Rudina Papajani - PËR TË KRIJUAR ÇASTIN

Rudina Papajani - PËR TË KRIJUAR ÇASTIN
PËR TË KRIJUAR ÇASTIN
 
Për të krijuar çastin me ty,
ju fala jetës që më deshi,
lëpiva dhimbjen,
dhe pështyva grerëzat,
në malin e shembur.
 
Për t'u futur brenda teje,
lejova paqen,
të hithte vallen me shpirtin,
aty ku lëndinat bredhin me ëndrrat.
 
Si stoike largova turmën memece,
që rritej si ciklon rreth nesh,
i shpjegova Tokës,
se enigma do shfaqej,
vetëm në mëngjes...