Vjollca Aliu - Poezi

Vjollca Aliu - Poezi
KRYEVEPËR E NJERËZIMIT
 
Sa herë e pyeta hënën se,
a mos fshihet pas teje lodhja e nënës?
Edhe liqenin e pyeta se,
ëmbëlsinë e ujit
nga shpirti i nënës a e more ti?
Dhe, asnjëherë s'mora përgjigje.
Vetëm diellin nuk e pyeta fare,
sepse e dija,
rrezet e tij burojnë nga shpirti
e nga sytë e nënës rrezedritë.
Dhe, një ditë, krejt pa pritur
u shfaq një ylber,
ku me ngjyrat e tij shkruheshin
lodhja e fuqia e pamposhtur e nënës.
Shkruheshin ëmbëlsia, dashuria, gëzimi
i shpirtit të artë.
Shkruheshin dhimbjet, lotët, buzëqeshjet...
Shkruheshin emri, jeta dhe vepra e saj.
Shkruhej një kryevepër e historisë njerëzore,
dhe ajo mban kryetitullin: NËNË!