TRËNDAFILI I OBORRIT TIM
Trëndafili i oborrit tim vuri ca pika vese në buzë
Me fustanin e kuq mburret para pasqyrës së ditës
Nxiton mali të ngre paxhurët e hirta të horizontit
T’i përkëdhel gushën e tij ëmbël, ëmbël agu i dritës
Pas pak ulet dielli në prehrin e tij si një lozonjar
Ndizet e vezullon e tëra vesa, s’përmahet e mira
Po i ç’mpleks me merak rrezet gërsheta të diellit
Dhe në gjoks i varet si medaljon me shtatë ngjyra
Sytë tinëz më hedh -Shiko sa i bukur që jam sot
Çudi, nga zbriti kjo bukuri e rallë këtë mëngjes?
Në buzë një gjurmë buzëkuqi vajze seç më mbeti
-Puthjen ta nisi më mua-më tha trëndafili me vesë
MË ERDHE NË ËNDËRR MBREMË
E malluar më erdhe mbrëmë në ëndërr
Lutesha të shihja sytë e tu të bukur nënë,
Kaq kohë ku ishe vallë?
Më erdhe sonte dhe ëndrra u ndriçua nga yjet
E unë të puthja dorën me mall....me mall
-Dardhën bir që kish mbjellë të shtëpiza jonë
U dogj, u bë shkrumb këtë behar, ti e di
Ogurzezë , më ndolli një merak
Me lulet e bardha të saj në pranverë, shpirt
Me ty po shmallesha, zemër, nga pak-
E më sheh me shpirt të lënduar plot mall
Një lot i rri varur në cep të retinës se syrit
Në supe si bar, malli ka mbirë
Buzët më ve në ballë si ahere që isha fëmijë
-Po ti, o xhani im, digjesh.. digjesh o bir
Nuk e di si më ike kështu papritur, siç erdhe
Një grua e bukur, e bukur, më vjen pranë
Më freskon ballin me dhembshuri
-Nëna jote më luti të vij , i miri i nënës
Shen–Maria jam,më tha të kujdesem për ty
NË ORËN E VIZATIMIT
Ora e vizatimit dhe...heshtin për pak nxënësit e mi
Me ngjyrat mbi fletat e bardha thurrin mendimet
Sytë endërrimtarë fluturojnë mbi një liqen të bukur
Ku pulëbardhat luajnë e qeshin sa zbardhin agimet
-Unë do vizatoj një varkë të bardhë në të, mesues
Më thotë Soni e sytë i shkelqejnë si liqeni me dritë
Sa dua të vozit me të, të më shoqerojnë pelikanët
Me një fishkëllimë kaltërsie t’i zgjojë unë përditë
Ola,si fluturë, me flokët lidhur me fjongo të kaltër
Jonin e vesh me blu, dhe qytetin me ngjyrë të artë
Ca anije të bukura që pinë një kafe te bari i limanit
E mbi kalanë një diell që sa del, i madh dhe i zjarrtë
Esi,me sy geshtenjë që buzëqesh si agu i mengjesit
Me dorë mbulon vizatimin, një tufë me manushaqe
Ngre fytyrën e ndrojtur e thotë.-Mësues, për ty janë
Nuk gjeta sot në kopsht tim.. dhe skuqet pak në faqe
KREH FLOKËT QYTETI IM
Shiu i butë po i lag kaçurrelat qytetit tim
Një rrekezë i shkruan në ballin e bukur ca fjalë
Me lëng dashurie
Nga legjenda befas del një ylber vezullues
I harkon gjoksin me një përqafim ngjyrash magji
Me drithërimë malli
Shtyn pak retë dielli të kreh flokët qyteti im
Në pasqyrën e Jonit që në duar e mbajnë valët e mira
Me një krehër të argjendtë
Para pasqyrës kreh flokët qyteti im e buzëqesh
Pastaj i lidh terë elegancë si një çupëlinë lozonjare
Me harkun e ylberit
KJO BOTË RRUGAÇE
Nuk e di pse i dorëzohem vetmisë
Sa herë që horizonti mbi luginën e fshatit tim,
Mjegullohet,
E fytyra e diellit...e palarë, zverdhim
Nuk e di pse i dorëzohem vetmisë
Sa herë shoh pulëbardhat që rrinë në breg,
Të trishtuara,
E deti i turbullt, me përtim valët tërheq
Nuk e di pse i dorëzohem vetmisë
Sa herë që terrin e natës një zë qyqeje e grish,
Me vajtim,
E heshtja indiferente hesht, e përgjigje s'kish
Nuk e di pse i dorëzohem vetmisë
Sa herë që dielli derdh lotë të kuq në perëndim,
Me denësë,
E misteri fshihet diku në humbëtirën pa mbarim
Nuk e di pse i dorëzohem vetmisë
Sa herë që trëndafili në oborr dritën e tij humbet,
Shpresëlënduar,
E ngjyrat e vesës, mbi supe pluhuri i ka mbet
Nuk e di pse i dorëzohem vetmisë
Sa herë që shoh kanatat e mbyllura të shpirtit të saj
Dorezëhumbura
E në qerpikët që dridhen ,varen ca grimca akullnajë
Nuk e di pse s'më ndahesh moj vetmi
Unë të shtyj.... të shtyj
Kjo botë rrugaçe
Prapë më hedh tek ti
VETEM NE TË DY ?!
Ndjen të dridhura edhe qielli sonte
Bluzën kafe veshi pylli, ka pak freski
Hëna lart e përgjumur seç ëndërron
-Hej-e tund nga kryet: Vetëm ne të dy?
As sorkadhja s’doli për ujë në krua
Zogjtë po i ngrohin të vegjlit në gji
Qyqes i vijnë normica e zë e dridhet
Ah moj hënëz, sa keq, vetëm ne të dy..
Freskët është sonte e qielli mërdhin
Heshtje e ftohtë dhe vetëm ne të dy
Shpirti i akullt lutet për një përqafim
Në korije, aty pas pemëve, të kërkoj ty
U ngroh edhe pak qielli e hëna qesh
Thotë me habi pylli: Mua ç’më gjeti!
Vrapojnë këta, rrokullisen nëpër bar
Pastaj po luajnë si fëmijë kukafshehti