NË EDENIN E PËRHERSHËM
Në kopshtin e trëndafilave të shpirtit,
atje ku 'Edeni' i ngjan një embrioni...
Çova rrënjët e mirësisë drejt flirtit,
me qetësi u pëshpërita: "Lulëzoni!"
Nga kërcelli i tyre i njomë,
gjethe bujarie u gjelbëruan;
Prej vesës thërrisnin "Shpëtomë!",
në pafajësi, me shiun lotuan...
Nën dheun e lagësht rrënjët u bekuan,
si t'i kishte prekur ndonjë 'Mesi'!
Ngjyra lumturie trupit gjarpëruan,
me vello petalesh deri në pafundësi...
Në kopshtin ku i etur shpirti lulëzon,
buron një lumë i kuq, i pashtershëm...
Ngjyros çdo zemër që skuqjen vonon,
përflakur, ringjall 'Edenin' e përhershëm...
ZHYTUR TEJ VAJIT TË QIELLIT
Nën perdet e natës së errët qëndroja,
atje ku hëna vallëzonte e vetmuar...
Qiellin me yje plot shkëlqim vëzhgoja,
dhe muzgu buzëqeshje më falte ndriçuar...
Hënës në qiell të hapur puthje i dhuroja,
me blunë e thellë mure lutjesh ndërtoja...
Si piktura "Starry Night" e Van Gogh shpirtin pikturoja;
E gjithë galaktika midis tërë ngjyrave formohej,
Papritur Rrugës së Qumështit me lule shtrohej...
Qielli me shiun gjithmonë më përqafon,
ka kohë që dhimbja ndjenjat copëton...
Pikat e tij me aromë petalesh mpihen,
bashkuar retë nën metamorfozë nxihen...
Dhe rrahjet e zemrës me vetëtima godasin,
rrufe të përgjakura prej fatit trokasin...
Stuhia e mendimeve në erë thur lutje,
nën vajin e qiellit shpirti zhytur tutje...