RIFAT ISMAILI
Rifat Ismaili (lindur më 24 mars 1968, Durrës) është poet, prozator, eseist, përkthyes dhe redaktor shqiptar. Që prej vitit 1991 jeton në Itali, ku ka vazhduar krijimtarinë e tij letrare dhe botimet ndërkombëtare. Autor i mbi 40 librave në gjini të ndryshme : poezi, tregime, romane, ese dhe letërsi për fëmijë , ai është botuar gjithashtu në italisht, anglisht, spanjisht, arabisht, turqisht, kineze dhe gjuhë të tjera. Ai drejton revistat letrare ''Gjurmë Penash'' dhe ''Kryefjala'', si dhe revistën për fëmijë ''Pena Balerina''. Shkrimet e tij trajtojnë tema të dashurisë, lirisë, identitetit dhe imagjinatës, duke kapur lexues të çdo moshe.
Çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare vlerësojnë krijimtarinë e tij poetike dhe prozës, ndërsa veprat e tij vazhdojnë të jenë pjesë e antologjive dhe revistave në Shqipëri, Kosovë, Itali dhe vende të tjera.
CIKËL POETIK: HARROVA TË PUTH TRËNDAFILIN
NJË DITË E RE
Dielli ndrit
më vesh
kostumin e dhëndrit.
Si një varkë letre
një harabel
në krah m'u ngjit.
Me veten shahem orë e çast.
Harrova
të puth trëndafilin.
MESDITË
Në mesditë bredh nëpër rrugën e vetmuar
Pemët, rrugët, janë në gjumë.
Në kujtesën time ditën ma prish
Një lodhje e shpërndarë si frizurë.
Harabelat të kthyer sërish
Hereoglife malli lënë në pluhur...
KAPELA E ARTË
Diell, diell i vendlindjes,
kapelë e artë ndër flokë e ndër sy...
Për ty, e dashur, si lulëkuq
do e hedh në arë,
dhe ara dhe lulet do marrin zjarr...
QYTETI KUR ZGJOHET
E dua qytetin tim
Në mëngjez
Kur në rrugë
Nuk kalon asnjë njeri.
Shpërndaj me dorë
Tymin e çative
Dhe me mjegullën qytetin
Mbuloj porsi fëmijë.
Që kur të zgjohet
Si një grua
Të zbulohet
Vetëm për mua...
BUZË DETIT
Buzë rërës së pafundme,
në gjurmët e këmbëve të ikura
u shtriva që të fle.
I shtrirë udhëtoj tani
nëpër ëndrra të largëta...
Në horizont dielli ndrit si peshk!
KUR NGRIJA BALONA
Penjtë donin të më tërhiqnin lart
Me mua sikur donte të ngjitej
Te këmbët e mia çdo fije bar...