PUTHJA E PARË
U shndërruam në mbrëmje...
në mbarimin e vallëzimit të shenjtë
të bebëzave t’syve tanë.
Dielli na pinte shikimet,
ne pinim të bardhën e fundit të ditës:
Vëllazëri qumështi.
Muzgu puthte lehtë mbi buzë
e ne nduknim të kuqen e tij:
Vëllazëri gjaku.
KUTI RINORE
Në rininë tonë
këputëm një vjeshtë
për t'ia zhvoshkur ngadalë
zogjtë dhe premtimet,
gjethet dhe dashuriçkat.
Pasi e bëmë zemër,
Kutinë e Pandorës
e mbushëm bashkë
me lumturi;
ti ke të gjitha hyjnitë,
ndërsa unë di të këndoj.
RROBAT E LËNDINËS
E gjelbër gjuha e prillit mbi fushnajë.
Era i qëndiste lëndinës dantella fluturash.
Na përgjonte një pëshpëritje,
tjerrë me fllad, zëra fëmijësh dhe këngë zogjsh.
Ishim rrobat që kishte zhveshur lëndina.
Dhe ne ia mbathëm për ta lënë lakuriq.