POEZI NGA THODHORI BABA
Thodhori V Baba ka lindur në Vlorë në vitin 1956. dhe ka filluar të shkruajë rreth viteve '75 - '76 në gazetari. Pas kryerjes së shkollës fillore dhe të mesme, mbaroi Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe.
Thodhori ka bashkëpunuar rregullisht, duke publikuar shkrime në gazetat: "Zëri i Rinisë", "Luftëtari" dhe "Zëri i Vlorës". Njëkohësisht, ai ka qenë botues i revistës për fëmijë "Valëza e Kaltër" e ndërkohë ka qenë anëtar i bordit drejtues të revistës "Peligrini" i klubit Drita në Athinë. Thodhori shkruan dhe boton kryesisht: poezi, prozë, tregime, dhe romane.
Deri më sot ai ka botuar këto libra:
"Bashkë me detin" - (poezi, 1998)
"Lirika" - (poezi, 2000)
"Bregu i mjegullt" - (poezi, 2002)
"Të dashuroja ndryshe - (tregime, 2002)
"Të lutem, Mari!" - (roman, 2004)
"Qiej dhimbjesh" - (poezi, 2006)
"Dehja e natës" - (poezi, 2008)
"Letër nga Nju Xhersi" - (tregime, 2011)
"Qiej gri" - (poezi, 2013)
"Rruga pa emër" - (poezi, 2015)
"Në udhëkryq" - (roman, 2021)
"Galaktikat e harresës" - (poezi, 2024)
TRËNDAFILAT
O sa dashuri mblodha
në atë rrugicë...
Një oleandër,
në ngjyrën e puthjes së parë,
me sytë e kaltër agun kishte gdhirë.
Zemrën ma rrëmbeu,
shpirtin ma mori zvarrë
në çdo ditëlindje tënden.
Një ag i purpurt
me borën mbi flokë,
me ngricën në shpirt.
E vetmja buqetë që s'u vyshk kurrë te ne,
rrugica e trëndafilave, ku mbolla dashuritë.
SHKALLËT
I zbrita shkallët një e nga një,
pa dritën e pritjes,
zemërthyer si degët në fundvjeshtë,
te këta drejtkëndësha gri
më ndiqnin ikjet,
arnave të kohës këpucët pa ngjyrë,
rrugëve të shqyera që ngjisnin,
zbrisnin, rrëzoheshin, ngriheshin.
Pse rrëzoni yjet në pellgun e dhimbjeve,
në turbullira ka vetëm funerale,
ndaloni një çast dhe mblidhni
cicërimat e harabelit, nga duar vogëlushësh
presin thërrimet e fundit të përçmimit.
Unë hesht me zbritjet, me shkallët,
me vdekjen e zogjve,
harruar nën hirin e marrëzive.
E rreckosur jeta me thinja mbuluar,
sa afër këtë natë perëndimi
teksa shkallët zbres ngadalë - ngadalë.
Redaktoi: Angela Kosta, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese