Sheremet Prokshi (Poezi për fëmijë)

Sheremet Prokshi (Poezi për fëmijë)
LODRAT E NIPIT
 
Për nipin janë lodra
Lapsi, telefoni,
Papuqja e gjyshes
Lulja në saksi,
Janë syzet e gjyshit
Gotat mbi tryezë,
Korniza e drurit
Me fotografi.
 
Asgjë nuk lë prapa
Pa e prekë me dorë,
Edhe macës lodër
Ia ledhaton faqet,
Kur mërzitet brenda
Del në kopsht shtëpie,
Nga gjumi i zgjon
Lule manushaqet.
 
KUR NIPI VJEN E ULET
 
Kur nipi vjen e ulet
Me lodra i rrethuar,
Vendi ku i shtrin këmbët
Shkëlqen si i praruar.
 
E ëma shikon ëmbël
Dhe flet me krenari:
-U rritsh o shpirt i nënës
O djali im flori!...
 
Uratat shtrijnë petale
Mes lojërash fëmijërie,
Unë shkruaj e thuri vargje
Në gjerdan poezie.
 
Edhe kur kemi halle
Edhe kur rrimë të heshtur,
Nipi me sy të kaltër
Na vjen i buzëqeshur.