ZJARRI PROMETEIK I KRYEHEROIT
Fragment
Me rritjen e frikës nga Adem Demaçi, në role të shpërndërruar plotësisht, regjimi nuk gjeti zgjidhje më fatlume për veten se sa ta burgoste për të tretën herë njeriun që nuk e linte të bënte as gjumin të qetë ai regjim i kalbëzuar nga themeli në kulm! Lëvizja që kishte nisur Adem Demaçi në krye të herës po rritej e po zgjerohej nën aureolën e ideve të tij të pavdekshme, kurse ai ishte shndërruar prej kohësh në Simbol të Përjetshëm të Qëndresës Shqiptare, duke zënë vendin qendror veprues e frymëzues në galaktikën që kishte përftuar historia shqiptare prej zanafillës së saj deri sot. Pra, Adem Demaçi kishte çelur udhën e pambarim të lirisë e të mbrothësisë shqiptare, e cila nuk mund të ndalej me asnjë forcë, sado që ai vetë po dergjej ndër qelitë me myk e gjak të një regjimi kriminal.
Qëndrimi i gjatë në burgun e tretë (6 tetor 1975 - 21 prill 1990) sigurisht që e dëmtoi jo pak fizikisht atë, por ai dëmtim po i rikthehej disi vetvetiu Adem Demaçit në forcë të pashtershme morale, shpirtërore e mendore. Ai nuk e ndali luftën e vet asnjë çast, por i duhej një tjetër shpirt i përtëritur që të ngadhënjente në mënyrë të rrokshme mbi ata që luftën e shenjtë të Adem Demaçit dhe Adem Jasharit po e kthenin në një lojë të pështirë prapa maskash të neveritshme.