...DO TË DOJA
njëmijë herë më mirë do të doja
të më vrasësh trupin me plumb,
se sa të më vrasësh shpirtin me mungesë.
VRASJA E SHPIRTIT
keq më ke vrarë në shpirt,
m`i ke prerë të gjitha ëndrrat,
kujtimet ia ke varë vetmisë sime.
DO TË TAKOHEMI
po s`i gjetëm rrugët
do të takohemi diku në ëndërr,
ose përtej ëndrre.
NË SHOQËRI TË GOTËS
tani shoqërohem nga gota
dhe pikat e lotit, që pikojnë,
nga ëndrrat e mia të plagosura.
PIKA PIKA LOTI
pika pika loti, sytë më janë bërë ujëvarë,
ç`farë t`u bëj dhembjeve,
si t`arrij te shpresat ?!....
E SONTE DO TË DEHEM
e sonte do të dehem
duke pirë vetminë
në një gotë të thyer.
KTHEHESH NË KUJTIME
Kthehesh, në kujtime, po asaj rruge
nëpër të cilën më patën humbur shpresat,
vaj halli për dhembjen.
BILBILI DI T`I KËNDOJË….
fjalën tënde të butë falja këngës,
zërin tënd të ëmbël falja bilbilit,
vetëm ai di t`i këndojë bukurisë sate.
KTHIMI
u ktheva me krahët e tu
se krahët e mi m`i kanë thyer ëndrrat tua,
e tash në dash më duaj, në dash mos më duaj.
NË KULMIN E DASHURISË
në kulmin e dashurisë
fjalët vdesin brenda buzëve
atëherë miklimet luajnë rolin e tyre.
TË MOS MENDOJË…
të mos mendojë askush se harrohet dashuria e parë,
ajo me kalimin e kohës mbetet gacë e mbuluar,
sa herë e shpupurishin kujtimet, djeg në shpirt.
RINIA E DJEGUR
në flakën e buzëve tua të trëndafilta
është djegur rinia ime,
kurrë s`u mundove ta shuash zjarrin e djegies.
ULUR BRI VETMISË
ulur bri vetmisë,
në kujtime, ta vizatoj portretin,
në një copë pergamenë të lëkurës sime.
TË TË SHOH …
ia vjedh dritën ditës
për ta hequr atë tis mjegulle
të të shoh më mirë në ëndrra.
PEMËS SË HESHTJES
pemës së heshtjes
ia fal fjalët e mia memece
që në heshtje të rrëfejë diç për ty.
NË SIPRINË KOHE
prillit i thyhet blerimi
mbi fytyrën tënde
të tetovuar në syprinë kohe.
NUSJA TE KROI
krushqit në rrugë,
nusja pa duvak ia pi etjen kroit.
ATYRE S`U PREMTON KOHË
ata që puthin buzë gotash dhe buzë gocash
e kanë hapur derën e parajsës
se atyre s`u premton kohë që t`i japin krahun së keqes.