KUJTIMET PËRPËLITEN
Litarët e çeliktë të kujtimeve
që mbanin urën e takimeve tona,
kanë filluar të ndryshken...
Mjegullës ,
davariten çaste,
fjalë ,
vargje,
Cikloni i erës së kohës i mbështjell
rreth vetes si fugë,
i hedh mbi lumin e jetës .
Disa humbasin shtratit ,
Disa ngecin duke u përzierë me leshterikë
e humbasin çdo fonemë,
Disa ndihmë kërkojnë
që të mbeten gjallë,
Përpëliten e përpëliten mbi valë.
QERPIKËVE TË KOHËS
Qëmton malli i largesës tënde
në një prej dhomave të pendesës,
Qerpikëve të ngrirë të kohës .
I ftohti përplaset në xhamat e dritareve të shpirtit,
Trupi mardh
Ngrihen pikëpyetje nga vorbulla mendimesh,
Faji qëndron në ajër si stalagmit
Askush s'e pranoi nga ne
dhe ashtu mbeti
Varur nën qiellin e padukshëm të krenarisë.
Tani, kur bora shkriu
dhe pranvera hodhi farën e lulëzimit,
Në një pjesë lëndine orvatet pendimi
me dorën mbledhur grusht ,
të vrasë kohën ,
që me dhëmbë i kafshoi rininë.
FUSTANI ME FLUTURA
Të hënave ma merr fustanin me flutura
ma pret fije- fije,
Të martave ia shpërndan hapësirës,
pa ditur as vetë
se ku përfundojnë..
Ditëve të tjera
kërkon e kërkon...
Të dielat i presim me padurim
Ti me thesin e mbushur me fluturat
e gjetura,
Unë gatit prehrin.
Të gjitha ia qepim kryq fustanit
duke mbushur ditët e munguara
Në fund , pasi e vesh, më thua:
-A mungon ndonjëra?