ALMA NDOJ
Alma Ndoj është nga Dërveni i Fushëkrujës. Ka lindur më10-10 -1986.
Ajo e ka pasion poezinë. Është një mënyrë për të thënë fjalët e pa thëna të shpirtit dhe për të shprehur emocionet e saj. Përmbledhja poetike" Grimca lumturie" është libri i saj i parë. Nga faqet e tij po sjellim disa poezi për lexuesin.

DUA
Dua të iki larg, tek ëndrrat e mia,
të fluturoj lart dhe të prek lumturinë.
Si era të hyj pa zhurmë në zemrat e të tjerëve,
dhe mbi re të vallëzoj, ku gjithçka duket blu.
Dua të shijoj dritën, të ndjej çdo ngrohtësi,
të jem një pëshpëritje e butë në çdo zemërim.
Të vallëzoj me yjet dhe hënën e kaltër,
dhe të jetoj ëndrrën, mbi çdo qetësim.
Dua të ndjej horizontin që shtrihet në largësi
të jem pjesë e diellit dhe qiellit të pafund.
Të shijoj pastërtinë dhe frymën e hapësirës,
dhe shpirtin tim të lirë, që fluturon pa frikë.
PA TITULL
Me kohën
kuptova më mirë veten,
duke kuptuar veten,
kuptova të tjerët.
Duke u rritur,
shumë gjëra ndryshuan,
pastaj fillova të ndryshoj rrënjësisht.
Asgjë nuk zgjat përgjithmonë,
çdo gjë harrohet një ditë:
njerëzit,
mendimet,
fjalët,
dashuritë,
të vdekurit,
ata që na urryen,
edhe lumturitë.
HESHTJA VRET
Heshtja është si një erë e fortë,
pa të prekur, të lëndon me forcën e saj.
Të godet si shuplaka, njëra pas tjetrës,
të hedh andej-këndej, pa asnjë fjalë.
Heshtja vret, si një stuhi e egër,
që me vrullin e saj rrëmben gjithçka.
Pas saj lë vetëm rrënojat e shkaktuara,
dhe dhimbje të thellë, e frikë pas vetes.
Heshtja vret më shumë se plumbi,
sepse ndaj saj s’di si të përgjigjesh.
Është si shiu i ftohtë i dimrit,
i rrëmbyeshëm, që të detyron të mendosh.
Heshtja lëndon, vret pa fjalë,
pa e kuptuar as pse, as si.
Si bora e bardhë, e bukur në pamje,
por e rrëshqitshme më vonë, e rrezikshme në fshehtësi.
LUMTURIA IME
Lumturia ime je ti,
buzëqeshja që më zgjon çdo mëngjes,
arsyeja ime pa kufi,
mendimi i parë i çdo dite që nis.
Je drita e syve të mi,
bota ime përkufizohet tek ti.
Frymëmarrja e çdo sekonde,
jeta ime në pafundësi.
Je era e lehtë e një dite vere,
dhe stuhi e rrëmbyeshme njëkohësisht.
Je deti blu në çdo stinë,
qielli i kaltër, herë i kthjellët, herë me re.
Me ty jam më e lumtura në botë,
tek ti gjeta forcën dhe mbështetjen time.
Asnjëherë s’e njoha vetminë,
se je ti, liria ime,
dhe vetja ime më e bukur.