KJO KOHË SHTERPË - VERA GJONAJ
Vera Gjonaj u lind në qytetin e Kukësit ku mbaroi
shkollën fillore e të mesme. Vera ka mbaruar Fakuktetin Ekonomik Dega Financë në Tiranë. Më pas, ka punuar llogaritare në Koplik, të Malësisë së Madhe. Rreth viteve 2000, Vera emigroi në Itali, ku aktualisht jeton dhe punon në zyrë një avokatie. Vera është Ambasadore e Paqes Botërore për të Drejtat e Njeriut, në organizata mos përfituese si dhe Anëtare e Klubit Letrar të Shkrimtarëve Poetëve dhe Artistëve të Veriut.
Vera Gjonaj është nderuar me çmime të ndryshme falë aktiviteteve të shumta me të cilat ka bashkëpunuar. Ajo është mjaft art dashëse dhe bashkëpunon me revista të ndryshme bashkëkohore, pasi ka krijuar poezi që në moshë të re. Deri tani, Vera ka botuar dy vëllime poetike:
"Në Flatrat e Mallit" dhe "Princesha e Gjyshes".
KJO KOHË SHTERPË
Aspak rehati nuk gjejmë këtu
në vendin e shqiponjave
me strajcën mbi supe
vrapuam t'kërkojmë shpresën
Kështu që muaj e vite kaluan
e ne atje tej deti pritëm tepër gjatë
vrapuam labiritheve të shpresave
duke mundur çdo sakrificë
Treni i kohës kishte ikur e ne
rendnim nga pas duke u rrekur
kështu që erdhën kohë shterpa
se koha aq mizore troket.
U vyshkën e zymtuan dëshirat
prej pritjes ka ende pritje
kokrrat e shpresave pikojnë degëve.
Ku po shkon kjo jetë, ku iku shqiptaria?
Plakut a të riut, keq ndjehet dhe fëmija
ku vajtën virtytet ç’u bë njerëzia?
U zverdhën gjethet ende pa ardhur vjeshta
bie bora n'male ndonëse ka trokit vera.
Shirat vërshojnë përmes ugareve
filli u këput, kohët na përgjojnë
dimë të jetojmë veçse mes pazareve
a e dimë destinacionin ku po shkojmë?
Dita po shkurton, trazirat duken sheshit
fati tjetërsohet, dëshirat pa realizuar
lutemi pafund nga mbrëmja në mëngjes
në vendin e origjinës a do të ketë më shpresë?
Se koha shterpë, duket e pabesë!
Përgatiti dhe redaktoi: Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese