luftarak, edhe pse ishte kryetar i komunës në Prekaz, planifikoi aksione të suksesshme kundër forcave armike, siç ishte prishja e urave dhe prerja e shtyllave në grykën e Braboniqit. Mirëpo, likuidimi komplet i rojës së OZN-së në Prekaz qe ndihmesë e madhe për Lëvizjen.
Xhemë Tërnafci, si bashkëluftëtari më i ngushtë Azem Bejtë Galicës, me sugjerimin e krerëve udhëheqës të asaj kohe ishte emëruar kryetar komune në Prekaz. Kjo, mbase i konvenonte për momentin, sepse edhe nuk binte fort në sy si luftëtar i rryer i çetave çlirimtare edhe kishte mundësi më të mëdha për ta ndihmuar popullatën shqiptare. Sidoqoftë, ai, me mish e me shpirt ishte me Lëvizjen për Çlirim e Bashkim Kombëtar te Shaban Polluzhës.
Komuna e Prekazit ishte vendosur në lokalet e shkollës fillore në Prekaz të Epërm. O Zot, sa çudi. Muret e asaj shkolle ishin bërë me gurët e kullës së Azem Galicës! E kush e kishte dashur më shumë se ai kapedanin e vet?! Askush, as edhe vëllezërit e tij! Jo, jo. Ky kishte qenë luftëtari më i ri në çetë dhe kapedani e mbante përherë pranë vetes. Dhe, sa herë e shikonte atë shkollë mendja i shkonte të kryekomandanti, Azem Bejtë Galica.
Parashikimet i dolën të sakta. Duke qenë në krye të komunës, shumë gjera i mori vesh më parë së të tjerët. Kështu, më 28 janar 1945, ishte informuar se forca të mëdha partizane çetnike, të përcjellura edhe me dy topa, ishin nisur nga Prishtina dhe përmes Grykës së Braboniqit do të mësynin Drenicën. Këtë informatë, pa humbur kohё, e dërgoi edhe në Rezallë, tek Shtabi i Përgjithshëm i Luftës. Shaban Polluzha dhe Shtabi, në marrëveshje edhe me kryetarin e komunës, Xhemë Tërnafcin, fill ndërmorën ca masa për ta parandaluar depërtimin e këtyre forcave, si: Të shkatërrohen urat dhe t’i prinin shtyllat e telefonit përgjatë Luginës së Braboniqit.
Këto askione do të kryheshin nga grupi prej 13 vetash, në krye të të cilit ishin Sejdi Zeqa, Nebih Meha dhe Dibran Haxhia.
Dhe, pa humbur kohë, edhe Xhema iu përvesh punës. I tuboi disa burra të fjalës e të pushkës, si: Shaban Manxhollin, Shasivar Fazlinë, Ilaz Halimin, Mujë Hysenin, Isuf Rexhën, Jetish Manxhollin etj.
“Pasi që i konsultoi dhe i dëgjoi edhe propozimet dhe mendimet e tyre, Xhemë Tërnafci paraqiti planin e masave që duhet të ndërmerren në bashkëpunim me grupin e luftëtarëve që një ditë më parë i kishte caktuar Shtabi Suprem i Lëvizjes dhe komandanti i saj Shaban Polluzha. Ndër masat e aprovuara ishin këto:
- Me çdo kusht të ndihmohej grupi i luftëtarëve, të cilit i printe Sejdi Zeqa, i cili kishte për qëllim shkatërrimin dhe minimin e urave në Luginën e Braboniqit, te Faqja e Lëmuet, në Vojtesh etj.
- Të likuidohej Postëkomanda e MP(OZN-a), që ishte vendosur në Prekaz,
- Pjesëtarët e rojës partizane që ishin shqiptarë, në momentin e volitshëm t’u bashkëngjitën forcave ushtarake të Lëvizjes,
- Të shfrytëzohej momenti dhe të mobilizoheshin meshkujt e moshës mdhore, në mënyrë që të shtoheshin radhët e njësiteve të lëvizjes, ndërsa gratë dhe vajzat të angazhoheshin për sigurimin e veshmbathjes dhe gjerave ushqimore për luftëtarët e Lëvizjes .
Dhe, dita e sprovës së madhe, erdhi. Më 30 shkurt 1945, grupi i luftëtarëve aksionist ra në kontakt me Xhemë Tërnafcin dhe me Isë Zymerin. Mirëpo, në momentin kur ata i afrohen ndërtesës së komunës, rojet partizane dhe të OZN-ës i hetojnë dhe shtijën mbi ta. Në ndërkohë aktivizohen edhe forca të tjera të armikut, kështu që grupi mbeti i rrethuar. Filloi një betejë e ashpër, për jetë a vdekje. Armiqtë shtoheshin nga çasti në çast.
Në ato momente Xhemë Tërnafci, Shaban Manxholli, Isuf Rexha, Sejdi Zeqa, Jetullah Manxholli, Shashivar Fazlia etj, ende ishin brenda lokaleve të komunës. Partizanoçetnikët ia mësyejnë komunës, me shpresë së kryetari dhe pjesëtarët e OZN-së do t’u ndihmojnë. Por, u mashtruan keq. Xhema lëshoi kushtrimin dhe iu drejtua shokëve: ”Burra, rrokni armët e të luftojmë. T’i sulmojmë forcat e armikut prapa shpine se kështu na thërret Atdheu, Kosova dhe Shqipëria!”
Sakaq beteja u ndez flakë. Luftohej fyt me fyt. Përreth objektit të komunës e deri poshtë te Zabeli i Prekazit dhe Zabeli i Mikushnicës, nuk shihej gjë nga tymi e nga flaka. Luftimet nuk pushuan gjithë paraditën. Armiqtë e tmerruar i rroku paniku. Ata, duke u tërhequr, ranë në pritë të njësiteve të Rifat Galicës dhe të Jetish Manxhollit dhe kështu të gjendur midis dy fronteve pësuan humbje të mëdha në njerëz dhe material luftarak. Vetëm afër shkollës u vranë 17 veta, ndërsa më poshtë 34 sish. Për të plagosur e të shashistur mos të flasim fare. Nga tanët nuk pati të vrarë, përveç plagosjes së Isuf Rexhës.
Po atë ditë, trimi Xhemë Tërnafci, i likuidoi edhe pjesëtarët e komandës së Mbrojtjes Popullore (OZN-së), të cilët ishin përqendruar brenda lokaleve të shkollës, gjegjësisht komunës.
Për heroizmin e Xhemë Tërnafcit flet edhe komandanti i Kompanisë së III të batalionit IV, Ilija Bojoviqi, në një raport, ku pos tjerash thotë: ”Më 1 shkurt 1945, njësitet tona në Prekaz sulmohen fuqimisht nga forcat kundërrevolucionare, ku zhvillohej një betejë e ashpër nga të dyja anët. Ballistët na sulmuan nga një pyll, duke thërritur, “mule, bre, shkiet”. Pasi që armët na ishin ngrirë nga acari i madh dhe nuk punonin më, beteja zhvillohej me kondakë, me thika dhe me bomba dore, ku ballistët mbetën të vrarë nëpër ara, sikur duaj. Në anën e majtë nga ndërtesa e shkollës fillore në Prekaz vërejtëm një grup njerëzish të armatosur, me yllin pesërrembёsh në kapela. Ne dërguam një skuadër prej 12 ushtarësh, të pajisur me një pushkamitraloz, për të ra në lidhje me të dhe për ta koordinuar luftën kundër ballistëve. Aty kishte qenë Shtabi i partizanëve, i përbërë vetëm prej shqiptarëve, të cilët me dinakëri i çarmatosen luftëtarët tanë, i futën në lokalet e shkollës, ku dy prej tyre e shfrytëzuan josyçeltësinë e ballistëve dhe arritën të ikin, kurse 10 të tjerët u likuiduan në mënyrën më mizore. Betejë e ashpër u zhvillua tërë ditën në malet e Prekazit dhe të Mikushnicës, si dhe në Braboniq.
Dhe, prej këtij momenti, Xhemë Tërnafci me bashkëluftëtarët e tij të kësaj beteje, iu bashkëngjitën Brigadёs së Shaban Polluzhës.
Pas rënies së Shaban Polluzhës, Xhema për një kohë mbeti në ilegalitet. Pas amnistimit të përgjithshëm edhe ky kthehet në shtëpi, por kurrë nuk e lanë të qetë njerëzit e UDB-së.
Ky atdhetar i madh, që gjithë jetën ia kushtoi kombit e atdheut, vdiq më 30 prill 1992, në moshën 92 vjeçare, dhe u varros aty ku kishte lindur, në Tërnafc. Vajti në atë botë me brengën që nuk e pa Kosovën e lirë e të bashkuar më Shqipërinë, ideal ky, për të cilin ai dhe shokët e tij dhanë shumë.