Zyrafete Kryeziu

Zyrafete Kryeziu
LOJA E DREQIT

Fol pse hesht...? 
një kat më lart e ke motrën tjetër
të voglën një kat më poshtë
babain ta vramë mbrëmë, rezistoi...

Një shuridhim në veshët e mi,
mos beso ma thotë ndërdija...
Mashtrim...!
mundohem të buzëqesh,
gllënjka gjaku ma zanë frymëmarrjen,
alivanosem...!
kova me ujin e ftohtë jep rezultatin:
“zgjohem”.

-Hë si t’ u duk, a pe ëndërr fitoren tënde...?
zgërdhirje,
gojë të shkrumbëzuara në cepa të buzëve,
dihatje...
do të vdesësh në dru po s'fole,
rrebele.

Çel guri gojën- aq unë,
vetëm mendimet flasin brenda meje
silueta njerëzish të mi,
më flasin...
Dielli lind pas stuhisë.

Errësirë mbytëse në dhomën trekëndësh
pluhur me pëllëmbë,
minjtë  lozonjar luanin lojën e tyre,
fshehur këmbëve të mia e prangat vritnin keq llërët e duarve,
buzët e thara me dromca gjaku.

Portreti im tjetërsuar në emër të lirisë
satrapët që shanin tokë e qiell,
nanën që më lindi e orët që më sollën në jetë...!
-irredentiste që na prish vllaznim-bashkimin
dhe kohën e "art".

Sa më shumë shtoheshin  torturat,
aq më tepër forcohej besimi në mua:
unë dua të jem një shpirt i lirë,
me krah dallëndysheje,
t'i shijoj kaltërsitë.

*Fotoja një javë pas burgut të Mitrovicës, këmisha e Xhevahire Rrahmanit, një vajzë e burgosur në të njëjtën dhomë në të njëjtin burg.

NËPËR KOHË

Ishin kohë kur i vriste gjuha atdheut.
Kur vilej suksesi nga dashuria e të qenurit i tyre,
e mbyllur sysh nga rrënja e shekujve që dashuritë të lexoheshin mbrapsht.

Ishte kohë kur shpërndaheshin shkronjat në rrugët e fshehura,
bulevardet i vidhnim me sy,
Ishte koha me mundësi harrimi
të  emrit tënd të trashëguar
Donikë, Ilir...
Ishte kohë e zullumeve të mëdha.

Koha e drithit të munguar,
e armëve,  që duhet t'i kishe patjetër,
se retë të nxirrnin fajtor në situata
e netëve të gjata haheshin orët e sherrit me britma e piskama...

Kërkonin të mos ishim  shqiptëra, pa gjuhën tonë.