Enver Rexhaj - poezi

Enver Rexhaj - poezi
LIRIA ME GABIME DREJTSHKRIMORE

Një ditë, në shesh,
një njeri po kërkonte të vërtetën.
E pyetën:
- Çfarë ngjyre ka?

Ai tregoi qiellin.
- Gabim, - i thanë. - Qielli është i yni.

Tregoi detin.
- Edhe deti gënjen, - thanë, - ne kemi dokumente.

Pastaj nxori zemrën nga gjoksi
dhe ua vendosi mbi tavolinë.

Ata e shqyrtuan gjatë,
i matën rrahjet,
i numëruan plagët,
i kontrolluan vulat.

- Nuk është në formatin e duhur, - thanë më në fund.

Dhe e dëbuan nga sheshi.

Turma duartrokiti.
Disa nga bindja,
disa nga frika,
të tjerët sepse duartrokitnin të gjithë.

Një fëmijë pyeti të atin:
- Po nëse ai kishte të drejtë?

I ati ia mbuloi gojën me pëllëmbë.

- Mos pyet gjëra që të lënë pa miq.

Vitet kaluan.
Sheshi u mbush me statuja,
rrugët morën emrat e heronjve,
dhe e vërteta u shpall festë zyrtare.

Atë ditë, të gjithë dolën për ta kremtuar.

Edhe unë dola.

Mbaja një pankartë ku shkruhej:
LIRI!

Por, kur policia më pyeti se çfarë kuptoja me atë fjalë,
e palosa pankartën me kujdes
dhe u thashë:

- Më falni. E kam shkruar gabim.
Doja të thosha:
Qetësi.