Sheremet Prokshi - NË SALLONIN E XHA LIPËS

Sheremet Prokshi - NË SALLONIN E XHA LIPËS
NË SALLONIN E XHA LIPËS
(Fabulë për fëmijë)
 
Seç më zuri orë e ligë
Në sallonin e xha Lipës,
Prej të cilit, dhjetëra mace
Më kanë thënë ia kemi frikën.
 
Trup si trap ka ai binxhoz
Ka mustaqe si rrafatë,
I ka sytë si burgalem
Gojën shpellë, hundën e gjatë.
 
Në atë mbrëmje po lexonte
E herë shkruante në një fletë,
Pas pak zonja e shtëpisë
Shtronte darkën mbi truezë.
 
Shikoja nga kënd i derës
Barkun bosh në trup kamishi,
As provuan të më afrojnë
Pakëz bukë a një trohë mishi.
 
E uritur s’mund të rrija
Ashtu kot nëpër sallon,
Dhe kur miu lëvizi bishtin
U hodha në aksion.
 
Shpejtoja në vrap e sipër
Përmbi rraqe bam e bum,
Kur kërceva t’ia zë priten
Më goditi një bastun.
 
E ndërkyer e pisanjosur
Trup e kokë mbushur me gjak,
Po ç’të bëra,  - thash, o xhaxhi,
O plakushi çmendurak?!...
 
Duke ikur si e dehur
Dola jashtë me shqelma prapa,
Dritë as hënë askund s’i shihja
E zezë korb errësohej nata.
 
***
Aty afër në oborr
Po shëtiste një këlysh,
Tash do hapej fronti tjetër
Jo si brenda me atë “gjysh”.
 
Ende thonjët pa i mprehur
Pa i nxjerrë dhëmb’ e dhëmballë,
Nga versulja e këlyshit
Zbriti frika nën qepallë.
 
Të mos mbillej farë e keqe
Duhej mend e pak mjeshtri,
Ndaj si xhitë shpejtova vrapin
Ju ngjita plepit të ri.
 
Sa po pritja atje lart
Të ftohtit në palc e ndjeva,
Dhe nga dega n’degën tjetër
Sikur ketër poshtë kërceva.
 
U largova
Për t’u kthyer
Kur xha Lipa t‘i thyen këmbët,
Kur këlyshit duke lehur
Acari t‘ia kriste dhëmbët.
***
Të nesërmen n’shesh qyteti
Qindar këmbë ecnin me hapa,
Unë e lodhur, e përgjumur
Si pa kokë ju shkoja prapa.
 
Pak me tej po brohoritej
Dhe valvitej një flamur,
Përsëriste megafoni
“S’DUAM TË IKIM, DUAM PUNË!!!...”
 
Thash mos jam në ëndërr gjumi
Apo ethet më kanë zënë,
Kot kujtoja se nga mbrëmë
T’keqën prapa e kam lënë.
 
Kur filluan të gjuanin gurë
Hop, kërceva n’përmendore,
Prej aty shihja më mirë
Çka po ndodh në shetitore.
 
Me lot n’sy fliste një nënë
Sa shikonte këtë fortunë –
 
“JA ÇKA BËHËT- I tha mikes,
KUR TË RINJËT KËRKOJNË PUNË!”